Letërsia dhe censorët e radhës

AnalizeKryesoreOpinion
65
0
sample-ad

Behar Gjoka

Ndalimi i dramës së autorit Namik Dokle, në teatrin e Korçës, me ndërhyrjen e mitropolitit të kishës ortodokse, edhe njëherë tjetër, solli në mjediset mediatike, fetare dhe artistike, një debat që do të kërkonte diskutim të gjerë, si dhe një përgjigje reale, mbi natyrën unike të secilës formë të këtyre vlerave shpirtërore. Ku fillon e drejta e artit, pra edhe e teatrit, dhe ku mbaron e drejta e besimit, mbase përbën edhe thelbin e kësaj situate, të një përplasje të pamundshme? Po kaq, letërsia dhe teatri, në një kuptim janë pjesë e fjalës së lirë, natyrisht e një situate specifike, sepse drejta e fjalës në këtë rast shoqërohet me praninë e një bote imagjinare, magjike dhe subjektive, që e luan rolin si një vlerë shpirtërore e patjetërsueshme. Leximi i kësaj bote të mrekullisë shpirtërore, të universit njerëzor dhe letrar, me optika të tjera, të leximit biografik apo antibiografik, fetar ose antifetar, historik ase antihistorik, ideologjik dhe sociologjik, në fakt vetëmsa na e pamundëson rrethanën e komunikimit me vlerën artistike. Po kaq, vetëm sa sjellë ndër njerëz një keqkuptim të pamundshëm, që të ngjasë ndalimi i shfaqjeve të një drame, së paku në kohën moderne. Pra, arti i fjalës në përgjithësi, e detyrimisht edhe teatri, hyn në të drejtat dhe liritë njerëzore të shprehjes, të lirive të shpallura qysh në antikitet, që dihet se buron nga e drejta ekzistenciale dhe po kaq edhe nga garancitë që jep kushtetuta për tu shprehur lirisht. Të mos harrojmë, që liria e artit dhe letërsisë, kë shpërfillur diktatet dhe diktaturat e kaq shumë shekujve. Në këtë aspekt, pra të lirisë së shprehjes letrare, drama e teatrit të Korçës, ka të drejtën e vënies, shfaqjes dhe të debatit përmbi të, por jo të ndalimit, nga kushdoqoftë, pra as dhe nga kisha, përveç të tjerash, për arsyen e thjeshtë se vlerat shpirtërore të besimit dhe artit, në të gjithë historinë e njerëzimit, pra edhe të qenies shqiptare, më tepër konvergojnë ndërmjet tyre, madje në shumicën e momenteve kanë ecur në rrugën e përparimit dhe zbukurimit të universit ekzistencial. Nga ana tjetër, kisha dhe e drejta e besimit, është një e drejtë, hyjnore dhe e bashkëlindur me njeriun, si politeizëm apo monoteizëm, e po kaq e garantuar me ligjet e kushtetutës sonë, si dhe veprimtaria e saj në hapësirën shqiptare kryhet, gjithnjë me mjetet e besimit si vlerë shpirtërore, pa harruar në këtë rast një anë thelbësore të debatit, se besimi fetar, pra edhe kisha janë të ndara nga shteti, nga shkolla dhe nga arti, madje marrëdhëniet e tyre janë rregulluar me ligj, e nuk ka asnjë mundësi, që të mbërrihet deri tek kërkesa e mitropolitit të Korçës, për të ndaluar dhënien e një shfaqje teatrore. Ajo që të shqetëson më tepër në të gjithë këtë histori, që fsheh dhe zbulon një realitet absurd, ku merren përsipër akte që të kujtojnë censurën e largët, kur ndëshkohej arti i Mikelanxhelos, si dhe më të afërt, të kohës së diktaturës, kur ndalonte vepra dhe burgoste shkrimtarët, është fakti se kemi të bëjmë me një realitet të përsëritur të ndërhyrjes së kishës ortodokse në punët e artit. Besoj se të gjithë e kujtojmë sulmin e kishës ortodokse për të mallkuar dhe ndaluar dhënien e filmit Ballkan Bazar, të regjisorit Etmond Budina, ndonëse për hir të së vërtetës, jo vetëm si metaforë, skenarin e atij filmi, e shkruan priftërinjë e Kosinjës, përpara se të realizohej si i tillë. Skema e përsëritur, tashmë dëshmon për një vetëdije të shpallur për të kapërcyer besimin fetar, por edhe për të vënë në zgrip tolerancën fetare, aq shumë të përmendur ndër ne, dhe të marrë përsipër që të ndërhyjë në hapësira që janë më përtej sinoreve të kishës apo të çdo objekt kulti, të besimeve fetare. Vlerat shpirtërore të besimit janë të jashtëzakonshme, dhe askush nuk do të duhet që t’i vërë në dyshim, por nga ana tjetër, vlerat shpirtërore artistike, janë po ashtu dëshmia më e madhe e qytetërimit dhe e vetë ekzistencës së qenies njerëzore dhe nuk ka gjasa të vihen në konfliktim të panevojshëm.

sample-ad

Facebook Comments

POST A COMMENT.

20 + 13 =