Masakra e 4 shkurtit dhe pasojat e saj në marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri

Editorial
43
0
sample-ad

Mehmet Kraja

Kjo ngjarje tragjike mori konotacionin e luftës civile ndërmjet shqiptarëve të bashkuar në një shtet dhe për shumë kohë u shfrytëzua nga propaganda komuniste për të ngjallur ndjenja antikosovare në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë. Sa herë që flitet për funksionimin e të ashtuquajturës Shqipëri e etnike, referencë kryesore merret Kosova dhe aspiratat e saj për të jetuar në një shtet kombëtar, ndërkohë që lihet disi në heshtje vullneti politik i asaj pjese të botës shqiptare, që ndryshe quhet Shqipëri londineze. Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe më vonë, gjatë periudhës së hershme të konsolidimit të shtetit shqiptar, një pjesë e njerëzve në Shqipëri, patriotë dhe nacionalistë të ndryshëm, u ndien emocionalisht të lënduar rreth Kosovës, por politikat e shtetit synuan të bëheshin racionale dhe të dimensionoheshin në varshmëri me interesat e tij.

Pas vitit 1941, ndërkaq, deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, kuptimi i shtetit shqiptar zgjerohet edhe për shkakun se pjesa më e madhe e Kosovës përfshihet në kuadër të këtij shteti, sikundër edhe për faktin se shteti amë, pra Shqipëria, merr rolin integrues dhe emancipues për pjesën tjetër të kombit, i cili, për shkak të rrethanave historike, ka nevoja specifike në raport me Shqipërinë. Nën ombrellën nazifashiste këtë rol Shqipëria e luan me shumë sukses dhe, për njëfarë kohe, nuk bëhen të ditur shenja të raporteve të acaruara ndërmjet veriut dhe jugut, toskëve dhe gegëve, apo Kosovës dhe Shqipërisë. Përkundrazi. Përveç idilit kombëtar, në këto vite marrin hov edhe format e tjera të integrimit.

Mirëpo, edhe përkundër kësaj atmosfere deri-diku produktive në raportet Kosovë-Shqipëri, erdh një çast kur ky idil do të përmbyset në një mënyrë mjaft të vrazhdët, duke lënë prapa një shije të keqe për vite dhe dekada me radhë. Atë që mund të thuhet se Xhafer Deva e paskësh bërë si veprim pozitiv me mbështetjen që i paskësh dhënë idesë së bashkimit kombëtar, sikundër edhe me veprimet konkrete për ta bërë funksionale këtë ide, më anë tjetër, po kaq negativ mund të quhet veprimi i tij në fillim të shkurt të vitit 1944, kur, për hakmarrje personale, kapitullit të marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri ia shtoi një rast tragjik, që do të dominojë këto marrëdhënie për dekada me radhë dhe do të flasë, në mënyrë të tërthortë, edhe për të ardhmen e tyre. Faktet tashmë kanë dëshmuar se masakra e 4 shkurtit e vitit 1944 në Tiranë nuk ka pasur përmasa të tilla, çfarë i është dhënë nga komunistët që erdhën në pushtet pak më vonë dhe se kjo masakër nuk kishte kuptimin e një “konflikti shqiptaro-kosovar”, ose të një mllefi të nacionalistëve të frustruar kosovarë kundër Tiranës komuniste.

Masakra ishte një qërim hesapesh, ose ndeshje ndërmjet pushtetit kuisling dhe ilegales komuniste të Tiranës, e menaxhuar keq nga aktori kryesor i saj, Xhafer Deva. Por duhet vërejtur se rrethanë më fatkeqe e kësaj situate ishte fakti se pushtetin kuisling e përfaqësonin kosovarët, në rastin konkret kryeministri Rexhep Mitrovica, ministri i Brendshëm, Xhafer Deva, dhe mercenarët apo sejmenët e tij kryesisht kosovarë. Më anë tjetër, të vrarët dhe të burgosurit në mbrëmjen e 4 shkurtit 1944, pavarësisht në ishin komunistë ose jo, shumica ishin banorë të Tiranës, fakt ky që e lëndoi së tepërmi kryeqytetin dhe nxiti një valë të paparë antikosovarizmi në Shqipëri.

