Korrupsioni dhe gjysma e “padukshme” e mëkatit të Drejtësisë!

Opinion
81
0
sample-ad

ILIR ÇUMANI 

Transparency International” në raportin e saj vjetor mbi shkallën e korrupsionit në botë e ka renditur Shqipërinë në vendin e 99–të, ndryshe nga një vit më parë kur ajo ishte radhitur në vendin e 91-të. Ky raport ka përfshirë 180 vende të botës dhe ka përdorur një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku shifra zero tregon për një vend shumë të korruptuar. Në fakt, korrupsioni është një plagë e rëndë sociale i cili shtrihet në formë kapilare dhe shfaqet me rrënjë të thella në çdo sistem, veçanërisht në sistemet me demokraci të brishta. Arsyeja përse është i vështirë për t’u goditur me efikasitet të plotë, qoftë edhe me mjete të sofistikuara që zotërojnë sot agjencitë ligjzbatuese është fakti se në të përfshihet një masë e madhe individësh, që ushtrojnë paligjshmërinë e tyre. Në tipologjinë klasike të ekzistencës së këtij fenomeni mjaft shqetësues, të parët që përfshihen në të, janë individët e pushtetshëm, që zotërojnë funksione kyçe të ekonomisë publike jo vetëm përmes pushtetit politik, por edhe përmes pushtetit të parasë. Të ndier të “pushtetshëm” e të “paprekshëm”, ata kurajohen e guxojnë të shkelin në sinoret e paligjshmërisë, shpërdorojnë detyrën, keqpërdorin besimin e publikut në mënyrë tepër të zgjuar dhe të rafinuar, duke rekrutuar një numër të konsiderueshëm bashkëpunëtorësh “besnikë” në tërë zinxhirin korruptiv të administratës, ku ndërveprojnë. Të gjitha hallkat e zinxhirit që e mbajnë të sigurt rrjetën e tjerrë të korrupsionit, këtij sistemi të kalbur e të rrezikshëm për çdo ekonomi, janë aq shumë të koklavitura e të lidhura fort në mënyrë kapilare, saqë ngjajnë të sigurta e të pazgjidhshme me njëra-tjetrën. Duket gati e pamundur t’i zgjidhësh ato nyje me fije të dukshme e të padukshme që përdoren për ta mbajtur sa më vital, veprues dhe aktiv këtë fenomen të krimit modern. Gjykoj se fenomeni i korrupsionit në vendin tonë e ka një kod mjaft të heshtur. Atë e ndeshim rëndom në mentalitetin konservator të një mjedisi si ky i yni, për shkak të pamjaftueshmërisë të mekanizmave gjithëpërfshirës të ndërgjegjësimit dhe reagimit qytetar. Një tjetër kategori shoqërore është ajo kategori indiferente, që i konsideron individët e përfshirë në korrupsion si njerëz të “zotë”, të “shkathët”, “të kohës”, të cilët janë të aftë të bëjnë atë që shumica e shoqërisë nuk e bën dhe nuk mundet ta bëjë dot. Modeli i përfitimit përmes abuzimit, duke u pasuruar lehtë dhe në një kohë të shkurtër është ai më tunduesi, më joshësi, që ndodh shpesh tek ajo kategori njerëzish që kurajohen dhe guxojnë të shkelin në terrenin e “minuar” të antiligjit. Këtu shfaqet ai dyzim, që i ndan dhe i pozicionon në anë të kundërta dy kategoritë e shoqërisë: ata që i kundërvihen dhe ata që nuk i kundërvihen ligjit. “Të jesh” apo të “mos jesh”, “të bëhesh” apo të “mos bëhesh”, është dilema që ndesh një tjetër kategori e individëve të lëkundur, të dobët në karakter, të ndikuar nga nevojat dhe rrethanat e pafavorshme social-ekonomike, të cilët, përfshihen lehtësisht në korrupsion. Padyshim, armiqtë më të mëdhenj të korrupsionit, sidomos në periudhat e zgjatura tranzitore dhe në kushtet e mosfunksionimit të plotë të ligjit, ka qenë dhe mbetet mungesa e dhënies së drejtësisë. Në veçanti, kur ligji kapet peng nga ushtruesit dhe zaptuesit e tij. Fatkeqësisht, në këto 28 vjet, u vërtetua që pushteti gjyqësor dhe ai i Prokurorisë instaloi në emër të DREJTËSISË sistemin e PADREJTËSISË. Por, e gjitha kjo, nuk mund të mendohet se funksionon në