Si të humbasësh miq dhe të varfërosh njerëz

Opinion
58
0
sample-ad

Anne O. Krueger

“Lufta tregtare” e presidentit amerikan Donald Trump me Kinën tashmë ka më shumë se një vit që vazhdon dhe mund të përshkallëzohet më tej nëse bisedimet aktuale nuk do të çojnë në një marrëveshje. Por ndërkohë, administrata Trump ka akuzuar gjithashtu dy partnerë të vjetër të SHBA-së, Turqinë dhe Indinë, se po përfitojnë në mënyrë të padrejtë nga Sistemi i Përgjithshëm i Preferencave i Shteteve të Bashkuara (GSP) për vendet në zhvillim. Pasi ngriti barriera tregtare kundër Turqisë vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara tani do të revokojnë trajtimin preferencial që u ofrohet importeve të caktuara turke dhe indiane në kuadër të programit.

Sipas Përfaqësuesit të Tregtisë të SHBA, “India ka vënë në zbatim një sërë barrierash tregtare që krijojnë efekte serioze negative në tregtinë e Shteteve të Bashkuara.” Në fakt, është një fyerje të sugjerojmë që industria amerikane nuk mund të konkurrojë me firmat me produktivitet më të ulët në një vend me të ardhura më të ulëta.

GDP-ja për frymë e Indisë, në rreth 1,900 dollarë (në dollarë të vitit 2010), është një e katërta e atij të Kinës dhe më pak se një e njëzetë e SHBA-së. Dhe ky është një përmirësim i madh në krahasim me dekadat e mëparshme, kur India, ashtu si shumica e vendeve në zhvillim, ishte jashtëzakonisht e varfër, me shkallë të ulët arsimimi, infrastrukturë të dobët dhe një sistem shëndetësor të dobët. Në vitin 1960, GDP-ja për frymë e vendit ishte vetëm 304 dollarë.

Pas pavarësisë së Indisë në vitin 1947, qeveria e saj e parë, nën drejtimin e kryeministrit Jaëaharlal Nehru, e bëri zhvillimin ekonomik një prioritet të lartë dhe i bazoi politikat e saj mbi besimin se prodhuesit indianë nuk mund të konkurronin me ata në ekonomitë e përparuara. Prandaj, India i ndaloi importet e mallrave që mund të prodhoheshin brenda vendit dhe vendosi tarifa të larta dhe kufizime sasiore në shumë importe të tjera. Ajo nuk ishte e vetmja. Gjatë dekadave pas Luftës së Dytë Botërore, shumica e vendeve të tjera në zhvillim, duke përfshirë Kinën dhe Turqinë, bënë të njëjtën gjë, duke krijuar ose zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme rolin e ndërmarrjeve shtetërore dhe duke kufizuar ose ndaluar atë të kompanive private.

Megjithatë, nga vitet 1990, Kina, India, Turqia dhe shumë vende të tjera në zhvillim kishin përjetuar të gjitha dekada rritjeje zhgënjyese. Me mbrojtjen e tregtisë që kishte dëmtuar ndjeshëm konkurrencën e tyre dhe ecurinë e përgjithshme ekonomike, ata hoqën pothuajse të gjitha kufizimet e tyre sasiore dhe filluan të ulin tarifat në mënyrë të ndjeshme. Në të njëjtën kohë, shumë vende kaluan në kurse këmbimi më realiste, miratuan politika për të kontrolluar inflacionin dhe zbutën ose eliminuan kontrollet mbi ndërmarrjet private, duke reduktuar rolin e ndërmarrjeve shtetërore në ekonomitë e tyre.

Rezultatet kaluan nga të mira në spektakolare. Për shembull, në tre dekadat pas miratimit të një strategjie tregtare të orientuar nga jashtë në Korenë e Jugut në fillim të viteve 1960, pagat reale (të përshtatura për inflacionin) u rritën me shtatëfish. Koreanët e Jugut kishin kaluar në një kurs këmbimi më realist, duke lejuar eksportuesit të importonin me tarifa të ulëta dhe të mbanin nën kontroll inflacionin.