Është e ditur se komunistët e Shqipërisë, të cilët më pas erdhën në pushtet, këtë rrethanë fatkeqe e shfrytëzuan për qëllimet e tyre propagandistike. Ata manipuluan shumë fakte rreth kësaj ngjarjeje, përfshirë edhe numrin e të vrarëve dhe të burgosurve. Dokumentet e kohës tregojnë se numri i të vrarëve ishte shumë më i vogël nga 80-104, sa thuhej nga propaganda komuniste; se të vrarët nuk ishin të gjithë shqiptarë dhe se disa që i konsideruan si të vrarë më atë datë, nuk u identifikuan ndonjëherë. Kështu, burimet e kohës thonë se numri i tërësishëm ishte gjithsej 44, prej të cilëve 23 u identifikuan me emra dhe mbiemra si shqiptarë, 4 u identifikuan si të kombësisë italiane, 4 të kombësisë malazeze, 1 i kombësisë jugosllave, 6 të identifikuar si punëtorë, por pa emra dhe 6 të tjerë të paidentifikuar.

Këto të dhëna janë botuar në gazetën “Bashkimi” një vit pas masakrës dhe aty u bëhet thirrje banorëve të Tiranës që të paraqesin rastet e të vrarëve në këtë masakër, gjë që bën të ditur se as numri dhe as emrat e të vrarëve, edhe një vit pas masakrës, nuk ishin plotësisht të njohur. Gjithashtu është interesant fakti se shoqatat antifashiste të Shqipërisë, të cilat me rastin e 65-vjetorit të masakrës së 4 shkurtit i dërgojnë një promemorie Këshillit Bashkiak të Tiranës për të ndërtuar një monument në përkujtim të viktimave nuk janë në gjendje të nxjerrin më shumë se 30 emra të të vrarëve me këtë rast. Ndërkaq, kombësia e të vrarëve është mjaft heterogjene për rrethanat e Shqipërisë së asaj kohe. Derisa 4 italianët mund të ishin nga kontingjenti i të “harruarve” në Shqipëri pas kapitullimit të Italisë, ndërsa tani të përfshirë në lëvizjen komuniste, më anë tjetër del krejtësisht e paqartë prania e 4 malazezve, përfshirë këtu edhe një “jugosllav”, i cili, sipas gjasës, ishte hebre (David Kohen).

Sido që të ketë ndodhur, një gjë është e sigurt: përgjegjës i drejtpërdrejtë i vrasjes së këtyre njerëzve (pavarësisht numrit) ka qenë Xhafer Deva dhe në raportet Kosovë-Shqipëri ka lënë një plagë të hapur, e cila rregullisht është apostrofuar qoftë nga regjimi komunist, qoftë nga banorët e Tiranës. Pavarësisht se nuk u quajt përgjegjës për këtë masakër vetëm Xhafer Deva “me kosovarët e tij mercenarë”, sepse aty ishte edhe kryeministri i qeverisë kuislinge Rexhep Mitrovica, pastaj komandanti i përgjithshëm i xhandarmerisë, Hysni Dema, komandanti i forcave të Ballit Kombëtar, Kadri Cakrani, prefekti i Tiranës, Qazim Mulleti, përgjegjësia doemos që do të bjerë pikërisht mbi të, në radhë të parë, sepse ai ishte ministër i Brendshëm dhe, e dyta, sepse vrasjet dhe burgosjet masive morën shkas nga një atentat që u bë mbi nipin e Xhafer Devës, Fahri Ibrahimin.

