Skandali në tregun agro-ushqimor, gjykata mbron abuzimin me dy vendime kontradiktore

AktualitetKryesore
117
0
sample-ad

Vendimi i gjyqtarit Avni Sejdi dhe tregu agro ushqimor

Tregtarët që janë klientë të Tregut Agro-Ushqimor të Tiranës duhet të vazhdojnë të paguajnë tarifat më të larta të sektorit, duhet të vazhdojnë të paguajnë drita dhe ujë me një çmim më të larta se ai i caktuar nga shteti dhe duhet të vazhdojnë t’iu nënshtrohen rregullave shtantazhuese, që u janë imponuar në kontratat e qirasë nga ana e shoqërisë monopoliste, pronare e Tregut. Për shkak të këtyre kostove detyruese, produktet agro-ushqimore të destinuara për konsumatorët do të vazhdojnë të kenë çmime shumë më të larta se niveli normal.

Vendimi i pabesueshëm është nënshkruar nga një gjyqtare e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, e cila ka urdhëruar të pezullohet vendimi, me të cilin Autoriteti i Konkurrencës detyronte shoqërinë EKMA Albania shpk, pronare të Tregut Agro-Ushqimor, të rivendoste menjëherë rregulla më të drejta për tregtarët. Sikurse është konstatuar dje nga Report Tv, Autoriteti i Konkurrencës në fakt akuzon shoqërinë EKMA se shfrytëzon pozicionin dominues në treg, duke iu imponuar tregtarëve të shumicës, që punojnë në Tregun Agro-Ushqimor të Tiranës, tarifa të larta dhe abuzive, të cilat në mënyrë të pashmangshme pasqyrohen tek çmimet, që paguajnë qytetarët për produktet e tyre.

Me Vendimin nr.572, datë 22 nëntor 2018, shoqëria EKMA Albania ishte dënuar të paguante një gjobë prej 46 milionë lekësh të reja dhe të caktonte rregulla kontraktore të orientuara nga kostoja, dhe ishte detyruar edhe të përgatiste kontrata të reja të qirasë për tregtarët, duke qenë se ato që janë aktualisht në fuqi shkelin normat e Kodit Civil. EKMA akuzohet se detyron tregtarët të paguajnë fatura për konsumin e ujit dhe të energjisë elektrike me tarifa gati dyfish më të larta, krahasuar me ato të parashikuara nga shteti, qira për lokalet 80% më të larta se vlera e tregut dhe se abuzon me pozicionin e vet dominues në treg. Pas Vendimit të vitit 2014 të Prefekturës së Tiranës për të mbyllur Tregun Agro-Ushqimor “Dinamo”, tregu i hapur në të njëjtën kohë nga shoqëria EKMA, që ndodhet në autostradën Tiranë-Durrës, praktikisht operon në kushtet e regjimit të monopolit. Dhe këtë e pësojnë tregtarë e konsumatorë.

Pas shoqërisë EKMA Albania operon një nga oligarkët e njohur në Tiranë, i cili ka arritur të bëjë për vete gjyqtarët e Gjykatës Administrative: në vetëm 13 ditë, Gjykata në fakt ka nxjerrë dy vendime krejtësisht të kundërta. Vendimi i parë mban datën 27 dhjetor 2018: me atë vendim, gjyqtari Avni Sejdi ka rrëzuar kërkesën e shoqërisë EKMA që të ndërpresë pagesën e gjobës dhe aplikimin e rregullave të reja të urdhëruara nga Autoriteti i Konkurrencës si ‘’te pabazuara ne ligji e ne prova’’. Arsyetimi, mbi të cilin bazohet Vendimi, është se, sipas ligjit, vendimet e Autoritetit të Konkurrencës janë tituj ekzekutivë, pra të zbatueshme menjëherë nëpërmjet një zyre përmbarimore.

Por kalojnë vetëm 13 ditë dhe më 10 janar 2019 i njëjti gjyqtar Avni Sejdi nxjerr një vendim të dytë, që kthen përmbys krejtësisht konkluzionet e saj dhe, këtë herë, është në favor të shoqërisë EKMA. Gjyqtari në fakt lejon pezullimin e vendimit të Autoritetit të Konkurrencës dhe urdhëron që kushtet në Tregun Agro-Ushqimor të mbeten siç janë deri në zgjidhjen perfundimtare te çështjes, por që mund të vijë edhe pas shumë vitesh. Deri atëhere, tregtarët dhe konsumatorët duhet të vazhdojnë të paguajnë çmime më të larta dhe shoqëria pronare e Tregut të fitojë miliona euro.

Është e pamundur të mësohet se çfarë ka ndodhur në ato 13 ditë, që e ka bindur gjyqtarin ta përmbysë në mënyrë kaq skandaloze vendimin e saj. Duke lexuar Vendimin, argumentimi i saj paraqitet i pabesueshëm: meqënëse Autoriteti i Konkurrencës ka ngarkuar një zyrë përmbarimore të zbatojë vendimin e tij, sipas gjyqtares, shoqëria EKMA Albania rrezikon të pësojë dëm nga pagesa e gjobës dhe nga eksekutimi e nje sere detyrimesh te tjera te vendosur nga Autoriteti i Konkurrencës. E kështu, Avni Sejdi ka bllokuar gjithçka.

Natyrisht, shoqëria EKMA ja di për nder, pasi, në rast se për tregtarët kushtet e Tregut Agro-Ushqimor janë një ferr i vërtetë, për shoqërinë pronare ato janë parajsa: edhe në vitin 2017 në fakt kompania ka patur një normë fitimi prej 76 përqindësh, duke siguruar fitime për më shumë se 380 milionë lekë të reja. Në vitin 2016 ka fituar 360 milionë lekë të reja të tjera, sikurse dokumentohet në bilancet e shoqërisë të zbuluara nga Report tv. Një rekord ky, që nuk ka precedent në asnjë sektor tjetër privat. Për fat të keq, nuk ka asgjë për t’u habitur kur, përballë kësaj fuqie ekonomike, gjyqtarja ka zgjedhur të mbajë anën e më të fuqishmit, duke braktisur në mëshirë të fatit tregtarë e konsumatorë.

Dy vendimet kontradiktore të Gjykatës Administrative brenda 2 javëve

/SH.com/

Facebook Comments

POST A COMMENT.

four × 4 =