Histori shqiptare në Amerikë(foto)

DossierKryesore
30
0
sample-ad

Vlonjati i Motorolës, si iku me not më 1958, suksesi i inxhinierit tek Motorola & Samsung

Nga Dalip Greca

Shqiptarët në SHBA kanë treguar vitalitetin e racës, duke shkëlqyer në shumë drejtime. Disa prej tyre janë bërë publikë nga media, një pjesë kanë preferuar heshtjen. Ndër këta të fundit është edhe inxhinieri nga Vlora, Qamil (Kiamil) Gjonzeneli. Inxhinieri vlonjat, që kaloi nëpër një kalvar të vështirë jete, mbërriti në vendin e ëndrrave me shpresë se Zoti i kishte caktuar një tjetër fat, jo atë të brezit të humbur të moshatarëve të tij në Shqipërinë komuniste.
Arratisja e tij është një aventurë më vete. I rritur në një mjedis antikomunist Qamilit iu desh që të përballej me represionin. Ai u ndje i veçuar nga moshatarët, që kur babi i tij u gjend me pranga ndër duar më 15 dhjetor 1945. Me 4 shkurt babait iu dha dënimi me 101 vite burg, ndërkohë që të tjerët e akuzuar bashkë me të, i çuan në plumb. Pjesën më të vështirë të vuajtjes të atit iu desh që ta kalonte në atë që është cilësuar më i tmerrshëm se Ferri i Dantes, Burrel. Qamili kishte shkuar për ta takuar babanë në burg, por i ishte dashur që të priste jo pak, por 2 javë prapa telave me gjemba. Pa mizerjen me sy; babanë e dobësuar, të paushqyer, dhe zemra iu dridh fort.
Qamilin e përjashtuan nga Shkolla Teknike “Vojo Kushi” ku studionte, ç’ka i dha sinjal se nuk ishte pjesë normale e asaj shoqërie dhe se një ditë ndoshta do të zinte vendin e të atit në Burrel. Në mendjen e tij po gatuhej ngadalë një ide fikse; arratisja nga Shqipëria-burg. Po si? Baraka ku jetonin në Vlorë ishte pranë detit. Iu vu stërvitjes për të notuar në distancë. Përditë po e rriste rezistencën e të notuarit. Një italiane e mbetur në Vlorë, që nga koha e paraluftës, u bë një trainere e devotshme për të. Në verën e vitit 1951 tentoi që të maste rezistencën; notoi plot 200 metra. Iu duk pak për vendimin që i rrinte fshehur brenda vetes. Në vitin 1952-53 vazhdoi të stërvitej me ngulm. Në korrikun e vitit 1956 mori një varkë me vela dhe tentoi drejt Karaburunit, por koha e keqe, dallgët e mëdha e detyruan që të kthehej mbrapsht.
Iu kthye stërvitjes duke synuar distanca më të largëta. Në fillim notoi 1500 metra për 20 minuta; por nuk u kënaq nga rezultati. Vazhdoi me këmbëngulje. Notimi iu kthye në pasion. Për çudi, në vitin 1957, skuadra e notit e thirri në ekip. Konkuroi në tri gara dhe doli kampion. Kjo fitore nuk ia ndryshoi statusin në shoqëri, ai mbeti i biri i armikut të popullit, kështu që nuk iu largua ideja e arratisjes. Me 9 prill 1958 e mobilizuan në shërbim ushtarak në një repart pune. Bijtë e “armiqëve” nuk kishin të drejtë të mbanin në duar armë, me përjashtim të pushkëve të drurit. Reparti ishte përballë Korfuzit. Afërsia e Korfuzit nga bregu shqiptar, veçanërisht natën, kur dritat e sillnin më afër imazhin, ia bënë fikse idenë e ikjes. E studioi gjatë terrenin dhe çasti erdhi.
Arratisja
Më në fund e mori vendimin e ikjes, edhe pse ishte i bindur se pasoja të rënda do të binin mbi familjen e të afërmit, po ku do të shkonte më keq sa ç’ishin? Ishte një natë e bukur vere; 14 korrik 1958. Në orën 6 të mbrëmjes u largua nga reparti dhe priti errësirën. Gjeti momentin dhe u zhyt në ujin e ngrohtë të Jonit. Nuk kishte kaluar shumë kohë, kur nga pas dëgjoi britmat e ushtarëve dhe të lehurat e qenëve të kufirit. E kuptoi, në repart ishte dhënë alarmi. Notoi fillimisht me shpejtësi, më pas e normalizoi ritmin. Gati për tërë natën notoi. Lodhja e sfiliti, por nuk u dorëzua. Në shënimet që ka lënë pas kujton, se ajo që i dha kurajo që ta përfundonte atë mision ishte kalimi nëpër mendje i vuajtjeve të familjes; i shkoi ndërmend babai, burgu i Burrelit; arrestimet e shpeshta, kontrolli policor i jetës, frika për të folur. Kthimi mbrapa e çonte në qeli, ecja përpara mbante gjallë shpresën për liri. Dikur e pa veten mes dy delfinëve. Si në ëndërr! Në mëngjesin e 15 korrikut, kur ishte vetëm 500 metra larg bregut, i lodhur dhe i raskapitur, dy peshkatarë grekë që peshkonin, e kanë marrë mbi varkën e tyre dhe e kanë çuar në fshatin Auliotes. Fshatarët janë treguar të sjellshëm me të, e kanë ushqyer dhe më pas e kanë dorëzuar tek autoritetet ushtarake të Portit të Korfuzit. Aty, autoritetet ushtarake e kanë veshur, ushqyer; ka pushuar për disa kohë dhe më pas është thirrur në intervistë, ku ka treguar të gjithë dramën e ikjes, aventurën e tij dhe historinë e familjes si kundërshtare e regjimit komunist.
Pas katër ditësh qëndrimi në Korfuz, autoritetet ushtarake e shoqëruan për në Janinë. Qëndroi atje tre muaj duke iu gëzuar lirisë. Më pas u dërgua në Athinë, ku u intervistua nga zyrtarët amerikanë. Pas intervistës është mbajtë atje për gjashtë javë në një kamp refugjatësh. Më pas Qamili dërgohet në Lavrio, një kamp me refugjatë nga Ballkani, kryesisht nga Shqipëria, Bullgaria dhe ish-Jugosllavia. Ai ka rrëfyer se në kohën që ishte në atë kamp, aty strehoheshin rreth 500 refugjatë ballkanas.

