Pse Berisha shpërndau “betimin për luftë” të LSI-së në Jalë dhe kujt i drejtohej

AktualitetKryesore
60
0
sample-ad

Skena: një betim solemn allaushtarak i rinisë së LSI-së në kampin e Jalës.

Me dorën e vendosin në krah të ballit siç bëjnë ushtarakët kur betohen nën armë, të rinjtë që janë nën urdhërat e Monika Kryemadhit janë betuar se do të rrëzojnë qeverinë e Edi Ramës.

Një demostrim politik për të rritur profilizimin e LSI-së si opozitë e ashpër ndaj qeverisë, e cila i dërgon një mesazh të qartë jo vetëm Edi Ramës që është kryetar i qeverisë, por edhe Lulzim Bashës, partnerit në qeverisje.

Por ajo që bën përshtypje më shumë në këtë rast është se faktori politik që i jep rëndësi politike aktit simbolik të rinisë së LSI-së është as më pak e as më shumë por lideri historik i Partisë Demokratike dhe njëkohësisht ish-kryeministri i vendit Sali Berisha.

Duke publikuar videon në faqen e tij të Facebbok-ut, Dr.Berisha e quan veprimin e LRI-së si një parathënie të revoltës që do të shpërthejë në shtator, paralajmëruar nga qarqe politike pranë tij.

“Rinia e Tiranes do permbyse narkoshtetin! Nje shtator i tmerrshem per Noriegen dhe narkoqeverine e tij. Nderim te rejave dhe te rinjve te Tiranes! Fitore! sb”, shkruan Berisha, duke publikuar videon origjinale dhe jo duke i bërë share faqes së LSI-së.

Një gjest i çuditshëm reklama që i bën doktori LSI-së së Monika Kryemadhit?

Jo dhe aq, por që padyshim vlen të analizosh arsyet por edhe ç’farë nënkupton ky mesazh.

Fakti më i rëndësishëm që duhet komentuar është se në radhët e opozitës shqiptare nuk ka një situatë të mirë uniteti.

Në kampin e famshëm të Jalës, ku LSI dërgon falas të rinjtë e partisë së vet me turne dhe ka ngritur një “kazermë” politike ku gatuhen veprimet e sezonit të ardhshëm, edhe pse ka pasur oratorë të shumtë që u janë drejtuar të rinjve, ka munguar Lulzim Basha, partneri kryesor i LSI-së në opozitën ndaj qeverisë së Edi Ramës.

Ftohja Basha-LSI, duket se vazhdon prej disa muajsh, por megjithatë kjo situatë nuk e ndalon dr.Berishën që të bëjë reklamë për partinë aleate por edhe rivale të PD-së në opozitë.

Cilat janë arsyet për këtë? A është ky një fenomen i ri.

Prej kohësh në fakt qarqe të opozitës, siç është një media shumë pranë ish-kryeministrit Berisha, përveç se është mjaft e ashpër ndaj qeverisë, i ka dhënë mjaft hapësirë edhe aksioneve apo deklaratave të eksponentëve të LSI-së.

Ka një “kimi” të qartë mes doktor Berishës dhe partisë së Monika Kryemadhit, dhe kjo ngjizje shikohet mjaft qartë në qëndrimin thuajse identik kundër ambasadorit Donald Lu, ambasadores Vllahutin, si dhe për vijimësinë e procesit të reformës në drejtësi e vettingut.

Ndërsa Lulzim Basha mban një qëndrim të dyzuar në këtë proces, Kryemadhi e Berisha janë të ashpër dhe e kundërshtojnë në tërësi atë që po ndodh në rrënimin e ngrehinës së vjetër të drejtësisë.

Publiciteti që Berisha i bën veprimit “guerrillas” të LRI-së në plazhin e Jalës, nuk duket se është gjë tjetër, veçse mesazh me disa drejtime i tij në influencën padyshim të madhe q ëish-kryeministri ka në politikën shqiptare.

Është mesazh i prerë e i qartë se ai përkrah vijën politike të LSI-së dhe kjo është pa ekuivok, pasi mbështet edhe qëndrimin disavjeçar të Berishës për një “revolucion demokratik” qoftë edhe me “armatosjen e shqiptarëve”.

Mesazhi tjetër i drejtohet siç duket Lulzim Bashës, për t’i bërë thirrje që të nisë edhe ai vijën që Kryemadhi ka ndërmarrë në brigjet e detit Jon-pra një përgatitje të madhe për “luftën e shtatorit”.

Një tjetër dimension i asaj që Berisha dërgon me publikimin e videos së LSI-së është aleanca PD-LSI që siç duket tek kryeministri ka mbështetësin më të fortë.

Mesazhi ndaj Bashës është i qartë e që duket se kërkon t’i thotë se ish-kryeministri do ta mbështesë pa kushte aksionin “revolucionar” të LSI-së edhe nëse PD-ja zyrtare nuk do ta bëjë këtë.

Jo më kot qarqe pranë Berishës folën për “kryengritje pa kthim në shtator”, duke e bërë fakt të kryer.

Dhe nuk duket e rastësishme që thirrja e Berishës vjen pikërisht pas deklaratës së Donald Lu-së, dy ditë më parë, ku i kërkonte Lulzim Bashës që të bashkojë votat me mazhorancën për të zgjedhur Kryeprokurorin e ri krerët e KLGJ-së e KLP-së.

Në politikë nuk ka rastësi: “revolucioni” në shtator bie fiks me procesin kur duhet të themelohen institucionet e lartë të drejtësisë.

Dhe “revolucioni” natyrisht që synon t’i pengojë, ose të paktën t’i shtyjë…/shtypi.net/

Facebook Comments

POST A COMMENT.

19 + 6 =