tërësi, pa marrë parasysh edhe një sektor tjetër po aq problematik siç është pjesa e korruptuar e trupës avokatore, gjysma e “padukshme” e mëkatit të së tërës pjesë e kriminalizuar e sistemit tonë të drejtësisë. Tashmë që vetingu ka hyrë në një proces të pashmangshëm dhe po kalon në filtër çdo profesionist që shërben në sistemin e drejtësisë, do të gaboheshim rëndë nëse do të gjykonim se ky do të ishte shpëtimi nga e keqja e madhe po të mos kemi parasysh edhe rëndësinë që ka vetingimi i gjysmës tjetër të “padukshme”, po aq e rëndësishme siç është shërbimi i avokatisë, pala kundërshtare që përballet me Prokurorinë dhe Gjykatën në mbrojtje të të akuzuarve. Askush nuk duhet të mendojë se, të gjitha zullumet dhe mëkatet e kryera për afro tre dekada në sistemin e drejtësisë kanë ardhur si pasojë vetëm e asaj pjese të dukshme të trupës së hetimit dhe gjyqësorit. Kjo do të ishte e pamundur pa bashkëpunimin e ngushtë të gjysmës tjetër të “padukshme” edhe më e korruptuar, edhe më e kriminalizuar e një pjese të pamoralshme të trupës avokatore, e cila, për hir të së vërtetës, mund të konsiderohet si një “arterie” mjaft e rëndësishme për mbarëvajtjen e një procesi të drejtë dhe të paanshëm për zbardhjen e së vërtetës në dhënien e drejtësisë. Në fakt, përvoja ka treguar se shembujt janë tepër tronditës. Shifrat janë të frikshme kur konstaton se në tre dekadat e fundit janë gjykuar qindra e mijëra çështje, për të cilat, njerëz të botës së krimit i kanë shpëtuar paq marrjes së dënimit të merituar për vepra të ndryshme penale. Nga ana tjetër, shumë qytetarë të pafajshëm janë viktimizuar, duke iu mohuar dhënien e drejtësisë, në këmbim të pazareve me ryshfete të majme përmes marrëdhënieve okulte dhe bashkëpunimit korruptiv prokuror–avokat–gjyqtar. Kohët e fundit, dy avokatë të Dhomës së Avokatisë në Tiranë, B.B dhe E.S, në mënyrë abuzive u përfshinë në një proces civil të korruptuar përmes dokumenteve të falsifikuara nga klienti i tyre K.A. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata i paraqitën Gjykatës së Tiranës të dhëna të rreme përmes dy padive të sajuara. Qëllimi i këtij veprimi të paligjshëm synonte që, së bashku me klientin e tyre falsifikator, të përfitonin në mënyrë abuzive dhe të pandershme një shumë të konsiderueshme në vlerën e 50.000.000 lekëve. Pandershmëria dhe manipulimi i këtyre avokatëve e kalonte cakun e etikës profesionale, duke vepruar dhe manovruar me dy standarde në dy gjykata. Në Gjykatën e Shkallës së Parë, përmes shkresës së aktpadisë, ata nuk kishin pranuar të publikonin logon e studios që administronte B.B, me qëllim për të mos u identifikuar nga Gjykata për faktin se babai i tij A.B, dikur kishte punuar si gjyqtar në këtë Gjykatë. Mirëpo, pasi Gjykata u shpreh me vendim dhe e rrëzoi padinë e sajuar prej tyre si të pambështetur në prova dhe në ligj, biri–avokat, B.B, “vrapon” në Gjykatën e Apelit ku punon aktualisht babai i tij gjyqtar, A.B, me shpresën e vetme se çështjen që kishte humbur në Gjykatën e Shkallës së Parë të mund ta “fitonte” në Apel, në “gjykatën” e babait. Për t’ia arritur këtij qëllimi, biri–avokat, B.B, përdori në Gjykatën e Apelit (ku punon babai i tij gjyqtar A.B), një metodë të ndryshme nga praktika që ndoqi në Gjykatën e Shkallës së Parë. Në krye të kërkesës ankimore, në mënyrë të dukshme, ai kishte evidentuar logon e studios avokatore që administron, me qëllim që çështja që përfaqësonte të binte në sy të kolegëve të babait– gjyqtar, me anë të së cilës të mund të luante me trafikun e influencës, duke ndikuar në vendimmarrjen e trupës gjyqësore, në favor të çështjes