Dihotomia si koncept poetik

KryesoreKulture
39
0
sample-ad

 

(Agron Tufa: “Kafsha apo fantazma”, “Onufri”, Tiranë, 2016)

Fatbardhë Hasi

E fshehta e vargut poetik është mister i pazbërthyeshëm. Mendime të tëra duhen thyer, për t’i rindërtuar prapë, copëtime frazash, matje fjalësh e mbi të gjitha, ku të thënit pak, nënkupton shumë. Këto janë disa nga elementet që ndeshim kur lexojmë poezinë e Agron Tufës.

Në librin e tij poetik të fundit, me titullin, “Kafsha apo fantazma”, Tufa ka bërë një punë të madhe, me një pasion të veçantë. Secila poezi të detyron që t’i kthehesh prapë, po deshe t’i ndjesh më mirë valët e ritmit, të përforcosh në mendje imazhet, e të mahnitesh nga gjetjet metaforike.
Libri, për nga struktura duket të jetë i përfunduar. Gjatë rrjedhës së poezive, vërehet se autori ka pasur një qëllim, të cilin është munduar ta përmbushë në këtë cikël poetik. Agron Tufa, e nis rrjedhën poetike me poezinë, “Kafsha apo fantazma”:

“âsht pjesa ime e kafshës që më mban njeri.
nuk rrojmë si hije këtij dheu
ndonëse si hije kthehemi. herëdokur…”,
dhe e mbyll me vargjet e poemës, “Thelbi i mëshirshëm i kohës”:
“Jetën e njeriut e qetëson Mendimi. Mendimi instiktiv që
prek me preklat e Idesë realitetet e panjohura”.
Për ta mbyllur në fund gjithë librin me vargjet e po kësaj poeme:
“… të rrëkëllyer – njësh në formën e re –
nga njëri zgjerim në tjetrin, nga njëri mister në tjetrin –
plazmë e rrjedhshme shtegtare e thelbit të mëshirshëm të Kohës-
formë e mbijetuar qeniesh në një qytet rival alienësh”.

Fillimisht, është shprehur preokupimi personal i subjektit lirik në vetën e parë, “âsht pjesa ime e kafshës që më mban njeri”, që lidhet më pjesën instiktive të individit, me dëshirat e fshehta e të pakontrollueshme. Më pas, ai subjekt shumëfishohet me secilin individ, që është pjesë e atij rrethi, ku ai subjekti lirik jeton. “Si hije kthehemi”, veta e tretë shumës, që përcakton masën, “ne”. E, për ta mbyllur, duke iu drejtuar njeriut, si një krijese tjetër, e shkëputur nga vetë subjekti, poeti shprehet se, “jetën e njeriut e qetëson mendimi”. Atë , njeriun tjetër pra, por njëherësh edhe vetveten. E gjithë kjo katrahurë përmbyllet me individin, i cili arrinë të ruajë vetëm formën, nga ajo që e karakterizon njeri, se vetitë e tjera njerëzore janë zhdukur. Tufa, duket se është nisur nga filozofia personale, e marrë si mësim nga jeta. Pra, në poezitë e tij, portretizohet njeriu si qenie e paqëndrueshme ndaj rrezikut që i kanoset, i cili, zgjedhë ikjen në vend të ballafaqimit, ndërron formë e shndërrohet në hije, madje, në gjithçka shndërrohet, vetëm asaj njerëzores i shmanget. Këtë pohim e përforcojnë edhe më tepër vargjet:

“Çfarë nevoje, çfarë trysnie na shtrëngon.
t’i ikim klimës së shpirtit tonë?
I kemi ikur njëherë – i ikim gjithmonë…”

Linjat poetike dhe krijimi i metaforave

Janë disa linja në të cilat shtrihet poezia e Agron Tufës. Fillimisht, kemi njeriun në dihotomi, mes koshiencës e subkoshiencën, dihotomi kjo që manifestohet me luftën e brendshme të individit, konkretisht, uni i tij, i uritur, i revoltuar, i pakënaqur, që gërryen nga brenda pjesën e dukshme, për të mos e lënë të qetë dhe të kënaqur asnjëherë. Luftë kjo e përjetshme mes idit dhe superegos njerëzore që i ndodh pothuajse secilit njeri.

Linjë tjetër është poeti dhe procesi i të shkruarit, që manifestohet në disa poezi. Mundimi dhe kënaqësia e të shkruarit, brenga për pakënaqësinë e gjetjes të fjalës së duhur, për ta plotësuar pazellin e poezisë. Më pas, mahnitja para mrekullisë së poezisë, si mjeshtëri e zgjuarsi e poetit. Mbresa që lë poezia, si dhe pamundësia e deshifrimit të saj, janë të pranishme edhe tek vet poeti. Të gjitha këto punktume, i gjejmë si copëza, të shkapërderdhura tek poezitë: “Diç e pezullt heq shpirt…”, “Përkufizimi i poezisë”, “Dhuntia” e “Fjalë mesnate”, ku, portretizohet akti i krijimit, si akt i kënaqësisë më të mundimshme.

