Poezia si egzistencë dhe frymëmarrje lirie…

KrijueseKryesoreKultureLetersi
220
0
sample-ad

Disa shënime për vëllimin DETI NUK KA PORTË të Aleksandër Çipës.

Nga Odise Kote.

Për kolegun, gazetarin, analistin, poetin Aleksandër Çipa është sfidë, kënaqësi e detyrim intelektual të shkruash, aq më tepër që kohëve të fundit, si një dënim, si fat i zi, heshtja ka pllakosur poezinë shqipe. Nihilistët e thekshëm thonë se asnjëherë ajo nuk u përmbush, kultura librore po humbet vitalitetin, d.m.th jetojmë në rënien përparimtare të fjalës poetike, ndërkohë që përkundër tyre, vëllimi DETI NUK KA PORTË, si një kundërpërgjigje ndaj një shoqërie të çorientuar e thyen mallkimin e parathënë. Në këtë kuptim poezia rrjedh në shtratin normal të saj, me kahje përmbushjeje e udhëtimi drejt shtegut hyjnor ku e çojnë ligjësitë e përveçme estetike të saj.

DETI NUK KA PORTË si habi estetike.

Aleksandër Çipa ka lindur në Pilur, në katund’thin ku qiellin e prek me dorë dhe detin e ke përposh syve, gati të hidhesh në thellësitë e tij. Fëmijërinë e kalon në Pilur, adoleshencën dhe rininë e parë në Gjirokastër. Dy gjurmët; fëmijëria dhe adoleshenca kanë përcaktuar gjithë rregjistrin e konstitucionit shpirtëror të poetit. Për përkitje të argumentit, poezia nistore e vëllimit ka vendndodhje Pilurin “Nën tjerrje resh” dhe e dyta përmes Postlexim Cabej, Gjirokastrën. Nëse i besojmë aksiomës që fëmijëria dhe rinia projektojnë të ardhmen, atëherë ka një spjegim dhe titulli “Deti nuk ka portë”. Fëmija mahnitet nga bukuria dhe horizonti i detit që më tepër shkakton një habi estetike të thellë, mahnitëse që nuk do ti ndahet gjithë jetën dhe krejt pafajshëm bën pyetjen magjike: ku është porta e detit ? Ati krijues, Lefteri, çiltërsisht, apo ashtu si di një bard i vargut dhe metaforës të flasë, medet, duhet ti ketë thënë hijshëm e prerë: Deti nuk ka portë ! Prej atij çasti e për gjithë jetën në lëkurën, kapilarët e gjakut, ëndërat, vrullet, lajthitjet e aventurat e jetës së A. Çipës ka mbetur përfytyrimi profetik i detit pa portë! Jo vetëm kaq, prej atij çasti Deti është projektuar si Liri, si fund i Historisë, si Fundnarrativë. Në çdo ditë të jetës së tij, ngjan sikur deti mer frymë thellë atje poshtë, ndërsa sipër në qiejt e paanë është Gjirokastra me simbolet diturake dhe mahnitjet arkitekturore. Meta Fikctioni, mbetet gjatë në kujtesë, në ndërgjegje e nënndërgjegje dhe si guri i mullirit nis të bluajë më vete gjithë metafortat, vargjet, këngët, baladat që lidhen me detin dhe qiellin e diturisë. Peshën e rëndë të kësaj gjurme komplekse e zbaz ndër vargje…Por në jetën e A. Çipës është dhe një Institucion tjetër kulturor, poetik që e ndjek pas që nga qumështi i mëmës e deri në rritje, ndaj pyetja ekzistenciale është : a do ta kapërcejë dot i biri atin krijues Lefter Çipa e gjithë fisin krijues?

 

DETI NUK KA PORTË si Zotëria Tekst.