që përfaqësonte me dokumente të falsifikuara dhe me të dhëna të rreme, (kjo e fundit, është një vepër penale e dënueshme e parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal). Ky pra është edhe “kodi” i komunikimit i një rasti flagrant korruptiv në një marrëdhënie okulte bir–avokat dhe baba–gjyqtar brenda gjykatave tona. E solla këtë rast për të theksuar faktin se, janë disa palo “avokatë”–sekserë që kanë pushtuar tregun inflacionist të shërbimeve publike me të ashtuquajtura “studio avokatore”, të cilat janë kthyer në “kuzhina”, ku gatuhet lënda e parë e korrupsionit për gjykatat tona. Përmes modelit korruptiv të “gjykatave familjare”: baba–gjyqtar, bir-avokat, baba–prokuror, bijë–përthyese, është ndërtuar një ngrehinë e frikshme e korrupsionit, ku të gjithë së bashku, marrin dhe japin në një marrëdhënie okulte, duke i degraduar institucionet e drejtësisë në një sistem të (pa)drejtësisë, në një katrahurë që nuk e merr vesh i pari të dytin. Procesi i vetingut ende vazhdon dhe deri tani ka nxjerrë zbuluar një pjesë të konsiderueshme të trupës gjyqësore dhe të prokurorëve, të cilët nuk i plotësonin kriteret e profesionalizmit, atë të justifikimit të pasurisë dhe të integritetit moral. Por, a mundet të mendohet se e gjithë kjo katrahurë ka ardhur vetëm si pasojë e mëkateve të kësaj pjese me gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar e të paaftë, që procesi i vetingut i kapi gafil, duke lënë mënjanë “infrastrukturën” dhe “lëndën e parë” të këtij sistemi, pra, shërbimin e avokatisë…!? A lypset veting edhe për edhe për këta “kuzhinierë” të (pa)drejtësisë që kanë ngritur dhe e mbajnë gjallë të gjithë skemën e korrupsionit në drejtësi, në kurriz të qytetarëve të pafajshëm për afro tre dekada…!? Ligji i vetingut, doemos, duhet të nxjerrë jashtë sistemit të drejtësisë jo vetëm atë pjesë të trupës gjyqësore të korruptuar, por edhe atë kontigjent kriminal pseudoavokatësh, manipulatorë e falsifikatorë, të cilët, me paratë e krimit dhe të korrupsionit, janë zhytur në luks, pispillosen e kapardisen me veshje firmato, me makina dhe banesa super të shtrenjta. Disa syresh, edhe pse buzët i kanë ende me qumësht dhe mjekrën me push, zotërojnë sot studio superluksoze në qendër të Tiranës, dhjetëra numra llogarie bankare në lekë e valutë, dhjetëra tituj pronësie të luajtshme dhe të paluajtshme, saraje me pasuri të frikshme që, në fakt, një avokat karriere i moshës 80-vjeçare me mjekër në Gjermani, në SHBA, në Kanada apo në Zvicër, do t’i kishte zili këta “psedoavokatë”–axhami. Padyshim, të gjitha këto i kanë realizuar në kushtet e një evazioni fiskal dhe këtu ka vend të ndërmerret një hetim i thelluar nga institucionet ligjzbatuese. Nga ana tjetër, për të qenë të drejtë, duke mos e përgjithësuar të gjithë atë armatë gjyqtarësh, prokurorësh, noterësh dhe avokatësh profesionistë të zotë, të cilët kanë treguar gjatë karrierës së tyre integritet të lartë profesional e moral, pa pasur asnjë lidhje me pjesën tjetër paçavure, këta të fundit do t’i konsideroja pa asnjë rezervë një rrezik potencial për gjithë sistemin e drejtësisë. Së fundmi, gjykoj se “vetingu”, nuk mund të mos përfshijë edhe shërbimin e avokatisë, që ka një peshë jo të vogël në fenomenin e korrupsionit në sistemin e drejtësisë, përmes të cilit, nga pjesa e korruptuar e saj, komprometohen gjyqtarë e prokurorë. Pa vetingimin e shërbimit të avokatisë, reforma e nisur nuk do të ketë gjasa që të kryejë përfundimisht misionin e nisur për të reformuar dhe modernizuar realisht të gjithë sistemin e drejtësisë…!

Facebook Comments

POST A COMMENT.

17 + 4 =