Jo kazino me këtë ligj

AnalizeKryesore
66
0
sample-ad

Kol Hyseni

Kazinotë në Republikën e Shqipërisë si dhe lojërat e fatit e hipodromet janë legalizuar me ligjin nr. 8701, shpallur me dekretin nr. 2843, datë 23.12.2000 të Presidentit të Republikës Rexhep Mejdani.

Kohë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji Qeveria Shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Rendit dhe Ministrisë së Financave kanë miratuar leje “Për ushtrim veprimtarie për kazino”. Si në atë kohë dhe tani ka patur një reaksion nga organizata Jo Fitimprurëse (OJF), lëvizje të ndryshme si lëvizja “Boll”, personalitete të fushave të ndryshme, psikologë, analistë, etj, të cilët kanë paraqitur argumente të ndryshme duke protestuar e pretenduar kundër dhënies së lejeve për hapjen e kazinove në Republikën e Shqipërisë.

Unë personalisht pa pretenduar se mund të jap opinionin më të mirë jam pro lejimit të aktivitetit të kazinove, pasi si të gjitha bizneset e tjerë edhe ky është biznes, por jam i mendimit se ligji që e legalizon ushtrimin e këtij aktiviteti është i dobët, ose më saktë nuk është në përputhje me standartet e ligjeve ndërkombëtare që legalizojnë kazinotë, e si i tillë duhet ndryshuar.

Kazinotë më të organizuara në botë janë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vend ku kazinotë mbretërojnë, nëpërmjet sistemeve “Shtet – Kazino”, “Qytet – Kazino”.

Nëse i referohemi kuadrit ligjor për kazinotë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjejmë shumë të meta në ligjin tonë.

Procedurat e parashikaura në ligj për liçencimin e operatorëve për kazino lenë vend për një investigim të dobët të parave. Konkretisht nuk investigohet burimi i parave që hyjnë në kazino qoftë i depozitës apo ai që ngurtësohet, i aktivitetit të kërkuesit apo i investitorit etj. Ligji Amerikan (jo të gjitha shtetet e Amerikës kanë miratuar ligje që lejojnë kazinotë), parashikon procedura shumë të saktë për kryerjen e këtyre investigimeve.

Konkretisht operatori apo operatorët që kërkojnë liçencimin duhet të deklarojnë të ardhurat si dhe burimin e tyre, pas deklarimit fillojnë procedurat e investigimit. Gjithashtu ata duhet të deklarojnë nëse kanë qenë ose janë bashkëpronarë në ndonjë kompani tjetër, brenda apo jashtë vendit. Po kështu në ligj është përcaktuar se, nëse ka më shumë se një aksioner që kërkon ushtrimin e këtij aktiviteti, aksioneri që ka mbi 10 % aksione duhet të paraqesë kërkesë me vehte për t’u liçencuar si operator edhe ai.

Për të hetuar mbi personalitetin e personit, në ligj kanë detyrime të deklarojnë: ku kanë jetuar deri në moshën 18 – vjeç, ku kanë jetuar gjatë 25 viteve të fundit. Ndërsa për 5 vitet e fundit (pra që nga momenti i paraqitjes së kërkesës), duhet detyrimisht të japin të gjitha të dhënat bankare e tatimore, si dhe të tregojnë çdo gjë që kanë blerë dhe ku e kanë blerë.

Ligji jonë nuk flet fare për deklarimin e këtyre të dhënave, ç’ka lejon mundësinë e liçencimit të personave me histori kriminale, ose dhe më keq në momentin që paraqiten kërkesat janë caktuar edhe kompanitë që do të marrin lejen për ushtrimin e aktivitetit, e konkurrimi është formal, pra i paracaktuar.

Për këtë po sjell një shembull konkret. Në Nevada të Shteteve të Bashkaura të Amerikës,10 vjet pas paraqitjes së kërkesës për liçensim në aktivitetin e kazinosë një subjekti iu refuzua kërkesa, sepse pas një sërë investigimesh të bëra nga Bordi i Kontrollit të Lojrave të Fatit arritën të zbulojnë se dy vite përpara paraqitjes së kërkesës për liçencim, kërkuesi kishte udhëtuar me jahtin e disa miqve të tij me histori kriminale. Këto investigime, Autoritetet Shqiptare ndonëse të paparashikuara saktë në ligj nuk i bëjnë dot (ose dhe mund t’ju duken qesharake ti mendojnë), për ato raste kur investigimet bëhen subjekte shqiptare dhe aktivitetin e mëparshëm e kanë patur brenda vendit tonë.

