Zgjedhjet bashkiake si test

Opinion
66
0
sample-ad

KASTRIOT ÇIPI

Në botën e sotme, me rreth 200 shtete të pavarur, sistemet zgjedhore janë me dhjetëra. Ato mund të ndahen lehtë në tri grupe të mëdha: maxhoritare, proporcionale dhe të përziera, por e vërteta është se, mënyrat e votimit dhe ato të përllogaritjes së rezultatit ndryshojnë kaq shumë, sa nënvariantet e tyre janë me dhjetëra. Po cili është sistemi më i mirë zgjedhor? Kësaj pyetjeje zor se mund t’i përgjigjet dikush në mënyre shteruese. Të gjithë mund të biem dakord se sistemi duhet të garantojë një përkthim sa më të saktë të votës popullore në mandate. Thënë ndryshe, çdo parti duhet të marrë aq mandate në përqindje sa është edhe përqindja e votave të saj, kundrejt totalit të votave në atë njësi zgjedhore. Nëse ky do të ishte kriteri i vetëm, atëherë të gjithë do të binin dakord, që një sistem proporcional kombëtar (jo si proporcionali rajonal, që zbatojmë sot për zgjedhjet për Kuvendin) do të ishte më i miri. Por njerëzit duan edhe të kenë lidhje të fortë me deputetin që zgjedhin. Kriteri tjetër, gjithashtu i rëndësishëm, ai i llogaridhënies e humb disi vlerën nëse deputeti është votuar nga të gjithë në përgjithësi, por jo nga një bashkësi e caktuar njerëzish dhe ky është argumenti kryesor i mbështetësve të sistemit maxhoritar.

Këtu do të duhej një kompromis, si pikënisje për një përpjekje të përbashkët, për gjetjen (ose shpikjen) e sistemit më të mirë të mundshëm. Pra, të heqim dorë nga maxhoritari me një raund dhe proporcionali me lista të mbyllura, meqenëse shumica e demokracive perëndimore, me përjashtim të Mbretërisë së Bashkuar, nuk i aplikojnë. Duke qenë se vende të caktuara, përfshi edhe Shqipërinë, përdorin sisteme të ndryshme për zgjedhjet për pushtetin qendror nga ato për ndonjërin prej niveleve të pushtetit vendor (në shumicën e demokracive perëndimore ka më shumë se një nivel të pushtetit vendor), por edhe sepse në shumë demokraci perëndimore pushteti qendror, pra, parlamenti, është i përbërë nga dy dhoma, që shpesh zgjidhen me mënyra të ndryshme, në këtë shkrim do të ishte më e udhës të përqendrohemi te zgjedhjet e ardhshme bashkiake dhe sistemi zgjedhor i përdorur në to.

fleta

Pas pesë muajsh, ne do të votojmë për të zgjedhur kryetarët dhe këshilltarët e 61 bashkive dhe ende nuk janë miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Kjo do të thotë se, qysh tani Kuvendi është në shkelje të Kushtetutës, e cila parashikon që ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të bëhen jo më vonë se gjashtë muaj nga data e zgjedhjeve. PS fajëson për këtë bojkotin e opozitës, ndërsa opozita keqqeverisjen e PS-së. Opozita gjithashtu kërkon zgjedhje të parakohshme për Kuvendin, në të njëjtën datë me ato bashkiake, por ato meritojnë një diskutim të veçantë.

Në ndryshim nga zgjedhjet për Kuvendin, zgjedhjet bashkiake nuk kanë një përkufizim të qartë në Kushtetutë. Sistemi zgjedhor dhe modalitetet e tjera përcaktohen me Kod. Kjo do të thotë se sistemi zgjedhor i zbatuar për zgjedhjet bashkiake mund të ndryshohet, pa pasur nevojë për ndërhyrje në Kushtetutë.

Nga viti 1992, kur u zhvilluan të parat zgjedhje pluraliste për pushtetin vendor, kemi votuar për kandidatët për kryetar me sistem maxhoritar me dy raunde, ku fituesi duhej doemos të merrte jo më pak se 50% të totalit të votave. Ndërsa për këshilltarët, kemi votuar për partitë me sistem proporciona, me lista të mbyllura. Pra, kemi pasur mundësi të zgjedhim partinë, por jo këshilltarët. Pas vitit 2003, raundi i dytë, që ndryshe quhej balotazh u hoq dhe, qysh atëherë, kryetarët e bashkive dhe komunave zgjidhen me shumicë të thjeshtë. Ky ndryshim, ashtu si ndryshimet e sistemit zgjedhor për zgjedhjet për Kuvendin, të bëra me amendimet kushtetuese të vitit 2008, është një manovër e dy partive të mëdha për të zhvlerësuar votat e partive të tjera.