Aspekti gjuhësor bën poezinë e Tufës të frymojë lirshëm. Ndërtimi i anasjellave që Tufa bën brenda vargut, e strukturës së poezisë, e bën lexuesin të hamendet para shumë gjetjeve, (disa prejt të cilave të dëgjuara tashmë), të ndërtuara në mënyrë unike e të veçantë. Po ashtu, ndërtimi i metaforave, është një mjeshtëri në vete e Tufës. Gjatë procesit të shkrimit, jo rrallë, të duket që, çdo gjë që të vjen në mend, është thënë e stërthënë nga të tjerët, por, ka raste që vetëm një lojë e vogël me fjalët, një mjeshtëri e hollë, nxjerrë metafora që të mahnisin, e këtë lojë, Tufa di ta zotërojë.

Kujtojmë metaforat e vargjeve: “Prej së tanës nuk vdes vetëm pjesa”. Nëse si tërësi, e shohim trupin dhe ndërtimin e tij nga aspekti antropologjik, mjafton vetëm një pjesë e vogël të vdesë dhe të shpërbëhet gjithë ai megandërtim preciz. Vdekja e shpirtit në këtë rast, do të mjaftonte. Metaforë tjetër, që i kushtohet kalimit të kohës është: “vrapi i kohës kapërcyer paska mbi ne…”. Janë të njohura metafora të panumërta në letërsi, që lidhen më kalueshmërinë e kohës, por kjo e Tufës është një ndërtim më ndryshe, ku shohim se, koha ka ikur në vrap mbi njerëzimin, pa u lënë mundësinë këtyre të fundit ta vërejnë ikjen e saj. Metafora tjera të bukura janë edhe: “Prajtë po fiken fitilat e zbehtë të yjeve”, “Në vend të ëndrrave plehu e mbështolli”, “Edhe Kujtesa, si Historia, është plug që kthen sall nga e shkuara”. Vargu i fundit është metaforë e dhimbjes, sepse njeriu si qenie është i dënuar më mbamendje, me kujtesë. Historia, ka një periudhë kohore, që faktet reale të ngjarjeve historike, nuk i shpalos për një afat kohor, në mënyrë që të mos shkaktohen trazira shtetërore e ndërshtetërore nga faktografia, por, e keqja njerëzore është se, njeriu s’mund t’ia krijojë një ndalesë të tillë vetës, që të mos kthehet prapa, në të kaluarën e tij.

Përveç metaforave brenda vargut, kemi metafora edhe brenda strofave, e madje edhe poezitë janë shkruar si metaforë në vete. Dy strofa metaforike që dallojmë janë:

“Të dua si kapitull i pambyllur historie,
Si fundi i një romani dashurie,
Të cilin, s’më pelqën ta lexoj, por t’ia qëlloj,”

Në disa variante është e shprehur mënyra e dashurisë, tek poezia “Andaj kapakët mbyll…”, por, ajo që lë një ndjesi të veçantë, është kjo e lartëcekura. Pavarësisht si mund të jetë fundi i historisë, poeti do të dashurojë njëlloj. Fundi i dashurisë së një romani, mund të jetë fatkeq apo tragjik, megjithatë, ai (subjekti lirik) mbyll kapakët, që fundin ta krijojë vetë, në mendjen e tij. Kështu edhe dashuria, sado e mistershme dhe e panjohur të jetë, është më tërheqëse, më ngazëllyese, madje edhe atëherë kur ajo dhemb.
Strofa tjetër metaforike është:

“Dielli ka ndriçuar miliarda herë këtë skenë
Këtu. Komeditë shndërrohen në teatër mizor.
Këmbehen rolet prorë. Gazavaji pllakos dhenë.
Njeriu luan kahmot arrestin e tij botëror.”

Realiteti i jetës njerëzore, me gjithë rrjedhën e saj historike është përfshirë brenda katër vargjeve. Fatkeqësitë dhe trazirat, përmbysin ditët e qeta, duke i kthyer në teatro mizore, ndërrohen rolet varësisht nga sillet roleta e fatit dhe, përfundimisht, njeriu arratiset nga kjo botë, hipotetikisht, vdes.

Poezia e Tufës ka referenca brenda, të cilat, të shpien te miti i Sizifit, tek kënga popullore (kujtojmë poezinë “Ninulla”), tek konceptet filozofike, të cilat janë të lidhura më poetikën e tij krijuese.