Vëllimi poetik Deti nuk ka portë, i organizaur në 8 cikle( me dedikime parathënëse) , në të vërtetë një strukturë konceptuale që na rrëfen se kemi të bëjmë me një prurje emocionale, gjendje shpirtërore dhe ide të skalitura në vargje, mençurisht e plot passion. Në pothuaj gjithë poezitë e vëllimit, ka një numër thellimesh dhe intuitash poetike magjepëse që përkojnë me tema të caktuara. Ndryshe nga shumë paraardhës, A. Çipa, i shkrin gjinitë. Teoria e gjinive është parim i prejardhjes, lirika, epika dhe dramatika, arkigjinite e triadës, por tek POEZIA e tij, ajo bëhet formë dominante letrare, ku brenda saj është metafora, drama, vizatimet, informacionet nga tekste të ndryshme shkencore, politike,sociale etj. Kjo formë shënon edhe fillimin e një ndjeshmërie të re, sikundër fundin e një të vjetre. Për analizë mund të përdoret Teksti (Postlexim Cabej). I pari Goethe (Gete) si rrebel romantik nuk i përfilli rregullat e gjinive me arsyetimin se kombinimi i tyre mund të prodhojë variante pakufi të gjinive poetike. As Aristoteli nuk ishte ithtar i pastërtisë së gjinive. I prirur në rrugën drejt metaforave, Poezitë e Çipës si Tekste i kanë ikur ngjashmërisë me poezitë e traditës, por pa e humbur magjinë e perceptimeve unike të tyre. Secili ecën në rrugën që shtron vetë, po në dejet e Poezive si Tekste shikoj gjithnjë një kapilar gjaku symbolist, atë që Pol Verleni do ta sqaronte “Nese lexuesit do pëlqejnë metaforat, heret a vonë do të duan librat e pas librave, njeriun…” Poezitë e vëllimit si Tekste janë plot Vizione e Imagjinata, ndërsa struktura e ndërtimit të tyre shpesh ngjan siç thotë Umerto Ecco, kombinatorike. Vizioni dhe imagjinata pa strukturë të ndërtuar janë vetëm halucinacione. Në strukturën e ndërtimit të pjesës më të mirë të poezive nuk kemi thjesht kombinim shkronjash, apo gjendjesh që shthurin kuptimet e mëparshme, por kemi sidomos edhe kombinim shenjash, ku futen imazhet, zërat, vizatimet, skicat, implikimet e kujtimeve, të fotove, të këngëve, baladave etj,etj. Gjithçka përzihet brenda vetes në Tekst, duke u tretur fije fije…artistikisht, për të ndërtuar pastaj sipas teknikës postmoderne të montazhit, kolazhin e artit, Tekstin. Siç thotë John Barth “një arskombinatoria” të mrekullueshëm. Kjo prirje e çon Tekstin e Poezisë së Aleksandër Çipës në bashkëkohësi me Tekstet e autorëve nga vendetë tjera të Europës e Botës ku jeton Poezia. E dimë fare mirë, se nga gjithë letërsia më e mirë botërore dhe ajo shqipe na kujtohen vetëm disa poezi. Ky është haraçi i madh, i pamëshirshëm i seleksionimit. Për fat, nga Tekstet e këtij vëllimi na kujtohen disa Poezi, që do ti mbajmë mend gjithë jetën. Ky fakt të mrekullon. Në kërkim të argumentit se përse ndodh kjo gjë, befas shtangesh : për herë të parë në disa Tekste ndeshemi me procesin ku Lexuesi bëhet pjesë e shkrimit të Poezive. ( Këtu besoj nis dhe kapërcimi i parë i Atit krijues). Do të duhej ndoshta sigurisht më shumë studim e analizë krahasuese e Teksteve të të dy autorëve, Aleksandër e Lefter Çipa, po le të ndalemi shkurt tek Teksti i Poezisë, Tim eti. Një Tekst që të ngjeth e përvëlon për nga ndjenjat e dashuria, për nga metaforat, tingujt e ngjyrat e fjalëve. Po pavarësisht kësaj “besnikërie”, në nënshtresë të saj, ndjehet qartazi kapërcimi i Atit krijues, jo thjesht si koncept Edipi, por si process krijues, si art bashkëkohor. “Do të bëhesh lule-ëndër/ dhe për ne të mbetesh fe… thotë i biri, dhe përnjiherë sepse më vjen ndërmend Homeri, Shekspiri, Frojdi. Megjithë dashurinë natyrale të të birit adhurues, e brendafshehur është klithma e bukur “vrasëse” e artistit të ri : ik, ik tani Ati im krijues, është koha ime poetike! Do të duhen diskurse të gjatë polemikash e diskutimi mbi këtë temë, por fare çiltër mund të them se tek ky vëllim herë jam dyshues e herë bindem se A. Çipa po e kapërcen Atin e tij krijues.

Poezi si Identitet.