Një tjetër tendencë e 10 viteve të fundit është eliminimi i niveleve të pushtetit vendor dhe fuqizimi i pushtetit qendror. Në teori, ne kemi edhe qarqe, edhe rrethe, por në praktikë, ato janë organe për të cilat ne as nuk votojmë dhe as nuk e kemi të qartë çfarë kompetencash dhe buxhetesh kanë. Me ndarjen e re territoriale, për të cilën gjithashtu nuk u pyetën zgjedhësit, u eliminuan komunat dhe u zgjeruan bashkitë. Sot kemi bashki me 800 mijë banorë, si ajo e Tiranës dhe bashki me 2 mijë banorë, si ajo e Pustecit. Në Tiranë, veçanërisht, tendenca e përqendrimit të pushtetit u pa qartë me eliminimin e 11 minibashkive dhe këshillave respektivë. Edhe këto manovra të dy partive të mëdha kanë centralizuar në mënyrë të skajshme pushtetin vendor dhe i kanë bërë kryetarët e bashkive pashallarë.

Para vitit 2003, të gjitha partitë mund të matnin forcat duke nxjerrë kandidatë për kryetar dhe ta kushtëzonin ndihmën e tyre në balotazh, me bashkëpunim me fituesin pas zgjedhjeve. Ato gjithashtu mund ta kushtëzonin koalicionin në shkallë kombëtare, me vende të lira në listat e kandidatëve për kryetar ose këshilltarë bashkiakë. Eliminimi i balotazhit ua hoqi këtë mundësi partive të tjera, veç PS-së dhe PD-së, e bashkë me to ua hoqi të drejtën edhe votuesve të tyre të kishin një votë të vlefshme. Si pasojë, edhe në Shqipëri lindi fenomeni i kundërshtarëve të rremë: atyre që, ndonëse asnjë sondazh nuk i nxjerr fitues, kandidojnë për kryetar bashkie për të dëmtuar kandidatin e partisë, me të cilin, normalisht, duhej të ishin në koalicion. Çdo kandidat i PS-së ka leverdi të mbështetë, ose edhe të shpikë një kandidat “të djathtë” që do të pakësonte votat e kandidatit të PD-së dhe anasjelltas.

Kësisoj, duket i arsyeshëm rikthimi te sistemi maxhoritar me dy raunde, në zgjedhjet për kryetar bashkie. Fanatikët e sistemit maxhoritar me një raund thonë se një raund i dytë ka shpenzime shtesë. Por ky argument zor se pi ujë sot, kur administrata publike shpërdoron çdo vit fonde qindra herë më të mëdha se ai i caktuar për zgjedhjet.

Po le të vijmë tani te zgjedhja e këshilltarëve. Zgjedhësit mund të votojnë vetëm për partinë, ndërsa shpërndarja e mandateve bëhet në bazë të listave të mbyllura, sipas renditjes së kandidatëve, që çdo parti ka miratuar para zgjedhjeve. Thënë ndryshe, ne kemi të drejtë të zgjedhim partinë A, por nuk kemi të drejtë të zgjedhim kandidatin X, Y apo Z të kësaj partie. Dhe këtu këshillat bashkiakë ngjajnë me Kuvendin, ku deputetët janë thjesht numra, ose kukulla në duart e kryetarëve. Në këtë rast, sistemi proporcional me lista të mbyllura paraqet hapur defektin e tij kryesor: shkëputjen e të zgjedhurit, në këtë rast këshilltarit, nga zgjedhësit dhe varësinë e tij të plotë nga kryetari i partisë së vet.

Si përfundim, mund të themi se brenda një palë zgjedhjesh, ato për bashkitë, PS dhe PD ia kanë dalë me sukses të zbatojnë dy sistemet zgjedhore më të këqija të mundshme: maxhoritarin me një raund dhe proporcionalin me lista të mbyllura. Por nëse maxhoritari me një raund mund të ndreqet disi me futjen e raundit të dytë, si mund të ndreqet proporcionali i thjeshtë?

