ALEKSANDËR ÇIPA, OSE PORTAT E NJË SHPIRTI

sample-ad

Mihallaq Qilleri

— rreth vellimit me poezi “Deti nuk ka portë”-

Sot, kete mengjes, libri ka nisur shtegëtimin e tij poetik drejt Sarandes. Atje ku takimi me detin është aq i qashtër. Dje ishim në Gjirokastër nuk kishte veç male dhe një lumë të cekët. Por përtej këtij qerthulli etjesh të miqëve të mirë të autorit, unë do të kundërshtoja me rebelizmin tim të çuditshëm fakti se në promovimin e librit të Aleksandër Çipës, “Deti nuk ka porta”, gjithfarë hamendjesh filozofike rreth titullit të librit dhe idesë që autori përpiqesh të përcillte prej tij. Për fat të keq atë ditë nuk e kisha lexuar ende librin dhe nuk dija se si të përgjigjesha, çfarë të miratoja dhe çfarë të kundërshtoja. Sot që këtë stivë lule-vargjesh i kamë përpirë, u kam ndjerë aromën, – metaforën se.. “deti nuk ka portë”, sigurisht do t’i komentoja ndryshe vlera e tij. Së pari porta e detit është vetëm një ndër poezitë e bukura të librit, intriguese doemos dhe, pse jo, të mos shënonte kopertinën. Megjithatë duke u zhytur, pa frymë, edhe unë si vlonjat në thellësi të detit të poezisë së tij, zbulova, për fat, që vëllimi ka një konfigurim tjetër. Dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Poezitë nuk shkruhen si prozat në disa ditë dhe një vëllim si ky ka psherëtima të mbledhura prej kohësh, ashtu, herë të dhimbshme e herë të mjegullta. Megjithatë, megjithatë, autori herë pas here hap porta deti, duke zhbiruar gjithë reilevin dramatik të Bregut por edhe thellësitë e shkëmbta të tij, për emra të mëdhenj e të vegjël, për dashuri të vogëla e të mëdha, për tringëllima kambanash e klithma pulëbardhash.
“ Deti nuk ka porta” në të vërtetë përkon me një metaforë më të madhe se aq. Shpirti i poetit nuk ka porta. Sepse ato nuk janë mbyllur asnjëherë, asnjëherë ai nuk ka reshtur duke hyrë e duke dalë në këtë labirint mistik e mitik. E gjithë pasuria disa vëllimshme ka qenë fshehur e pastaj dalë nga këto “porta” mahnitëse.
Vëllimi më i fundit i mikut tonë është në të vërtetë një diagramë ndjesish të mrekullueshme, njera më e bukur se tjera, me sunisoidat që zbresin ndonjëherë e brenda një poezie, sikundër e ka të vetën këtë formë e ide, poezia moderne. Dhe kur them poezi moderne, Çipa është mbartës jo vetëm i kohës së vet, por edhe i një historie letërsie pak më të vjetër, sepse rrënkimet e tij poetike ngjajnë domeos sa ato të Jack Pervert, shqiptarit Fatos Arapi, lëmimit romantik të Pushkinit a Lermontovit, pse jo edhe pëshpërimat magjike të Lefter Çipës që kanë tretur deri edhe gurët e Pilurit.
“Deti nuk ka porta” të hap në të vërtetë dy porta të mëdha..Dhjetra poezi për dashurinë, edhe kur ato janë pakvargëshe, edhe kur janë një hajk, edhe ato kur ndërlikojnë ndjenjën si një sëmundje e padukshme. Sepse,
Drita e brendshme e mërzisë
Si qiriri grushtin,
Në agim të ardhshëm të më ndritë.
Poezia “Mërzia ndriçuese”,
Por portën e rëndë të dashurisë tjetër po aq tronditëse, atë për viset e fëmijërisë së autorit, për viset me aq shumë balada, bukuri, luftëra e kompromise, vise që mbartin edhe sot e kësaj dite histori të të rënda, ai e hap po aq dhimbshëm. Polifonia himariote është një herë guva e shenjtë e fjalës shqipe që vërtet nis nga “Vajza e Valëve”, por nuk mbaron as te “Bejka e bardhë, borë e malit..” as te Çipa i ri, doemos.
Ja se çfarë brenge e vërtet e lëndon poetin gjithëherë. Në poezinë e mrekullueshme “Im At ka një hall për qiejtë”, ai shkruan..
Në këmbët e tij është deti,
Gjiri magjik i Himarës, monofonia tjetër.
Po sytë te malet i ngre, ka aq subjekte,
Dhe heshtjen e ngjall si baladë të vjetër..
Poezia e Aleksandër Çipës ka njëherazi brenda saj jo thjesht modernizmin si tendencë, por si filozofi. Po lëshon teren gjithmonë e më shumë romantizmi i vjetër ndër vargje, sepse jeta njerëzore po i ikën njëherazi, madje më shpejt, thjeshtësisë së vet, po ndjek hapësira të tjera ndër botë dhe, ndonëse poezia ngjan e lidhur pas atij që kemi më pranë, hapësirat e saj galaktike dhe fati i popujve të tjerë, afër a larg nesh, nuk mund të mos na lag e trondit edhe ne si dallgë, si kaltërsi, si dritë, si materie. Një ndër poezitë e këtij mendimi do të veçoja gjashtë vargjet e poezisë “Në rrethim të ujit”