Duke lexuar e udhëtuar shumë, ne e bëjmë më të lehtë dhimbjen … e doemos e vizatojmë më qartë identitetin tonë. Diku e kam hasur këtë fjali dhe e kisha shënuar me emërtimin; Thesar. Për një rastësi fatlume, Aleksandër Çipa i ka të dy këto dimensione me tepri. Në Institucionin familjar Çipa gjen gjithçka, që nga gjëegjëzat, këngëzat, kangjellet, rrëfenjat, historitë, vajet, baladat, fabulat, vargjet, isot ende të pazbuluara e deri tek lirikat e poezitë antologjike të Atit krijues e pjesëtarëve të tjerë të oxhakut. Kaq e vërtetë është kjo, saqë herë – herë të ngjan se atje në Saraje të Çipajve në Pilur nuk janë thjesht disa banesa, por një Institut Kulturologjik Shqiptar, që Identitetin e Tiopologjinë i kanë gjëra të shenjta po aq sa dhe perënditë. Dimensioni i dytë është ai i gazetarit,që ka bredhur jo anëekënd Shqipërisë, por në gjithë Ballkanin e më gjerë. Kësisoj rregjistri i përjetimeve, ngjarjeve, amaneteve, fotografimeve, mbresave, shënimeve, dashurive të reja e të humbura, i lotëve e dhimbjeve është i gjerë sa deti. Eshtë krijuar tek Poeti e gjithë mundësia e ç’mitizimeve, e përthekimit të fjalës deri në pikën e zhdukjes, duke i marrë gjendjet e materiet poetike, pa bujë, pa ndonjë rezistencë. Nga ana tjetër, në kohën kur e gjithë bota e artit është në prag ose ka hyrë në një hapësirë të re, që ka të bëjë me teknologjinë digitale dhe mediat e reja sociale që tash janë pjesë e jetës publike, Poezia e Aleksandër Çipës ka mbi shpinë “damkën” e Identitetit prej nga ka buruar. Nëse post-kultura ka shkatërruar mitin që humanizon qenien njerëzore, në Poezitë më të arrira të vëllimit, Njeriu ( i nënkuptuar, i pashfaqur) është syri dhe ajri, është veprimi dhe ndjeshmëria, është raporti i lirisë me humbjen, lëvizja dhe utopia, pavarësisht mrekullive të teknologjisë. Kjo për shkak të Identitetit të Poezisë. Sepse Poezia është para së gjithash Identitet. Le të sjellim ndërmend Poezinë “Plaku i Pilurit dhe izraeliti i Dhërmiut” që si thotë autori,

“vërsnikë si bëri mosha, por gjesti

me epitafe parashkruar në gjallje

e bardhë në atë gri misteresh…”.

 

I vendosur të refuzojë, riprezantojë si jetë shtihane përjetimet e tij, në funksion të ndërtimit të Identitetit, autori është si një demiurg gjakftohtë në përdorimin e fjalës. Përdorimin e saj nuk e vlerëson thjesht si mbështetëse të imazhit, por bosht të ndërgjegjes identitare, funksion dhe “ëndërr të ftohtë”, në struktura të mirëmenduara e të hapura. E vërteta artistike mban një peshë aq të rëndë saqë nuk mund ta imitojë as edhe gënjeshtra më e përsosur. Le të shohim poezinë

“Një copë e Atdheut të Absurdit”.

Nuk di pse të paarritshmet

shpesh janë të braktisshme Dhe po kaq dendur të pamundshmet

bëhen mundësi të shpërfillura…

Kjo Poezi që ngjan disi me joshjen e këngës së sirenave, mund të cilësohet destruktive në strofën e parë, pasi ngujon qënien njerëzore në haresë, në rehati intelektuale, duke e shfragmentarizuar nga mundësitë e kërkimit e krijimit. Në strofën e dytën e në vargun e fundit këmbanë,

Nëse imazhi i visit të absurdit

ju duhet

Kam një hise gjithë ngjyra dhe forma

në atdheun tim…

Vlen shumë

sa imazhi ju ndihmon për pasardhësit…

 

Dhurohet bujarësisht i gjithë horizonti i natyrës njerëzore prej Lakuriqësisë deri tek Liria. Qënia njerëzore ka gjithnjë nevojë për Natyrën dhe Lirinë e saj të plotë, ndaj autori dhuron një hise gjithë ngjyra e forma të atdheut të tij, d.m.th Identitetit, të atdheut të poezisë që krijon.

Deti – Atdheu i Poezisë së përjetshme.

Në të 11 poezitë e ciklit DETI NUK KA PORTË, njëra më e bukur dhe e pangjashme me tjetrën, shtrihet i gjithë Atdheu poetik i Aleksandër Çipës. Ndalem vetëm tek poezia “Më tha një gur” (sipas ngasjes nga Ali Podrimja). Më tha një gur në Akrokeraune:

 

Njerzit dhe vetëtimat nuk janë kujtesa ime!

As deti nuk ka histori për dallgët e veta

Më tha guri shkëmb – në mallet e Vetëtimës….

Më thotë ai gur kur iki larg;

Do të lagem dot si rëra e të djeg si zalli?