Në rastet kur duhet të kryhen investigime edhe jashtë Shqipërisë, çka është më e vështirë, autoritetet e huaja duke mos patur shumë besim tek ne, nuk ka përgjigjen në të shumtën e rasteve, ose edhe kur përgjigjen përgjigjet janë negative.

Ky investigim duhet të kryhet patjetër, e për më tepër, që kjo lejë është njësoj sikur ti thuash kompanisë se tani ke lejë të “presësh para me gërshërë”, e thënë në gjuhën e popullit, por të paktën është në detyrimin e shtetit që “gërshërët” t’ja përcaktojë përpara se të miratojë lejën, e kjo arrihet me një ligj të mirë.

Edhe përsa i përket kontrollit të aktivitetit të kazinove apo lojrave të fatit në këtë ligj është parashikuar të jetë i varur dhe i dobët.

Ministri i Financave emëron personelin e Komitetit të Lojërave të fatit, ç’ka shprehimisht i bie që Ministri i Financave të kontrollojë veten e tij, gjë që nuk krijon asnjë lloj besimi për kontroll real.

Në SHBA Bordi i Kontrollit të Lojërave të Fatit emërohet nga Guvernatori i Shtetit, anëtarët e të cilit janë me punë të plotë. Ata përcaktojnë se anëtarët e Bordit duhet të jenë juristë, ekonomistë dhe nga FBI-ja, pra të gjithë specialistë.

Ndërsa në ligjin tonë jo pa qëllim nuk janë shprehur fare për arsimimin apo profesionet e tyre (mjafton të dinë të shkruajnë e lexojnë, e për rrjedhojë të preferuarit, apo servilë të titullarit). Gjithashtu për të krijuar paanshmëri tek Bordi i Kontrollit në ligjin amerikan është përcaktuar që jo më shumë se 3 anëtarë të këtij Bordi mund të jenë të së njëjtës partie politike, si dhe kanë mbajtur parasysh edhe krahinat, për të siguruar shpërndarje të drejtë gjeografike të anëtarëve, përkatësi gjeografike që Shqipëria për fatin e keq nuk ka arritur ta sigurojë as në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, pa le më në këtë ligj të dobët për të cilin po jap opinionin tim.

Po kështu në ligjin Amerikan përcaktohet se Bordi ka 7 divizione, si divizioni i hetimit, divizioni i taksave, divizioni i sigurimit, divizioni i shërbimeve, divizioni i mbikëqyrjes etj, në të cilët janë të punësuar rreth 490 veta, divizione për të cilët në ligjin tonë nuik flitet.

Në ligjin Amerikan dhe rregulloret e kazinove, janë të përcaktuara edhe ndalimet për personelin apo personat që kontrollojnë këto aktivitete. Ata e kanë të ndaluar të luajnë kazino, apo edhe të pijnë kafe në kazinotë që kontrollojnë, ndalim ky që i mbron në një farë mënyre nga korrupsioni, ndalim i cili duhet të jetë edhe në ligjin tonë.

Edhe mënyra e heqjes apo pezullimit të lejës për ushtrimin e aktivitetit të kazinosë në ligjin Tonë lë shkak për subjektivizëm. Në SHBA në rastet kur Bordi i Kontrollit të Lojërave të Fatit gjatë kontrollit të ushtruar vëren shkelje të ligjit, e bën me dijeni operatorin dhe i rekomandon tërheqjen nga aktiviteti,  nëse ai nuk e bën i hiqet liçenca dhe më pas është detyrim i tij të provojë nëse ai është në gjendje të mbajë liçencën, duke përcaktuar edhe mënyrën e  ankimit ndaj vendimit të Bordit.

Ndërsa në ligjin tonë nuk flitet për mënyrën e kontrollit, apo ankimimit për ndërprerjen e lejes, ç’ka lejon edhe ndërprerje abuzive.

Taksa për zhvillimin e lojërave të fatit në ligj është 1.000.000.000 (një miliard) lekw, taksë kjo për mendimin tim shumë e lartë. Kjo e bën konkurimin për marrjen e këtyre lejeve të pandershëm, pasi dihen subjektet që zotërojnë shumë të tilla në lekë, e sidomos kjo favorizon kompanitë e huaja.