Zgjidhja është e thjeshtë: zëvendësimi i listave të mbyllura me ato të hapura. Në këtë rast, fleta e votimit nuk përmban vetëm listën e partive, por edhe një tabelë me numra, që i korrespondon numrit të këshilltarëve bashkiakë në atë zonë. Zgjedhësi në këtë rast voton duke shënuar logon e partisë dhe numrin, ose numrat e kandidatëve të asaj partie që ai preferon. Një sistem i tillë zbatohet në Kosovë edhe për zgjedhjet për Kuvendin. Siç shihet në foto, fleta e votimit përmban listën dhe logot e 36 partive pjesëmarrëse në zgjedhje dhe një tabelë me numra nga 1 deri në 110, që i korrespondon numrit të deputetëve. Shënimi mbi tabelën numerike thotë se zgjedhësi mund të votojë për deri në pesë kandidatë. Dhe nëse këtë sistem e zbaton me sukses Kosova, kush mund të thotë se nuk mund ta zbatojë Shqipëria?

Pra, nëse PD dhe PS duan vërtet një sistem zgjedhor të ndershëm për zgjedhjet bashkiake, ato mjafton të miratojnë Kodin, ku parashikohet zgjedhja e kryetarëve me sistem maxhoritar me dy raunde dhe zgjedhja e këshilltarëve me sistem proporcional me lista të hapura.

Por a mund të ketë një sistem edhe më të ndershëm, më efikas, më të shpejtë dhe më të thjeshtë në votim dhe në numërim? Përgjigja është sërish po! Nëse përdoret vetëm fleta e votimit për proporcionalin, pra, ajo për këshilltarët, zgjedhësi shënon dy ose më shumë numra dhe kryetar i bashkisë shpallet këshilltari më i votuar. Në këtë mënyrë, në vend të fletëve të votimit (për kryetarin dhe për këshilltarët) kemi vetëm një. Në vend të dy raundeve të votimit, kemi vetëm një. Në vend të listave të mbyllura, kemi lista të hapura për këshilltarë. Dhe në vend të maxhoritarit të thjeshtë, me një apo dy raunde, kemi praktikisht maxhoritar me votim alternativ.

Po më tej? Nëse duam të ngremë në nivel akoma më të lartë demokracinë në pushtetin vendor, duhet të fillojmë të mësojmë nga Zvicra, ku në asnjë nivel pushteti nuk ekziston lideri, individi. Çdo organ është kolegjial. Ne që vuajmë prej shekujsh nga abuzimi i pushtetit të njëshit, liderit, kryetarit të fisit apo partisë, duhet të jemi të parët që e zbatojmë këtë model. Bashkitë tona do të ishin shumë më demokratike e shumë më pak të korruptuara, nëse në vend të kryetarit do të kishim një kryesi me 3-9 anëtarë, në varësi të madhësisë së bashkisë. Dhe për këtë nuk na duhet asgjë, përveç vullnetit politik. Qytetarët e Tiranës do të votonin për 2-5 kandidatë, të përfaqësuar nga numra nga 1 deri në 70. Pas numërimit, 9 të parët do të ishin kryesia e Bashkisë Tiranë, ndërsa 61 të tjerët, Këshilli Bashkiak. Përveç të tjerave, një kryesi e zgjedhur në këtë mënyrë do të ishte detyrimisht pluraliste. Kështu do të kishim më shumë transparencë dhe llogaridhënie dhe më pak korrupsion e retorika politike boshe. Si anëtarët e kryesisë, si ata të Këshillit Bashkiak, do të ndjeheshin më të detyruar ndaj zgjedhësve se sa ndaj kryetarëve të partive respektive.

Zbatimi me sukses i këtij sistemi zgjedhor në zgjedhjet bashkiake të qershorit do të shtronte rrugën për ndryshimin e sistemit zgjedhor në zgjedhjet për Kuvendin, që do të kërkonte ndërhyrje në Kushtetutë, por tashmë me garancinë se ndërhyrja do të ishte efikase dhe jetëgjatë. PD dhe LSI, bashkë me të gjithë spektrin e partive të vogla, në koalicion me to ose jo, duhet të bëhen bashkë për ndryshimin e sistemit zgjedhor për zgjedhjet bashkiake, nëse duan vërtet të rrëzojnë jo thjesht dhe vetëm Ramën, por sistemin hibrid pseudo-demokratik që kemi sot, që krijon kushtet që në pushtet të kemi diktatorë si Rama apo Veliaj. Nëse, përkundrazi, PD e LSI braktisin partitë e vogla dhe qytetarët në këtë nismë për reformimin e sistemit, druaj se ato do të jenë edhe më të izoluara e më të braktisura nga qytetarët në zgjedhjet e ardhshme dhe ajo pakicë e shqiptarëve, që do të shkojë të votojë, do të vazhdojë të zgjedhë “djallin që e njeh, më mirë se djallin që nuk e njeh” dhe Ramën e Veliajn do t’i kemi edhe për shumë vjet në pushtet.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

16 − 10 =