Toleranca nuk është marrëzi

Opinion
20
0
sample-ad

(Reagim mbi një shkrim të Mustafa Nanos mbi tolerancën fetare)

Sadik Bejko

exova një shkrim të M Nanos si refleksion mbi atë që kryeministri Rama tha në Nju Jork (ne shtator 2015) për përkatësinë fetare të familjes së tij. Kryeministri, pak a shumë, tha që ne si familje jetojmë nën të njëjtën çati si katolikë, si myslimanë dhe si ortodoksë.
Mustafa Nano me atë sigurinë që i jep profesioni i tij , shprehet në shkrim se realisht Ramajt nuk janë fetarë. Sipas tij, Ramajt si familje nuk kanë punë me fenë, nuk kanë rrënjë në asnjë besim. Guximi i tij shkon edhe më tej: shqiptarët të gjithë janë si familja Rama, nuk besojnë në fe veç sipërfaqësisht.
Dhe ai është fort i sigurtë në këtë që mendon. Në kohët që ndërrojnë, në vakumin e kohëve që përmbysen, qarkullojnë si dije plot opinione të mjegullta.

1. Bashkëjetesë fetare e detyruar

Në një gjë ai ka të drejtë: besimet fetare janë të ndara prerazi: ose kështu ose ashtu. Ose myslimanë, ose të krishterë, në mes nuk ka. Ata që janë edhe kështu, edhe ashtu janë liberalë, relativistë dhe relativiteti nuk ka të bëjë me fenë. Kush jeton jashtë normave ashpërsisht kanonike të feve, jeton në hipokrizi, apostazi, sinkretizëm, afetari.
Por ka qenë një realitet fetar 400-500 vjeçar në këto treva që u thonë Arbëri\ Shqipëri. Në këtë realitet të përzjerjes fetare, pa e mohuar fenë, secili duke iu lutur zotit sipas besimit të tij, mbase nuk ka shumë fetari kanonike, por është ruajtur një rrjedhë fetare në vazhdimësi shekullore. Mos vallë në këta 400 – 500 vjet jetuan njerëz pa besim a pa kanone të rrepta në fetari? Këtë nuk mund ta marrim të mirëqenë pa provë. Duam nuk duam, bashkëjetesa fetare ka qenë e detyruar dhe e rregulluar me ligje nën pushtetin osman. Në lagjen brenda kalasë së Beratit ishin dyzet kisha dhe ngjitur me to dy xhami ku falej e kryente ritet në 400 vjet ushtria e garnizonit të kalasë.

2. Noel Malkolmi, fshatari i Gjakovës dhe Edi Rama

Për të mos e zgjatur, po sjell një faqe nga libri i Noel Malkolmit “Kosova, një histori e shkurtër”. Në faqen 186 flitet për një sinkretizëm të riteve dhe të besimeve. Në një fshat në periferi të Gjakovës priftërinjtë katolikë priten nga i zoti i shtëpisë me përzemërsi me fjalët: “Urdhëroni etër!…Në shtëpinë tonë kemi katolicizëm, islamizëm, ortodoksizëm”.
Edi Rama në Nju Jork nuk ka thënë hiç më pak sesa ky fshatar nga periferia e Gjakovës më 1661.
Sipas shkrimit të M .Nanos do të thoshim se dhe ato xhamitë e kishat e Beratit, dhe ky fshatari i Gjakovës, dhe Edi Rama ishin e janë të përbërë nga njerëz pa besim në zot, pa besim në ndonjë fe, pa përkatëësi fetare, ishin e janë një farë soj besimtarësh pa ngjyrë a identitet në fetari.
Së paku, për Ramajt autori i shkrimit a e di me siguri që këta janë të tillë me etiketa besimesh, pa përmbajtje në besim te zoti, pa rrënjë në fetari?

3. Traditat janë më të forta se kanonet dhe ligjet

Nuk kam qëllim thjesht të kundërshtoj M. Nanon. Qëllimi im është të vë gishtin në një të vërtetë që shpërfillet: mbi pesë shekuj te ne u bë traditë të jetonin krah më krah katolikë, myslimanë ortodoksë. Në Berat, në Korçë, në Gjirokastër, në Durrës, në Shkodër, në Prizren etj as njëqind metra larg në vijë ajrore kambanat e kishave përziheshin në ditët e festave me zërat e myezinëve në xhami. Kjo traditë e vendosur me dhunë, me fermane, në pesëqind vjet nuk hidhet poshtë me etiketën afetari. Në ato kushte liturgjitë kryheshin në gjuhë që vendasit shqiptarë nuk i kuptonin. Ortodoksët predikonin në starosllavisht a në greqishten bizantine, (siç dëshmojnë dhe kodikët kishëtarë), katolikët në gjuhën latine, në minaret luteshin arabisht. Njerëzit, në shumicë analfabetë, menduan se këto falëtore janë shtëpi të zotit. Në to njësoj le t’i falemi atij.
Traditat janë më të fort a se kanonet e kishave apo të shteteve. Njerezit bejne zakonin, martohen, jo se te gjithe te martuarit dashurohen. Njerezit vdesin zakonet me te fforta se ata, jetojne.
.Vetë të krishterët janë edhe ortodoksë, edhe katolikë, një ungjill kanë, por traditat i kanë ndarë. Traditat në shenjtorë të ndryshëm, në liturgji ndryshe, në datat sipas kalendarëve përkatës, në sakramente etj, i ndajnë edhe sot në dy kisha që fshehin në njëra-tjetrën shumë armiqësi. Traditat janë klishe që zbatohen ashtu si janë, ndiqen pa mend, në terr, në verbëri. Pse? Se kështu e kemi, kështu na e kanë lënë të parët. Eshte e njohur ajo qe kur ne kishen ruse do te behej nje ndryshim ne rite, ne nje nga ritet shekullore, murgjit e shume manastireve shpallen se do te tridheshin.
Por… ndokush nga afetaret tane te ardhur nga komunizmi,, si afetare që nuk njohin as besimin si mistikë, as traditat e ngulëta në fetari, a mun t’u mësojë të tjerëve se ku janë e ku nuk janë ata në fetari?
Çudituni po të doni.
Me të drejtë mbase, disa thonë që shqiptarët nuk janë tolerantë, por në çfarë gjërash nuk janë tolerantë? Nëse ne u ngurtësuam në zakonin shekullor që të jetojmë bashkë si myslimanë, katolikë dhe si ortodoksë, dhe, nëse vazhdojmë të jetojmë edhe sot kështu, kjo përbën traditën tonë. Nëse kjo traditë e jona prodhon tolerancë… ne, (pa e ditur ? ) po e pranojmë veten si të tillë, fetarisht tolerantë. Po, po… paradoksalisht… ne shqiptarët qënkemi konservatorë kokëfortë, të ngulur në një traditë që vetëvetiu na prodhoka tolerancë.
Mirë. Le ta pranojmë veten ashtu si jemi

Facebook Comments

POST A COMMENT.

11 − 6 =