Sikundër do të dëshmojë Isuf Deva, një tjetër nip dhe sekretar personal i Xhafer Devës (ai u arrestua nga jugosllavët në Zagreb në qershor të vitit 1945, iu dorëzua palës shqiptare dhe pas një procesi gjyqësor u pushkatua), lista e të burgosurve dhe të vrarëve të 4 shkurtit kishte dalë nga dosjet e Xhafer Devës. Duket se edhe një fakt tjetër e ka irrituar keq Xhafer Devën: atentati mbi nipin e tij ishte bërë para hotel “Dajtit”, ndërsa ai kishte dalë nga makina ministrore, pra nga makina e Xhafer Devës, që domethënë se atentati mund të ishte planifikuar të bëhej mbi vetë ministrin e Brendshëm. Por, mbi të gjitha, Xhafer Deva me këtë rast nuk manifeston cilësi pushtetari të vërtetë, sepse masakrën mbi qytetarët e Tiranës, sado që shumica syresh mund të kishin qenë komunistë, e motivon me një hakmarrje krejt personale.

Më anë tjetër, Xhafer Deva nuk shfaqet i kujdesshëm në frenimin dhe përmbajtjen e bashibozukëve të tij kosovarë, të cilët duket se marrin shkas nga ky atentat të shfryjnë mllefe të vjetra mbi banorët e Tiranës, duke vrarë, duke burgosur dhe keqtrajtuar me këtë rast edhe persona që nuk kishin asnjë lidhje më lëvizjen komuniste. Madje ai shfaqet i frustruar në një komunikatë të botuar te gazeta “Bashkimi i Kombit” po më 4 shkurt 1944: “Gjaku don gjak! Terrori kërkon terror!… Shteti shqiptar mund t’i kalojë këto faza kritike vetëm duke përdorur shpatën… Terror kundër terroristëve, terror kundër anarkistëve, terror kundër nacionalçlirimtares, terror kundër simpatizantëve të saj”.

Kjo situatë bëhet më e ngarkuar edhe për shkak të një rrethane tjetër: Kryeministri i qeverisë kuislinge të Shqipërisë dhe ministri i Brendshëm, Rexhep Mitrovica dhe Xhafer Deva, pra dy njerëzit më të fuqishëm të asaj Shqipërie që do të duhej të shërbente si model i një bashkimi të mundshëm të shqiptarëve në një shtet, janë kosovarë, që domethënë se në këtë rast ndodh një lloj “pushtimi” kosovar i Shqipërisë. Ky pushtim i dytë i Shqipërisë (sepse pushtimi i parë ishte gjerman), hipotetik ose real, bëhet pikërisht nga Xhafer Deva, i cili e ushtronte pushtetin e tij jo përmes strukturave legale të pushtetit, por kryesisht përmes mercenarëve kosovarë dhe bandave që i shkonin prapa (rreth 1500 veta, sipas burimeve gjermane).

Nën një pushtet të këtillë Tirana qytetare nuk do të jetë ndjerë aq mirë dhe prandaj masakra e 4 shkurtit do të marrë edhe konotacionin e luftës civile ndërmjet shqiptarëve të bashkuar në një shtet. Këtë fakt do ta shfrytëzojnë për interesa të tyre edhe komunistët e Shqipërisë, por edhe antikosovarët në përgjithësi, sikundër edhe të gjithë ata që në Shqipëri nuk e përkrahin idenë e një shteti të përbashkët me Kosovën. Shija e keqe e kësaj ngjarjeje, përfshirë edhe epilogun e saj tragjik, do të idhtësojë për një kohë të gjatë raportet Kosovë-Shqipëri dhe do ta sjellë në vëmendje të Shqipërisë drojën ose skepticizmin se një bashkim i mundshëm i shqiptarëve në një shtet mund të shoqërohet edhe me episode çfarë ishte edhe masakra e 4 shkurtit të vitit 1944.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

one × 2 =