Konteksti kohor

Konteksti kohor zë një vend qendror në poezinë e Agron Tufës. Mendime për kohën si koncep, janë përfshirë që nga filozofët antikë, Shën Agustini e deri në ditët tona. Këto mendime janë të dhëna në një linje kronologjike fillimisht, për t’u bërë tejkohore përfundimisht.
Vlen të theksohet poezia, “Fugë I”. Tek kjo poezi, Tufa ka marrë për model Paradoksin e Zenonit, për të argumentuar paradoksin e lëvizjes, (që në poezi na lidhet me kohën). Madje, edhe formulimi i vargjeve është i po asaj natyre, lëvizja e individit nga A-ja drejt B-së. Por, mbyllja që Agroni i bën kësaj poezie, të vë në një dilemë të thellë, ku lë të nënkuptohet thënia e vjetër filozofike e Sokratit, ‘e di, që, asgjë nuk di’.

Përmbyllja e librit me poemën, “Thelbi i mëshirshëm i kohës”, e cila është ndarë në pesëmbëdhjetë pjesë, përbën një krijim në vete brenda gjithë librit. Tek kjo poemë, kemi dihotominë histori/kohë. Zanafilla e poezisë nis me historitë, që i kanë ndërruar rrjedhën njerëzimit. Ajo që do të dëshmojë Tufa, është se, koncepti i kohës, është krejtësisht diçka tjetër nga ai i historisë, andaj, nuk duhet vështruar në një relacion koha dhe historia.“Jo ngjarjet, jo historitë, përbëjnë thelbin e Kohës”, shprehet ai. Koha nuk i korrëspondon njeriut, ajo e ka rrjedhën e saj, pavarësisht individit dhe ngjarjeve rreth tij. Përderisa, koha, s’e njeh njeriun, njeriu është i varur nga koha. E gjithë kjo ndodhë për një qëllim të vetëm. Njeriu donë të ekzistojë.

“… Se njeriu kujdeset vetëm
‘me qenë’; njeriun e prek fati, si’me qenë’;
njeriun e trondit forma e qenies së tij,
e më së fundmi – e tmerron ndërprerja e qenies së tij”.

Pra, gjithsecili individ, ëndërron pavdekësinë, ani pse, e di që, një gjë e tillë është jashtë normales. Kështu, e gjithë lufta e njerëzimit më kohën mund të përmbyllet me metaforën e fuqishme, që ka krijuar Tufa: “O njeri, je i afatizuar!”?.

Poezia e Tufës, nuk ka një ambient brenda të cilit zhvillohet. Nuk ka një kohë të caktuar, preokupimet e së cilës shfaq. Nuk është revoltuese ndaj një fuqie të dytë, ani pse brenda poezisë shfaqet shpirti i revoltuar. Pra, poezia e tij është përtej vendit dhe rrethanave ambientale. Këto poezi janë krijime ku secili lexues, i çfarëdo kulture, mund ta gjejë veten. Këto krijime, Agron Tufa, ka arritur t’i universalizojë, që edhe lexuesit e tjerë përveç atyre shqiptarë, të kenë qasje në to. Vlen të theksohet se, pavarësisht mjeshtërisë krijuese të Tufës, që e ka bërë poezinë të jetë e një niveli të lartë, ky libër poetik nuk është i thjeshtë në perceptimin e kuptimeve. Gjuha e figuruar, semiotika e shenjave, mjeshtëria e metaforave, thyerja sintaksore, e hamendëson lexuesin/studiuesin, që të ketë përfundime të sakta. Jo më kot, Borgesi, kur ka folur për artin epoezisë ishte shprehur: “e njohim aq mirë poezinë, sa që s’mund ta definojmë me fjalë, ashtu siç s’mund ta definojmë shijen e kafesë, ngjyrën e kuqe apo të verdhë, domethënien e zemërimit, të dashurisë, të urrejtjes… Këto gjëra janë shumë thellë brenda nesh, sa që mund të shprehen vetëm me simbole të përgjithshme që ne posedojmë.”

Edhe poezia ka botën e saj, jo rrallë mjeshtëria krijuese na jep mundësinë vetëm ta shijojmë, duke ditur që një varg është thënë në mënyrë madhështore, por që, ndihemi aq të pasigurtë që të dëshmojmë, si është thënë dhe pse është thënë.

(Autorja është studente në Fakultetin e Filologjisë, “Hasan Prishtina”, në Degën e Letërsisë Shqipe, në nivelin e studimeve Master. Shkrimi është paraqitur në lëndën,“Letërsi aktuale shqipe” dhe botohet për herë të parë.)/KultPlus.com

Facebook Comments

POST A COMMENT.

twenty + three =