Flet “Zonja Çurre” nga Irani që sherri me babanë hapi konflikt në Tiranë

AktualitetKryesore
61
0
sample-ad

Somayeh Mohammadi, është njëra nga 3 mijë muxhahidinët iranianë të strehuar në Shqipëri, që i janë kundërvënë pushtetit në Teheran.

37 vjeçarja është bërë personazh shumë i njohur ditët e fundit, madje sot ka dalë edhe në televizionet e Britanisë së Madhe.

Ajo u bë e njohur pasi babai i saj, Mostafa Mohammadi, i cili ka shtetësi kanadeze ka ardhur në Shqipëri dhe kërkon të bijën ti bashkohet familjes, pasi sipas tij, ajo rri pa vullnetin e saj në kampin e Manzës në Shqipëri.

E qetë, Somayeh, që megjithatë nuk e fsheh dhimbjen për familjen e saj, tregon se ajo ka zgjedhur të rrijë me vullnetin e saj në radhët e opozitës iraniane.

“Më dhemb familja ime, por ata kanë zgjedhur që të qëndrojnë me regjimin, e unë me opozitën. Ëndrra ime është liria e populit tim. Jam këtu dhe lidhem me miq e kushurinj përditë në Iran, po vuajnë shumë dhe së shpejti ai regjim do rrëzohet”, thotë Somayeh.

E lindur në Teheran, pjesë e një familje të shtresës së mesme, ku babai i saj punonte në ndërtim pikërisht në bumin e rritjes së kryeqytetit Iranian, gruaja që mban në kokën shaminë kaki të Mek dhe që sipas traditës nuk u jep dorën burrave, tregon se vendosi të bëhet pjesë e lëvizjes kur ishte 18 vjeç.

“Më dha lejen edhe babai edhe nëna”, thotë duke treguar dy letra të shkruar në farsi që sipas saj mbanin firmën e prindërve.

Por kur shkoi në kampin Ashraft në Irak, si pjesë e gjeneratës së dytë të aktivistëve të Mek, ajo u përball me një lëvizje të fortë që sipas saj është e shtyrë nga regjimi.

“Mostafa Mohammadi është babai im, por ai është edhe njeri që punon për llogari të shërbimit sekret iranian.

Në Irak, kur fitoi qeveria shiite dhe kishte marrëdhënie të mira me Iranin, regjimi instaloi aptoparlamentë me fuqi shumë të madhe dhe na kërcënonin jashtë telave me gjemba. Një nga këto është edhe babai im dhe vellëzërit që më kërcënonin se do me presin gjuhën, kokën, duart, vetëm se pse jam pjesë e opozitës. Por unë jam adulte dhe kam rrugën time. E them se e kanë të kotë, nëse babai im do që unë të jetoj më mirë të tregojë të vërtetën e vuajtjes së popullit tonë”, thotë ajo.

Në fakt i ati, Mustafai ka ardhur në Shqipëri dhe i ka shkruar Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, duke pretenduar se e bija mbahet peng nga muxhahidinët.

Xhafaj ka kërkuar që çështja të trajtohet nga Prokuroria. Në fakt Prokuroria e Durrësit ka marrë në pyetje Somayeh Mohammadi dhe kjo e fundit ka thënë se ishte në vullnetin e saj në kampin e Manzës.

“Unë jam e lirë, punoj me kompjuterët, lexoj, shkoj në dyqane, vizitohem te doktori, kam jetën time me një fjalë, e gjithë ajo që thotë babai im është për t na diskretituar, duke thënë se jemi organizatë e mbyllur. Por asgjë s’është e vërtetë”, thotë ajo.

Megjithatë Somayeh bën më shumë një jetë revolucionareje sesa një grua që duhet të përkushtohet për jetën e saj. E shtyn me libra, madje ka shkruar edhe një libër mbi jetën e saj që është edhe në farsi, pra persisht por edhe në anglisht.

Duket një lloj “Zonja Çurre” e ditëve të sotme që flet për ideale, liri dhe shpëtim.

Kur e pyet për martesë, lidhje, ëndërr për të lindur fëmijë, Somayeh ta pret shkurt: “Ëndrra ime është që Irani të jetë i lirë. Të tjerat më pas. Fundja është vullneti i Zotit se kur unë do të gjej fatin e jetës. Tani për tani kam zgjedhur të luftoj për lirinë e popullit tim”, thotë ajo me një zë të qetë, duke ju përgjigjur pyetjes mbi çudinë e kësaj marrëdhënie familjare të nderë.

Rri pak e menduar e më pas vijon: “shiko ka edhe të tjerë që regjimi na është futur në familje dhe përdor kërcënimin. Por nuk dua të bëj politike se nuk dua që Shqipëria të kthehet në shesh lufte iranianësh që kanë kundrshtime politike. Unë thjesht dua të flas për atë që mendoj dhe të kundërshton të pavërtetat. Pastaj un e di mirë që në Iran gjërat do të ndryshojnë shpejt. Por shqiptarët nuk do t’i harrojmë na kanë mirëpritur si motra e vëllezër. Kjo ishte një sprovë që Zoti na ka dhënë të dyve”, thotë Somayeh, ndërsa i shpëton një lot që e fshin me cepin e shamisë.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

two + five =