Çmimet e dentistëve shqiptarë “kriposen” keqazi, 60 % më shtrenjtë duke filluar nga 2019

AktualitetEkonomi
36
0
sample-ad

Agimi, mjek stomatolog, punon prej 10 vitesh në klinikën e tij dentare në zonën e Shkollës së Bashkuar.

Nga 1 janari, ai thotë se është detyruar që të rrisë çmimet për një pjesë të shërbimeve bazë që ofron për pacientët E klinikës dentare.

Prej fillimit të 2019-s, klinikat dentare në vend janë të detyruara që të bazohen në listën e re me çmimet dysheme për shërbimet bazë që ofrojnë. Për një mbushje dhëmbi të gradës së dytë, përpara 1 janarit, pacientët në klinikën e tij duhet të paguanin 2,000 lekë, ndërsa tani me çmimin dysheme që ka vendosur Urdhri i Stomatologut, pacientët duhet të paguajnë 4,000 lekë, ose 60% më shtrenjtë.

Rritje ka pasur edhe për shërbimet e tjera dentare. Pjesa më e madhe e klinikave në vend për vizitat e pacientët (ekzaminim me sy) i kanë falas, por prej 1 janarit për vizitat çmimi dysheme është 500 lekë. Për mbushjet e gradës së tretë, çmimi ishte 3,000 lekë, ndërsa me referencën e re çmimi bëhet 5.000 lekë (2.000 lekë më shumë, shtrenjtim 67%).

Çmimi për pastrimin e gurëzave dhe të cipave bëhet 3.000 lekë, nga 1.500 lekë, sa dyfishi. Heqja e dhëmbëve bëhet 1.000 lekë nga 500 që ishte.

Agimi thotë se kjo rritje e çmimeve dysheme është shumë e lartë dhe e papërballueshme për nivelin ekonomik të pacientëve që vijnë tek ai.

Çmimet referencë dysheme aplikohen për klinikat dentare në të gjithë vendin.

“Monitor” kontaktoi me Urdhrin e Stomatologut për ta pyetur mbi mënyrën se si janë përcaktuar këto çmime dysheme. Përfaqësues nga Urdhri i Stomatologut argumentuan se është vënë një dysheme, duke marrë në konsideratë një mesatare të një kampioni klinikash ku janë kërkuar lista çmimesh dhe është bërë një mesatare për të nxjerrë çmimet referencë.

Lista e çmimeve është miratuar nga Asambleja Kombëtare dhe Këshilli Kombëtar, si dhe kjo listë çmimesh i është bërë e ditur Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për t’u implementuar në kasat fiskale. Për shërbimet e tjera, që nuk janë përfshirë në listë, dentistët janë të lirë të vendosin vetë çmimet.

50% e shqiptarëve nuk kanë para që të shkojnë

Shërbimet dentare janë të papërballueshme për shqiptarët. Por, çmimet e reja referencë do ta bëjnë edhe më të papërballueshme kujdesin për shëndetin e gojës. Rreth 50% e shqiptarëve kanë deklaruar në Anketën e Cilësisë së Jetës të Komisionit Europian se nuk kanë shkuar te dentisti për të kursyer para. 34% e të pyeturve në Shqipëri kanë deklaruar se nuk kanë shkuar në kohën e duhur te mjeku stomatolog, ndërsa 16% kanë deklaruar se nuk kanë shkuar fare te dentisti.

Kjo është përqindja më e lartë në të gjithë Bashkimin Europian. Ndryshe nga Shqipëria, rezultatet e anketës treguan se në vendet e rajonit, kujdesi ndaj shëndetit oral është më i madh. Në Malin e Zi, kanë deklaruar se kanë vonuar vizitën 18%, ndërsa që nuk kanë shkuar fare 12% e të anketuarve, po aq dhe në Maqedoni.

/GazetaExpress/

sample-ad

Facebook Comments

POST A COMMENT.

2 × three =