Greqi-
Tokë në rrethim të ujtë,
Në humnerë besimi po të vendos Europa,

Në thellësi të së shkuarës, ti ke ku kapesh,
Në thellësi të së ardhmes,
Padyshim, ke akoma..
…dhe pak më tej, matanë brigjeve të Egjeut, nuk mund të mos vinte poezia tjetër “Siri, 2016.”, njera e urritur e tjetra e gjakosur. Por ama, nuk mundesh gjithashtu ta vështrosh botën përtej pa gërvishtjen e shpirtit për vendin tënd aq të trazuar
Në vendin tim ka shumë dashuri,
Të gjitha të mira, të fisme në heshtje,
Ato kanë një fat të pamerituar fasade,
I vret pamëshirshëm, marrëzi e pjesshme.
Poezia “Në vendin tim”
Në se ky kozmogonizëm është një detyrim fisnik i qytetarit Çipa, poetit i duhet t’i tejkaloj këto re që ndjellin furtuna, sepse jeta është aq e shkurtër dhe poezia veç shtrati i përkohëshëm i shpirtit të saj. Aq e vërtet është kjo sa atij i duhet të pohoj po me aq dhimbje se,
Në turbullirën e jetës së përditshme, shija,
Si kripa në det,
Tretur rri..
Nuk mund të shpëtonte ky vëllim aq i bukur pasionit më të madh njerëzor, dashurisë, të cilën, ndonëse Çipa e vendos thuajse në fund të librit, në ciklin “Statujës së mishtë”. Në të vërtet me gjithë rrjeshtimet tematike, ajo, dashuria, pra, ndjenja e përjetëshme pa të cilën nuk ka poezi, i ka ikur duarsh qysh herët. Ajo trazon ciklet si bezdi kornizash dhe turbullon shikimin e lexuesit edhe atëhere kur ngjan se ai është bërë aq serioz me bëmat e botës. Por në këtë qerthull aq sqimtar, aq të bukur, aq fluid, nuk mungon trishtimi, sepse trishtimi është thelbi i së panjohurës dhe dashuritë njerëzore nuk mund të jenë të tilla pa ato thellësi planetare.
Ti je ikonë e largësisë,
Sa shumë të shkon përkohësia,
Vërtitesh sot ndër gjithë liritë
Por në thellësi të nxin vetmia..
Poezia “Ikonë e përkohshme”
Dhe për të qenë gjithmonë i sinqertë me vetveten, por edhe ata që e lexojnë, siç janë në përgjithësi poetët e mëdhenj, atij i duhet të shënoj..
Bota është një, e re dhe e vjetër,
Fetë iluzivisht na përshkruajnë një tjetër,
Fetarisht po të shpreh dyshimin e egër,
Të besoj verbërisht, por
Dyshoj si i verbër.
Poezia “Dyshoj si i verbër”
E theksova qysh ne krye të këtyre shënimeve se bukuria e poezisë, përtej shpirtit të madh a të vogël të poetit, përtej mendimit të tij dhe domethënieve relativiste, ushqen te lexuesi një kënaqësi tjetër. Çdo varg mund të ketë kuptim të dyfishtë, çdo poezi mund të mendohet se është shkruar për ty, ose..se edhe ty kështu të ka ndodhur, sikundër të të ngjiz në shpirt një breg a gëzim të madh. Unë nënvizova disa poezi, disa strofa. Lexuesit e tjerë do të kenë parapëlqimet e tyre. Por një gjë më duhet të theksoj këtu. E gjithë kënaqësia ime e madhe pas këtij botimi luksoz, me siglën e madhe D të Shtëpisë Botuese “Dritëro”, kënaqësia se koha solli këtë mendje të bukur që mahnit lexuesit e vet, këtë djalë që erdhi nga Piluri dhe u rrit në Gjirokastër, të cilit pata fatin t’ia përkërkedhel talentin qysh në fillimet e veta, qysh në vargjet e para, dhe sot të ushqejmë njeri –tjetrin me nektarin e letërsisë. Jam krenar gjithashtu që redaktor i këtij libri është njëherësh miku im i vjetër Gëzim Basha, bashkëkohës, bashkëstudent, bashkëmendimtar e mik i ngushtë edhe me Aleksandër Çipën dhe ngazëllimi njerëzor sigurisht më sjell këtë lumturi të papërshkruar.
Aleksandër Çipa nuk është vetëm poet, por edhe një shtjellues e analist korrekt i mendimit politik e shoqëror shqiptar dhe, si i tillë, është ndër njerëzit më të çmuar edhe në profesionin e vet të gazetarit!

Facebook Comments

POST A COMMENT.

seventeen − eleven =