Sfidat e AMF për zhvillimin e tregjeve financiare

Opinion
52
0
sample-ad

PAJTIM MELANI

Katër vite pas drejtimit të Bordit të një prej autoriteteve më të rëndësishme të mbikëqyrjes së tregjeve financiare, kam prioritizuar sfidat e zhvillimit të tregjeve financiare, instrumentet ligjorë dhe rregullatorë, një strategji dhe plan veprimesh, eksperiencën dhe vullnetin për të siguruar mbrojtjen e konsumatorëve, integritetin dhe stabilitetin e tregjeve financiare në funksion të një ekonomie tregu funksionale.

Sipas rekomandimeve të Kuvendit për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, janë marrë masat konkrete të propozimit të ndryshimeve ligjore dhe miratimit të kuadrit rregullator për mirëfunksionimin e tregjeve të kapitalit dhe ato të sigurimeve me fokus mbrojtjen e konsumatorëve/të siguruarve dhe investitorëve në fondet e investimit dhe zhvillimin e fondeve të pensioneve private.

Ekonomia shqiptare ka kaluar një periudhë të zgjatur të stabilitetit në tregjet financiare, të mbikëqyrur nga Grupi Këshillimor i Stabilitetit Financiar (ministri i Financave, Guvernatori dhe kryetari i Bordit të AMF), falë mbikëqyrjes dhe masave sistematike për të shëruar në kohë risqet për këto tregje.

Tregjet financiare nën mbikëqyrjen e AMF kanë shënuar zhvillime pozitive me rritje mbi rritjen e ekonomisë në tërësi, me zgjerim të tregjeve financiare si në rastin e licencimit të shoqërisë “Bursa Shqiptare e Titujve ALSE” sh.a, e cila ka kryer transaksione për vitin 2018 në mbi 21 milionë euro në tregjet sekondare të bonove dhe obligacioneve të thesarit. Në tregun e sigurimeve ritmi i rritjes së primeve gjatë viteve 2015-2018 ka qenë në nivelin e 5-15 për qind ndërsa pagesa e dëmeve ka qenë me rritje 2.5 herë më të lartë. Shprehur në shifra relative tregu ka arritur në mbi 48 euro prime sigurimi për frymë, një shifër inkurajuese krahasuar me sa ishte para 4 vitesh, por shumë larg vendeve të zhvilluara, çka tregon për mundësitë e konsiderueshme për ta zhvilluar më tej tregun e sigurimeve, kryesisht atë vullnetare dhe për ta modernizuar atë të sigurimeve të detyrueshme.

AMF ka ndjekur një politikë të kujdesshme të mbikëqyrjes dhe rregullimit të Fondeve të Investimeve, duke miratuar rregullore të përafruara me legjislacionin evropian, kryesisht në drejtim të transparencës dhe menaxhimit të likuiditetit. Rritja e fortë e viteve të para të krijimit të Fondeve të Investimeve kërkonte rregullim të plotë dhe të kujdesshëm të AMF të asistuar dhe nga projekti “Forcimi i kapaciteteve mbikëqyrëse: Fokusi në zhvillimin e tregut të kapitaleve”, të mundësuar nga Banka Botërore, falë fondeve të qeverisë zvicerane. Statistikat e fundit të disponueshme në 30.09.2018 tregojnë se fondet e investimeve kishin si vlerë neto të aseteve rreth 65.64 miliardë lekë ose rreth 520 milionë euro. Ky treg dominohet kryesisht nga investimet në Obligacione Qeveritare, të cilat përbëjnë 63.14% të aseteve të fondeve.

Tregu i pensioneve private, megjithëse ka pasur një bazë të ulët në fillimet e veta, po rritet me shifra dyshifrore vit pas viti.

Komiteti Këshillimor i Bordit të AMF ka propozuar dokumentet e zhvillimit strategjik të tregjeve financiare të miratuara nga Bordi për zhvillimin e AMF-së dhe Tregjeve nën Mbikëqyrje 2018-2022, i diskutuar gjerësisht nga Grupi Këshillimor me partnerët ndërkombëtarë, (Banka Botërore, FMN, SECO), Ministrinë e Financave dhe Operatorët e Tregjeve nën Mbikëqyrje, të cilët dhanë kontributin e tyre në hartimin e kësaj strategjie.

Fokusi kryesor i Autoritetit, në mbrojtje të investitorëve të tregjeve financiare dhe të të siguruarve në tregjet e sigurimit do të orientohet drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe të kujdesshëm të tregut të kapitaleve nëpërmjet procesit të diskutimit të hapur dhe profesional me Komisionin e Ekonomisë, Bankën Botërore dhe FMN të p.ligjit “Për tregjet e kapitaleve” dhe “Për fondet e investimeve”.

Plotësimi i kuadrit rregullator për funksionimin e bursës për tregun sekondar të letrave me vlerë të qeverisë dhe në vijim tregun e aksioneve dhe zhvillimin e tregjeve të obligacioneve të korporatave dhe obligacioneve bashkiake brenda vitit 2019 dhe listimi i aksioneve të biznesit në vitin 2020 mbetet një objektiv realist për AMF.

Tregu i sigurimeve, përveç mundësisë për të thelluar zhvillimin dhe shtimin e produkteve të reja, duhet të mbikëqyret me metodologjinë me bazë riskun me fokus mbrojtjen e të siguruarve, rritjen e dëmeve të paguara sidomos të Fondit të Kompensimit dhe modernizimin e tregjeve të sigurimeve të detyrueshme (zbatimi i sistemit “BonusMalus” dhe sigurimit të drejtpërdrejtë), hartimin e akteve nënligjore në zbatim të miratimit të ligjit të ri “Për sigurimet e detyrueshme motorike në sektorin e transportit” dhe zhvillimin e tregjeve të sigurimeve vullnetare, ku ka shumë hapësira për rritjen sasiore dhe cilësore të produkteve të sigurimit;

Fondet e investimeve menaxhojnë më shumë se 526 milionë euro asete dhe për këtë arsye mbikëqyrja merr rol të veçantë dhe detyrimi për transparencë dhe menaxhim efikas të likuiditetit për mbrojtjen e investitorëve dhe stabilitetit të sistemit financiar, ashtu dhe mbikëqyrjen në terren të ndërmjetësve të tregjeve financiare për të siguruar integritetin, reputacionin dhe stabilitetin sipas parashikimeve ligjore dhe rregullatorë me fokus mbrojtjen e konsumatorëve dhe investitorëve.

AMF duhet të vazhdojë të zbatojë projekte, që mbështesin rritjen institucionale të AMF si projekti FSVC për përfshirjen në regjistrin on line të shitjeve dhe të disa produkteve të tjera të detyrueshme, projekti për tregun e kapitaleve, përmirësimi i cilësisë së raportimit financiar, ndjekja e ecurisë së programit kombëtar të sigurimit nga katastrofat etj..

AMF do të modernizojë infrastrukturën e IT nëpërmjet rishikimit të sistemit të menaxhimit të informacionit (AMF-inReg), sistemin e raportimeve për tregun e sigurimeve dhe krijimin e një sistemi të ri raportimi për tregun e kapitaleve. Prioritet mbetet edhe rritja e edukimit financiar nëpërmjet publikimit të materialeve të edukimit financiar, leksioneve, përfshirjes në kurikula të leksioneve mbi industrinë e sigurimeve, tregjet e kapitalit, fondet e investimeve etj..

* Kryetar i Bordit të AMF 

Facebook Comments

POST A COMMENT.

10 − nine =