Ëndrra

I gjithë kalvari i Gjonzenelit; udhëtimi Korfuz-Athinë-Lavrio, përfundoi me 27 mars 1959, kur mori rrugën drejt SHBA-së. Ëndrra po merrte përmasat reale të prekjes me dorë. Udhëtoi me vaporin “Olimpia”. Në shënimet e tij “The Ionion Sea”, Qamili tregon se udhëtimi ishte i këndshëm. Ai udhëtoi mes 1500 pasagjerëve të kombësive të ndryshme. Udhëtimi zgjati 13 ditë. Zbriti në portin e New York-ut. Pasditen e 9 prillit 1959 preku tokën amerikane. E priti bashkadhetari Alim Begaj, i cili i kishte gjetur një vend fjetje në Delancy Street. Nuk qëndroi gjatë aty, por shpejt u zhvendos në Hackensack, të shtetit New Jersey, ku e priti Ismail Çeprati, i cili i kishte zënë një dhomë pranë vendfjetjes së tij.
Pas punëve të vështira që kishte bërë në fillim; me ndihmën e shqiptarëve ai arriti që të siguronte një punë më të stabilizuar në kompaninë Swing Line në New York City, ku paguhej 42 dollarë në javë. Puna e re ia diktoi gjetjen e një banese në NY City. Rentoi një studio, për të cilën paguante 6 dollarë e 25 cent në javë. Diçka mbetej për t’u ushqyer, por gjithësesi duhej gjetur dhe një punë e dytë. Arriti që të punësohej me kohë jo të plotë si pjatalarës, ku paguhej 54 dollarë në javë. Më pas Qamili gjeti dhe një punë të tretë në fundjavë në një restorant, ku paguhej 33 dollarë. Kur kishte kohë të lirë frekuentonte rrethet shqiptare, pa munguar në darkat për festën e 28 Nëntorit, përvjetorëve të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Pikërisht në një nga këto festa në sytë dhe zemrën e tij mbeti i fiksuar imazhi i një vajze shqiptare. Nuk pati guximin që t’i fliste asaj atë mbrëmje. Më pas u lodh shumë së kërkuari, por nuk po e gjente. Kishte ardhë koha që të gjente shoqen e jetës dhe imazhi i vajzës që kishte parë atë mbrëmje nuk i shqitej sysh. Mrekullisht e takoi përsëdyti, po në një festim shqiptarësh. Këtë herë nuk e la rastin t’i ikte. Ia tha vajzës me një frymë atë ç’ka e mundonte; se imazhi i saj e kishte lënë pa gjumë, që nga darka e festës së Flamurit. Në fundjavë nisi të dilte me të. Vajza quhej Celia. Ia njohu shpirtin dhe pas njohjes erdhi dasma. Ishte i vetëm, kishte pranë vetëm një të njohur; Ismail Ceprati, i cili ishte shoqërues i tij gjatë dasmës, në mungesë të njerëzve të familjes. Dasma u bë me 22 tetor 1960. Pas dasmës, kishte projektuar rrugën e shkollimit. Në shtator 1961 u pranua në City College, NY. Gjatë vitit 1964 provoi dy gëzime, me 15 korrik i lindi djali, Philip, ndërsa në dhjetor përfundoi Kolegjin. Tashmë ishte inxhinier elektrik. Lamtumirë larje e pjatave dhe punë sfilitëse! Më 2 janar 1966 lindi djali i dytë, Kevin, ndërsa me 4 janar 1970 lindi vajza, Elsa.