Ligji jonë nuk përcakton cilat janë rastet që liçenca quhet e kufizuar, ose më saktë nuk e parashikon këtë lloj liçence fare, që në ligjin Amerikan është e përcaktuar e konkretisht në rastet kur kemi 15 makina liçenca quhet e kufizuar.

Unë mendoj se kjo është një e metë e ligjit që duhet korrigjuar.

Ligji Amerikan i formuluar, në mënyrë të tillë parandalon në maksimum pastrimin e parave të pista nëpërmjet lojës së kazinosë, duke parashikuar tre nivele të raportimeve të dyshimta, që ligji jonë nuk e parashikon. Kjo mendoj është e metë e madhe e ligjit, pasi dihet që pastrimi i parave të pista në Shqipëri është dhe mbetet një shqetësim, e kazinotë janë vendi më i përshtatshëm për ta kryer lehtë këtë “lavatriçe”. Këtu duhet të sjell në vëmendje se janë investiguar raste në Monte Carlo, që kazinotë kanë bërë pastrimin e parave të pista.

Gjithashtu në ligj nuk është parashikuar mënyra e pagimit të klientëve, këtu e kam fjalën për shumat, sa dhe si paguhen në cash, si identifikohet personi që luan apo fiton në kazino, si dhe si shërbejnë arkat (kasa). Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në plot vende paratë nuk merren në para fizike, por automati të jep faturën dhe paratë merren në kasa.

Në fund po ndalem fare pak për vendin që duhet të jepet leja për të ushtruar aktivitetin kazinotë, vend i cili në lejet e dhëna nga Institucionet Shqiptare është pare me shumë pak objektivitet. Konkretisht po i referohet shtetit të Nevadas. Më parë dy qytetet e saj Virginia City dhe Carson City, kanë qenë vend i minierave të floririt dhe argjendit. Me mbarimin e tyre vendi mbeti shkretëtirë dhe i vështirë për të jetuar. Legjislatori vendosi që të inkurojojë zhvillimin e turizmit, e për këtë u legalizuan lojërat e fatit dhe u pa një rezultat i rritjes si i popullsisë ashtu edhe i vlerës ekonomike. Kështu popullsia e Nevadas arriti në 800.000 banorë, pra një nga shtetet më të vogla të Amerikë, por për nga numri vjetor i vizitorëve është më e madhe se popullsia e shtetit më të madh të Amerikës.

Nëse Qeveria Shqiptare në dhënien e lejës për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit, veçanërisht kazinosë, niset nga një studim real i veçorive të vendit tonë me siguri nuk do të zgjidhte një ndërtesë në afërsi të qendrës së Tiranës, ndërtesë që dy katet nëndhese kanë ndërtuar për parkim autoveturash  (kjo sipas lejës së ndërtimit), destinacion i cili nuk duhet të ndryshohet, për të lejuar ushtrimin e aktivitetit të kazinosë.

Unë mendoj se mund të ishin zgjedhur fare mirë qytetet Përmet apo Bulqizë (unë nuk jam i njëanshëm për këtë mendim sepse nuk jam as nga Përmeti as nga Bulqiza), vende këto mëse të përshtatshme për zhvillimin e turizmit dhe inkurajimin e popullsisë për të jetuar atje me kushte ekonomike të përmirësuara si rezultat i zhvillimit të aktivitetit të lojërave të fatit.

Për sa më lart jam shprehur, mendoj se rruga e vetme e drejtë, është që Qeveria Shqiptare sa më parë ti paraqesë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për miratim ndryshimet e duhura në këtë ligj, pasi më parë të ketë revokuar lejet e dhëna për ushtrimin e aktivitetit të kazinove në Republikën e Shqipërisë. Nëse ushtrimi i këtij aktiviteti mbetet në kuadrin ligjor që kemi aktualisht, atëherë kazinotë kanë sovranitet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë siç kanë Fiset Indianë me kazinotë e tyre brenda Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjë të cilën nuk do na e falte Europa, të cilën kaq shumë e aspirojmë e në mes të së cilës gjeografikisht gjendemi, ose përndryshe do na etiketojnë “Fise Indiane”, në komunikimin me ne.

 

Facebook Comments

POST A COMMENT.

20 − 16 =