Se detin era e madhe e tund,jo nga thellësia po nga dallga përmbi

Dhe pastaj lëvizjet …janë histori , pavarësisht nga njerzit e vetëtimat…

Më thotë ai gur në male të Vetëtimës…

 

Tek kjo poezi janë : emri që vjen prej antikitetit, zotat, mitet, bëmat e heronjve, historia, guri, mali, dëshira e paplotësuar, ëndra, lufta, vdekjet, thellësitë, mallet, dallgët, bukuria, lulet, shtegëtimet, përrallat, magjitë, këngët, amanetet, porositë, kujet, gjithçka. Ky është Atdheu poetik, ndërsa shtegëtimet e poetit kanë për Atlas gjithë botën. Deti për Poezinë e Çipës është një pikë referimi, është pikënisja prej ku nga nis këndvështrimi mbi ngjarjen, dëshirën, ëndrën, botën, kozmosin. Të nënkuptuara pas kësaj, apo ato që na vijnë ndërmend gjatë leximit të poezive vëllimit janë shumë e shumë më tepër se sa kaq. Të gjitha identitetet e tjera lindin, ndryshojnë e kombinohen pikërisht me pikënisje – detin, thellësinë prej nga ku burojnë metaforat, imazhet, idetë, lëvizjet, të pathënat, ndryshimet. Për Atdheun e tij poetic – Detin, Çipa na paralajmëron që në poezinë hapëse të vëllimit “Nën tjerrje resh” një poezi gati kozmike, e thurur me vargje antologjike

“Në furkën e maleve një shtëllungë resh

u pleks me diellin e fortë që shndrit…

” mu atje në fronin e parajsës në Pilur, nga ku mund ta prekësh me pëllëmbë të dorës edhe qiellin edhe detin.

Tek Atdheu – Poetik Det nis edhe një poezi për Kurorën në vjeshtë të pemës, Për ditën e Nxehtë, Shiun në Prizren, dashuia e papërmbushur kur shkon etj, etj.

 

Veçori e ndërtimit strukturor dhe stilit.

Poezitë e vëllimit DETI NUK KA PORTË të Aleksandër Çipës, në rastet më të mira janë poezi atipike, në raport të krahasuar me Poezi të letërsisë shqipe të traditës apo dhe të dy dekadave të fundit. Struktura e tyre i ka ikur traditës si ndërtim, si ritëm, metrikë dhe sidomos si frymë. Po ato lexohen me dëshirë, madje me një ndjenjë kënaqësie që të mban peshë si pupël të lehtë. Nuk mund ta dish saktësisht se çfarë i bën ato të tilla, por ndër lexime ndjehen të freskëta jehonat e ligjërimeve, polifonive, rrëfenjave, gjetheve, ujrave, burimeve të nëndheshme të shqipes prej De Radës e deri tek Naimi e Ali Asllani, prej Neço Mukës te Katina e Pilurit, Vajza e valëve e bëmat e piratëve, prej Petro Markos te Fatos Arapi, prej Ali Podrimjes e deri Agolli e Kadareja, ndërkohë që e gjithë jehona e poezisë më të mirë botërore është e tretur hijshëm në poret e trupit të saj. Poezia :

Prit thotë natyra, na spjegon një pjesë të këtij konstatimi. Prit më tha deti, se të gjitha pritjet

kanë pikë takimi me mua prej ujit

unë heshta ndanë tij, i përkohshëm, i frymtë

e di që durimi rron e vdes prej unit…

 

Shikoni çfarë drite, çfarë thellësie e mbi të gjitha horizontin që të shpërfaqin këto vargje…! Hapësira brenda tyre është e pamatë, po ashtu dhe liria, imagjinata e përfytyrimi. Në të vërtetë, ky është stili i krijuar prej A. Çipës, që e bën atë të dallueshëm e të përveçëm në raport krahasues nga të tjerët. Do të duhen studime më të thelluara e të plota për veçoritë e ndërtimit strukturor të poezive të këtij vëllimi të cilat kanë nevojë të kalojnë në prizmet e estetikës bashkëkohore, të krahasohen e të nxirren përfundime sa më objective. Stili, së bashku me gjuhën e përzgjedhur (pasi lindim e vdesim tek gjuha), qëmtuar me dashuri, shije, e frekuencë semantike shumëdimensionale përbëjnë ndër veçoritë e spikatura të vëllimit.

Në fund të këtyre shënimeve modeste për vëllimin DETI NUK KA PORTË të Aleksandër Çipës, do të dëshiroja t’ju jepja një këshillë të gjithë atyre që e shijojnë Poezinë, të rrinjve, studentëve dhe sidomos mësuesve pasionantë të letërsisë; sapo ka mbërritur një Poezi e re, një Tekst që duhet t’ju mrekullojë. Mos rrini indiferentë!

sample-ad

Facebook Comments

POST A COMMENT.

3 + 2 =