Të ndarë apo të njëzëshëm

Editorial
62
0
sample-ad

LEONIDHA MËRTIRI 

Takimi i kohëve të fundit me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, ngërtheu në konture të përgjithshme ecurinë në rrugën e dialogut Kosovë–Serbi, pas ngrirjes së tij. Kurse Serbia, nga ana e saj, vazhdon të këmbëngulë që shkrirja e dialogut duhet të paraprihet apo të bashkëshoqërohet qysh në fillim me heqjen e taksës nga pala kosovare për mallrat serbe. Ndërkohë, a do të jetë epilogu i këtij dialogu njohja e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë?

Së pari, le t’i referohemi takimit, edhe pse kanë kaluar ditë, për të dalë gjetkë. Delegacioni i Kosovës në bisedimet e Brukselit përfaqësoi Kosovën në tërësi, shtetin e saj. Por, mospërfshirja në këtë dialog e opozitës, Lidhjes Demokratike, Vetëvendosjes etj., lë shumë pikëpyetje. Të mos harrojmë. Muaj të tërë rrodhën me debatin e kotë, se cilët do të jenë negociatorët nga pala kosovare. Sikurse shihet, gjë që na ndodh jo rrallë ne shqiptarëve, bashkëpunimi me njëri-tjetrin mbetet peng i kapriçiove të njërës apo tjetrës forcë politike, paçka se bëhet fjalë për çështje madhore. Për ish-kreun e grupit negociator me Serbinë, Edita Tahiri, mospërfshirja e partive opozitare, LDK dhe Vetëvendosje, e bën ekipin për dialogim me palën serbe jo vetëm jolegjitim, por edhe pa përgatitjen e nevojshme dhe të një platforme jo të qartë. Ndërkohë, krahu, që, edhe pse nuk e kundërshton dialogun, shfaqet më patriot përballë maskaradës, siç e etiketojnë, për ribërjen e shtetit të Kosovës. Dhe zgjidhja pas kësaj gjendet te pretendimi i njohur, në krijimin e një qeverie uniteti. Krijohet kështu me të drejtë përshtypja që, halli qenka ndryshe, teksa hedhje-pritjet vazhdojnë sa nga njëra palë te tjetra. Mllefi fillon e bëhet kacek, mbuluar sakaq me cohë patriotizmi, e një patriotizmi demode.

Të ndalemi në atë çka përmendëm në fillim të shkrimit dhe që gjatë këtyre ditëve po flitet më shumë, në taksën për mallrat serbe. Përballë qëndrimeve të drejtuesve kosovarë, është rritur më tej interesimi nga SHBA dhe Brukseli për heqjen e saj. Përsëri nga udhëheqja kosovare nuk po shkohet për këtë në një qëndrim të njësuar, madje, as brendapërbrenda koalicionit qeverisës, Partisë Demokratike të Thaçit dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të Haradinajt. Nga njëra anë, Ramush Haradinaj deklaron se taksa do të qëndrojë në fuqi deri në vitin 2022, ndërsa Hashim Thaçi pranon që Kosova duhet “të marrë parasysh heqjen e tarifave, si një ‘sakrificë’ për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë”. Ndërkohë, dje, Kryeministri Haradinaj, përmes një letre, drejtuar ambasadorëve të QUINT-it dhe atij të Bashkimit Europian në Prishtinë, bën të ditur kushtet për pezullimin e taksës njëqind për qind, vetëm pas garancisë së ndërkombëtarëve për nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

Pothuajse, e njëjta mungesë e njëzëshme vërehet dhe për të ashtuquajturin “korrigjim të kufijve”, megjithëse për këtë, gjërat janë më të qarta dhe përkrahësit në Kosovë, thjesht si një variant i mundshëm, i përkasin një minorance syresh të papërfillshme, sepse siç është e njohur lidhur me këtë, qëndrimet janë të ndara dhe te ndërkombëtarët. Ende nuk është e qartë se deri ku ky propozim mbështetet ose jo nga BE dhe SHBA, sepse nga sa jemi njohur, Berlini dhe Londra, zëra të fuqishëm në BE, i rrinë larg këtij qëndrimi, duke e identifikuar atë me hapjen e “kutisë së Pandorës” në Ballkanin Perëndimor. Sigurisht, brenda BE-së, kjo mund t’u interesojë pesë anëtarëve të saj, aleatë të dukshëm të Serbisë, të cilët nuk e kanë njohur Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur.

Qëndrime të tilla i japin zemër Beogradit, që Kosova të shkojë e ndarë në dialogun me të, madje, që kjo ndarje të thellohet më tej. Një investim ky jo i vogël për të, aq shumë i dëshiruar. Ndaj dhe përpiqet të përfitojë prej saj, me interesimin ngulmues për rihapjen e problemit të integritetit territorial të Kosovës. Edhe pse kjo duket tashmë një aspiratë e çuditshme, të cilën dhe pse vetë e kanë të qartë, i bëjnë asaj megjithatë, të gjitha shërbimet me tërë arsenalin diplomatik. Zyrtarët e lartë serbë, pavarësisht kushtit të BE-së për pranimin e Serbisë në familjen europiane pas njohjes së Kosovës, këmbëngulin sërish në atë, sipas së cilës, “nuk do të pajtohen me situatën që dikush do t’i detyrojë të njohin Kosovën-shtet”. Ofensiva serbe, sidomos në plan diplomatik, kundër Kosovës nuk e ul ritmin e vet përballë infantilitetit, siç dhe përmendëm, e të shfaqur jo rrallë tek udhëheqësit kosovarë me përmasa inferioriteti. Madje, sikurse dhe kohët e fundit, ajo bëhet dhe më histerike, teksa, habitshëm, roli i BEsë në këtë drejtim i ngjan më shumë atij të gjyqtarit të njëanshëm, me protagonizëm të zbehtë, pa kockë kurrizore, duke anuar më shumë nga Beogradi me indulgjencën e vet, të njohur tashmë. Fryt i kësaj ofensive është dhe tërheqja e ndonjë vendi, si Republika e Palauit, nga njohja e Kosovës, tetë vjet më parë. Çuditërisht, vazhdon ëndrra koloniale e tij(!) me epërsinë e marrë të një kombi me më shumë avantazhe nga të tjerët. Lajmet e rreme në dëm të Kosovës, për fat të keq, ndihmojnë më tej këtë ëndërr, që krerët e Beogradit të mos ndihen të lodhur me tërë mjetet e propagandës së tyre kundër Kosovës, si të ishte kjo një provincë e Serbisë.

Janë dhe këto arsyet, që duhet t’i bëjnë forcat politike, drejtuesit e Kosovës t’i thonë medoemos “mjaft” ndarjes midis tyre, për të qenë të njëzëshëm përballë sfidave që përmendëm, por dhe atyre që nuk duken.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

three + thirteen =