Suksesi

Në vitin 1965 kishte marrë pasaportën amerikane, ndërkohë që po në atë kohë është emëruar inxhinier në RCA, në New Jersey. Duke përshkuar me kujdes rrugën e afirmimit të njohurive që kishte marrë në Kolegj, nuk heq dorë nga perfeksionimi i njohurive. Në vjeshtën e 1965 nis beteja për Master DeGree. Objekti i studimit ishte “The Defferential Amplifier and its Application in Am Radio”. Ndërkohë që po vazhdon kualifikimin ai bëhet i kërkuar nga kompani të tjera. Nga RCA shkoi tek Philco-Ford për një pagë më të mirë. Kompania ia beson kreun teknik, duke emërtuar kryeinxhinier. Në vitin 1967 arriti mbrojtjen e diplomës, ndërsa me 22 maj 1968 kreu Master De Gree me rezultatin absolut “A”. Emri i inxhinierit shqiptar tash po bëhej i kërkuar. Ndër shumë oferta që iu paraqitën, pranoi atë Texas Instruments në Dallas.
Paralelisht me ngjitjen e shkallës së karrierës, vazhdon kualifikimin, në shtator 1968 regjistrohet për Ph.D në SMU. Inxhinieri vlonjat kishte tërhequr vëmendjen e kompanive elektronike. Ai u bë paraprijës i teknikës bashkohore; disenjoi Memory Chip 1074 bit dhe shumë tipe te tjerë të Memory Chip.
Një dhjetëvjeçar i shkëlqyer karriere ishte për inxhinierin vlonjat periudha 1970-1981 si Desing Manager. Kur ishte tek Texas Instruments, kompania INTEL i bëri oferta të majme, por bashkëshortja i kërkoi që të mos lëviznin në California. Shumë shpejt i ngjiti Qamil Gjonzeneli shkallët e hierarkisë në kompani; në fillim të viteve ’70 ishte president i një dege të kompanisë; në vitin 1975 ishte dezajn menaxher, më pas menaxher i përgjithshëm. Në vitin 1976 inxhinier i suksesshëm vlonjat, pranon një ofertë të Motorolës në Osten, Texas, si Disaing manager. Pagesa shkon në 250 mijë dollarë, jo vetëm aq, por kompania i bleu edhe një shtëpi luksoze, ndërkohë që kishte më shumë se 3 mijë share në aksione. Suksesi që arriti në këtë kompani, ishte i jashtzakonshëm. Menaxhonte punën e më shumë se 100 inxhinierëve. Produktet e kompanisë që kishin firmën e inxhinierit shqiptar ishin më bashkohoret dhe njohën një shitje të jashtëzakonshme. Në kronikat e shtypit të kohës është shënuar shifra e 200 produkteve të reja nën menaxhimin e shqiptarit, dhe kompania siguroi rreth 35 milionë shitje. Ky sukses i mundësoi Qamilit një pritje nderuese nga bossi i kompanisë Bob Galvon. Në kronikën e sukseseve të kompanisë shënohet se nga viti 1971-1981, të ardhurat e Motorolës shkuan nga 3 milionë në 43 milionë, ndërsa më pas shifra shkoi në 200 milionë. Në sukseset e kompanisë ishte dhe kontributi i kryeinxhinierit shqiptar, Qamil Gjonzeneli. Në vitin 1981 atij iu dha rasti të shkojë në Japoni, i ftuar nga kompania e famshme japoneze HITACH.
Në vitin 1982 sërish shkon në Japoni, i ftuar, ku vizitoi fabrikën e famshme, më e mira në botë, OITA, i ftuar nga presidenti i saj. Suksesi i shqiptarit në Motorola pati suportin e mikut të tij amerikan Al Stain, që ishte menaxher i përgjithshëm i kompanisë së famshme. Kur miku i tij vendosi të “divorcohej” me kompaninë, të njëjtën gjë bëri edhe Qamili, i cili pranoi një ofertë nga Arizona për të menaxhuar SGS Thomson. Në atë kohë mori një ofertë nga Samsungu në Kore për të shkëmbyer përvojë. Zv/presidenti i Samsungut, që i kishte dërguar ftesën, i ofroi Qamilit që të punonte për kompaninë e fuqishme, Samsung për Amerikën. Me 30 shtator 1985, Gjonzeneli u emërua drejtor teknologjie në Santa Clara. Punët po i ecnin mbarë. Inxhinieri shqiptar ishte bërë shumë i kërkuar nga kompanitë elektronike. Kompania “California Micro Devices” e emëroi drejtor ekzekutiv e më vonë president. Kur shkoi, gjendja financiare e kompanisë ishte shumë e ulët; aksionet e saj shiteshin me 1 dollarë e 30 cents; ai për një kohë të shkurtër i ngriti ato në 15 dollarë. Emri i Gjonzenelit dominonte në shtypin e specializuar amerikan. Sapo e kishte ngritur këtë kompani, i shkoi një tjetër ofertë nga Texasi prej kompanisë “Infinite Tecnology’. Kjo kompani i ofroi bashkëpronësi dhe postin e presidentit për një kompani të sajën-“MIR TRONIX” në San Jose në California. Duke qenë në majën e kësaj kompanie iu dha mundësia për udhëtime të shpeshta në Japoni dhe Kore e bashkëpunim me kompanitë e fuqishme. Kësaj kohe i përket bashkëpunimi i tij me NPC dhe TOSHIBA. Pas disa kohësh Gjonzeneli “divorcohet” nga MIR TRONIX, dhe u bë pronar i vetëm i kompanisë ICFT. Punoi me partner nga Japonia, ku vend kryesor zinte NIKO. Kjo kompani kërkonte nga kompania e Gjonzenelit shitjen e produkteve të saj në të gjithë botën, me përjashtim të Japonisë. Inxhinieri shqiptar, duke qenë i lidhur me kompanitë elektronike më të fuqishme, e ndoqi hap pas hapi dhe i priu revolucionit teknologjik elektronik. Ai gjatë të gjithë karrierës shkëlqeu.

