Subvencionet për fermerët arritën 16 mln euro më 2018

Ekonomi
56
0
sample-ad

Ministria e Bujqësisë raportoi se ka shpërndarë gjatë vitit 2018 mbi 1.8 miliardë lekë ose 16 milionë euro subvencione për fermerët.

Shpërndarja u krye për  93 % e fondit  të planifikuar për vitin 2018 i cili ishte më shumë se 2 miliardë lekë.

Gjatë vitit 2018 kanë aplikuar rreth 6 203 aplikantë dhe pas procesit të verifikimit të dokumentacionit, verifikimit në terren, u kualifikuan dhe u paguan 4 053 fermerë dhe subjekte agropërpunuese.

Në skemat direkte përfituan 3 940 aplikantë me rreth 642 milion lekë dhe në skemën e investimeve përfituan 105 aplikantë me rreth 1 002 milion leke. Nga buxheti i 2018 për masat kombëtare u paguan dhe detyrimet kontraktuale për subvencionimin e normës së interesit, bazuar në VKM përkatëse të viteve të kaluara.

Gjatë gjithë procesit të aplikimit fermerët u asistuan nga specialistët e ekstensionit bujqësor. Për rikonstruksionin dhe pajisjen e 15 zyrave të aplikimit dhe informimit (Agro-pikat) të aplikantëve në skemat mbështetëse kombëtare të bujqësisë dhe zhvillimit rural u alokuan  56,6 milion lekë, nga të cilat u realizuan  47 milion lekë ose 83% e fondit. Diferenca është si pasojë e procedurave të prokurimit.

Ministria e Bujqësisë shpjegoi në një raport të posaçëm për këtë qëllim se Fondi i miratuar në buxhetin e vitit 2018, për masat kombëtare u përdor për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve bujqësore, nëpërmjet shtimit të sipërfaqeve të mbjella me kultivarë të kërkuar nga tregu, përmirësimit të teknologjive të kultivimit, certifikimit të produkteve, rritjes dhe përmirësimit të kapaciteteve të grumbullimit, ruajtjes, pastrimit, seleksionimit, paketimit dhe përpunimit të tyre.

Një pjesë e fondeve shkoi për përmirësimin e zinxhirit të sigurisë ushqimore të produkteve blegtorale, nëpërmjet pagesave të kafshëve të matrikulluara të lindjeve të reja, pagesave për dorëzimin e qumështit cilësor, investimeve në thertore, në pikat e grumbullimit dhe përpunimit të produkteve, makineri dhe pajisje në fermat blegtorale./Monitor

Facebook Comments

POST A COMMENT.

1 × four =