Në mënyrë të ngjashme, rritja e Kinës filloi të përshpejtohej pasi ajo filloi të prezantonte reforma ekonomike miqësore ndaj tregut, në fillim të viteve 1980, ashtu siç bëri India pas reformave të saj në fillim të viteve 1990. E fundit, Turqia, pavarësisht se ishte një importuese e naftës, përjetoi normën më të lartë të rritjes ekonomike në botë në fund të viteve 1980, pas heqjes së politikave proteksioniste më parë atë dekadë.

Në të gjitha këto raste mësimi u mor: tregtia e hapur, e shoqëruar me politika të përshtatshme vendore, është e mirë për rritjen ekonomike. Ka një sërë arsyesh për këtë. Ndërsa konkurrenca dhe mundësia për të mësuar nga të tjerët i bëjnë prodhuesit vendas më efikasë dhe inovativë, barrierat e larta të mbrojtjes tregtare mund të rezultojnë me monopole sklerotike. Për më tepër, tregjet botërore mundësojnë ekonomitë e shkallës në prodhim dhe i sigurojnë eksportuesve sasinë dhe llojin e saktë të inputeve që kanë nevojë – dhe pikërisht kur ata kanë nevojë për to –  me çmimin më të ulët.

Në total, vendet që kanë vënë në zbatim një hapje më të madhe ekonomike kanë përfituar rezultate të përmirësuara ushqyese, shëndetësore dhe arsimore, si dhe produktivitet dhe të ardhura më të larta. Dhe ata që nuk e kanë bërë këtë – domethënë Rusia, Koreja e Veriut dhe disa vende në Afrikë – kanë kaluar vështirësi.

Që një strategji e orientuar nga jashtë të jetë e suksesshme, politikanët duhet të përmbahen nga mbingarkimi i ekonomisë dhe aktivitetet ekonomike private duhet të zhvillohen në një fushë të barabartë. Nëse një vend i madh si Kina ndërhyn në mënyra që ndikojnë në tregun botëror – siç është subvencionimi i prodhimit të çelikut – një përgjigje shumëpalëshe është politika më e mirë. Në një ekonomi globale të ndërlidhur, të gjitha vendet duhet të punojnë së bashku.

Administrata Trump nuk pajtohet me këtë. Por ankesat e saj për “tarifa të padrejta” diku tjetër janë të vështira për t’u marrë seriozisht, duke pasur parasysh se SHBA-ja po rrit barrierat e saj tregtare. Nëse historia tregon ndonjë gjë, qasja aktuale e SHBA-së ndaj tregtisë do të rezultojë në përkeqësimin e performancës ekonomike amerikane, sepse kjo nënkupton që industritë e djeshme do të ngatërrohen, ndërkohë që industritë e së nesërmes do të jenë të uritura për investime.

Ironia e madhe është se nëse Kina, India dhe vendet e tjera në zhvillim vazhdojnë të heqin barrierat proteksioniste dhe të krijojnë një fushë loje të barabartë, ato do të rriten më shumë dhe do të jenë më konkurruese ndaj SHBA-së. Si një demokraci me një ekonomi në rritje të shpejtë, India duhet të jetë një mik për Amerikën, sidomos në përpjekjet e saj për të përmbajtur Kinën. Vendimi i administratës Trump për ta trajtuar keq vendin nuk ka kuptim.

Në të vërtetë, pas të gjitha lëvizjeve tregtare të Trump është një Pazar pervers. SHBA-ja po kërcënon të dëmtojë ekonominë e saj, nëse vendet e tjera nuk shfuqizojnë politikat e tyre proteksioniste dhe bëhen më konkurruese. Por nëse qëllimi është mbrojtja e prodhuesve amerikanë nga konkurrenca e huaj, administrata duhet të bëjë pikërisht të kundërtën: të nxisë ekonomitë në zhvillim të rrisin varësinë e tyre te ndërmarrjet shtetërore joefikase, të mbrohen nga konkurrenca e huaj dhe të lejojnë ndërhyrjen e politikës në ekonomi. Kjo, së bashku me një investim më të madh në hulumtimin bazik, arsim dhe infrastrukturë, do të siguronin supremacinë ekonomike globale të Amerikës për dekadat e ardhshme.

Project Syndicate

sample-ad

Facebook Comments

POST A COMMENT.

20 + 18 =