Familja

Ndërkohë me Shqipërinë i kishte të shkëputura marrëdhëniet. Familja e tij dhe të afërmit vuajtën deri në shembjen e diktaturës komuniste. Nuk arriti që të hidhte një dorë dhè mbi varret e nënës dhe babait. I takoi 15 pjestarët e familjes për të parën herë me 15 korrik 1990, 32 vjet pas ikjes, në Milano të Italisë. Me 27 nëntor 1990 ai mundi që t’i sillte ata në Feniks, Arizona. Pas takimit mësoi dramën e familjarëve që kishin vuajtur në Shqipëri, si dhe prindërve që kishin ndërruar jetë pas një kalvari vuajtjesh. Në shënimet e tij të lëna në atë që mund të cilësohet si ditari i tij, i titulluar “The Ionion Sea”, shkruhet kronika e jetës, që nga rinia, arratisja, ardhja në Amerikë, familja dhe karriera. Vëllai i dorëzoi dy kaseta, ku ishte përjetësuar vdekja e nënës dhe e babait. Vaji i nënës mbi arkivolin e babait, dhe vaji i motrës Sulltane mbi arkivolin e nënës, e tronditën dhe dhimbja ia dërrmuan shpirtin.
Inxhinier shqiptar, Qamil Gjonzeneli (Kiamil Giontzeneli-emri i adaptuar në SHBA), u nda nga jeta me 26 gusht 2011 në Feniks-Arizona, duke lënë pas bashkëshorten, vajzën Elsa, mësuese, që ka lindur dy vajza të bukura, djalin Kevin, që është regjisor për filma multiplikativë (ndërsa djali i madh Philipi, u nda nga jeta 2 vjet para ikjes së babait nga një sëmundje e rëndë.
(Botoi Dielli, si dhe Gazeta Shqiptare, 1 dhjetor 2011)

Facebook Comments

POST A COMMENT.

17 + 7 =