Dy fjalë për “Testamendin” e Leka Bungos

KryesoreOpinion
115
0
sample-ad

RIKARD LJARJA

Në vitin 1961 ne ishim djem të rinj dhe ishim në vitin e parë të shkollës për aktor “A. Moisiu”. Ishim nja njëzet vetë apo më shumë, po me kalimin e kohës firuam. Në fund fare mbetëm rreth tetëmbëdhjetë. Shkolla kishte program të ngjeshur. Përveç lëndëve profesionale, bënim edhe gjithë programin e degës Gjuhë-Letërsi. Kur vinte e diela vraponim për të marrë gazetën “Drita”, lexonim me etje tërë poezitë që ishin botuar dhe i komentonim. Nga njëherë bënim edhe ndonjë hile.

P.sh. profesori i ekonomisë politike ishte poet, sa futej në klasë, mbas dy tri fjalive për leksionin e radhës, dikush, kur ai bënte ndonjë pauzë, një nga studentët pyeste: “Profesor, e lexuat ‘Dritën’ dje?”

LEKA BUNGO
LEKA BUNGO

Kaq ishte.

Profesori harronte leksionin e ekonomisë politike dhe fillonte e bënte komente për të gjitha poezitë që ishin botuar te “Drita”. Profesori kishte një temperament të jashtëzakonshëm, ndoshta edhe nga krahina nga vinte: Vlora. Ai ishte Fatos Arapi. Në atë kohë letërsia, po kryesisht poezia, kishte ndërruar formë. Poezia kishte lënë mbrapa format arkaike dhe luante me mjete të papara ndonjëherë në poezi. Vargu u ishte larguar kanoneve të vjetruara. Ishte i lirë. Poezia e asaj periudhe po ngrinte krye me forcë. Dëshmonte se ishte në një etapë të re. Në këtë “revolucion”, shpesh kalohej edhe masa për hir të modernitetit.

Me këtë kalimin e masës u muer Leka.

I talentuari Jani Riza së bashku me Lekën bënin një çift të përkryer humori. Leka e kishte brenda vetes batutën inteligjente. E kishte të lindur. Leka ishte herë tallës, herë cinik fantastik, e herë… Një ditë, aso kohe, Leka bëri një parodi të poezive “moderne” që botoheshin me shumicë. Kanë kaluar kaq vite dhe poezia ishte harruar (se shumica e jonë e kishim mësuar përmendësh)

Po gjithë këto vite Leka e kishte harruar dhuntinë e tij. Ose nuk e dinte që e kishte, o nuk e kuptonte me sa vlerë ishte kjo karakteristikë e tij. Me që mua m’u desh mbas kaq vitesh ajo “poemë”, u kujtuam se vetëm Haxhi Rama, Xhixhi pra, duhet ta mbante mend. Se Xhixhi katër vjet në bankë të parë me mua, shkroi poezi shumë të bukura për dashurinë (për Letën), disa prej të cilave u bënë këngë që u përhapen dhe u kënduan fort nga gjithë rinia dhe jo vetëm rinia… “Lemca” për shembull…

Kërciti telefoni.
Dhe Xhixhi fantastik më tha se mbante mend disa vargje.
M’i nisi me sms. Mbas ca ditësh më nisi disa vargje të tjera.

Ca iu kujtuan Lekës (autorit) e ca mua. Dhe kështu erdhi një pjesë e vogël e “poemës” së Lekës. E parodisë së Lekës. Ja disa vargje që kanë mbet diku thellë në mendjet tona:

Zhurma Hesht.
Poemë e thepisur.
Shi…
Lata mencash që mendohen rëndë.
I ulur mbi vargun e poemës sime
mendoj për ty.
Për mu.
Se ti dhe unë bëjmë një.
Dhe një dhe një bëjnë dy.
Shi…
Dy gjemba kureshtar thërrasin:

Nënë.
Ecim.
Shkojmë drejtë sheshit.
Ajo me thotë rrëzë veshit:
I dashur sa del rrënja e treshit…
……………………
Ecim.
Ecim drejtë fidanishtes
Ulemi nën hije.
Kush rri nën dardhë
i ha kokrrat.
Ëndrrat tona
Flenë nën sqetullën e një kalit të hazdisur…
(Këtu autori aludon për masat e drejta që mori Pushteti Popullor për shtetëzimin e kafshëve shtëpiake).
A e ke pa një pelë m’at anë.
Me të vëllanë.
……………………….
Ha, ha, ha, (qesh).
Këtu protagonisti i poemës merr vesh
vdekjen e së dashurës…
… dhe pëson krizë.
Ky është thelbi i stilit tallës e ironik i Lekës.
Po gjatë këtyre pesëdhjetë viteve,
Leka ka shkruar dhjetëra drama, radiodrama, i ka vënë në skenë, i ka
regjistruar në radio…
Tradicionale.
Po këtë radhë ka bërë diçka të jashtëzakonshme. Në stilin që e kishte brenda vetes po e kishte harruar(!) rrugës. Libri që unë e lexova në printshkrim më befasoi. Është një libër me një fantazi të çmendur, që shkon deri në absurd. Testamentshkruesi me emrin Luftar apo Tar për shkurt, i ka humbur kontaktet me botën reale, fantazia e tij është e pazakontë, groteske, madhështore, absurde, idioteske…

M’u kujtua Don Kishoti. M’u kujtua edhe Baroni Mulchausen. Dhe e bukura është se gjithë çmenduritë e Luftarit apo Tarit janë të besueshme, rrjedhin natyrshëm paçka se janë idioteske e të çmendura. Ironi dhe sarkazëm ka nga kreu e deri në fund. Është një libër i veçantë nga ana stilistike, ndryshe çfarë jemi mësuar të lexojmë.

Kur e lexon të vjen të qeshësh me budallallëqet e Luftëtarit, po nganjëherë edhe të dhimbset, gjynah i shkreti si është katandisë…

Këto ishin dy fjalë për librin që nuk është botuar ende.

Ej, Rikard-o, paske rrjedh, paske lajthitë… e ke shok prandaj shkruan kështu. Ç’punë ka Leka Bungo me Don Kishotin, me Baronin Mulchausen? Ë? Sikur nuk e njohim ne se kush është Leka!

Mendoj se mbasi të lexoni librin “TESTAMENDI”, mund të ndërroni mendim. Ka shumë mundësi të mendoni si unë.

Ose mos të lini gjë pa sharë, meqë e paska shkruar njëfarë Leke dhe e lëvdoka ky i rrjedhuri.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

fourteen + 3 =