Pas masakrës së Selenicës: a është represioni “ilaçi” kundër dhunës? Rastet kur krimi vazhdoi edhe pas dënimeve “shembullore”

AnalizeKronikeKryesore
40
0
sample-ad

Pas masakrës së Selenicës është folur e derdhur lumë inati, dhimbja e natyrisht mallkimi për vrasësin e tmerrshëm që shoi tetë jetë njerëzore.

Rezultantja e shumicës së komenteve në hapësirën virtuale është ose kthimi i dënimit me vdekje, apo që vrasësi të ishte ekzekutuar nga policia.

Pra kërkohet që dhunës së njeriut që kreu krimin makabër t’i përgjigjej dhuna e shtetit.

Një reagim që përgjithësisht ka ndodhur në gjithë historinë e njerëzimit.

Megjithatë, problem më shumë se tek represioni si mënyrë zgjidhjeje qëndron tek shtrati social që e ushqen dhunën, konfliktin, lehtësinë për të kryer krime kaq të tmerrshme.

Në historinë e shtetit shqiptar, edhe pse legjendat urbane përhapen si vaji në lakra, është vërtetuar se represioni edhe pse ka qenë në proporcion nga ana e shtetit, ai nuk ka mjaftuar për të ndalur kriminalitetin, por aq më pak edhe ngjarje të tilla makabre.

Në kohën e komunizmit, reagimi i shtetit ka qenë shumë i ashpër ndaj krimeve të rënda, por gjithsesi nuk u arrit të ndaleshin ngjarje të rënda, edhe pse ishin më pak, për arsye edhe të logjistikës që njerëzit kriminocidë zotëronin. Armët e zjarrit u kthyen në një “fuqi” plus e kësaj force të tmerrshme të errësirës.

Por edhe gjatë shtetit post komunist, edhe pse ka pasur reagime të forta shtetërore ndaj ngjarjeve të rënda, nuk është ndaluar furia e dhunës, edhe pse ushqehet e kundërta për arsye simpatish politike.

Është folur shpesh ditët e fundit, për ngjarjen e LIbofshës të vitit 1992, ku dy persona masakruan pesë vetë të një familje, duke vrarë edhe një foshnjë.

Të dy autorët u varën në mes të Fierit, ku u lanë 24 orë për të dhënë një mesazh represiv ndaj krimit.

Por a u ndaluan krimet, edhe pas atij dënimi “shembullor”?

Thuhet shpesh, sidomos nga njerëz që përkrahin PD-në se pati një ndalim krimesh për disa vite, porn ë fakt statistikat thonë të kundërtën.

Pikërisht në ato vite, u “ligjërua” gjakmarrja si “drejtësi”, e cila u kthye në një fenoment të rëndë dhe plagë sociale kryesisht në malësinë e Shkodrës, madje tragjikisht hyri edhe në qytet.

Ashtu ndodhi edhe pas vitit 1997, kur armët dolën sheshit dhe vrasja mori dhenë.

Edhe pse shteti ka vrarë mjaft autorë krimesh makabre, si p.sh masakra e Beratit 1998, por edhe më tutje, ngjarjet dramatike nuk u ndalën.

Dhuna nuk mund të jetë një mjet për të ndalur dhunën, përveç-se mund ta ushqejë atë.

“Mjerimi nuk kërkon mëshirë, kërkon të drejtë”, thoshte Migjeni.

Vrasja apo dhuna është kthyer në një mjet për të zgjidhur problemet apo mosmarrëveshjet në shoqëri.

Kjo pasi shteti prej vitesh nuk gjendet në mesin e njerëzve, por është kthyer në një mekanizëm për të përfituar prej njerëzve.

Drejtësia shqiptare nuk u kthye në këto 20 vjet në sistemin që të sulmojë krimin, politika e ka përdorur dhe e përdor detashmentin criminal si krah të armatosur të saj.

Ndërkohë që gjuha që politika si pjesë kryesore e sistemit që administron shtetin përdor dhunën si instrument kryesor për të fituar, mbajtur pushtetin, apo edhe për të komunikuar me rivalët apo edhe pjesën tjetër të shoqërisë.

Dhuna verbale e kthyer në një rezultante si instrument për të folur me shoqërinë për të shantazhuar pjesën tjetër, e ka bërë shoqërinë të jetë e polarizuar dhe me “gjak të ngrirë” se kur do të vijë trazira e radhës.

Ndërkohë thelbi i të gjithave është padrejtësia dhe pabarazia në ndarjen apo administrimin e të drejtave dhe lirive.

Prona, produkti bazë i së drejtës njerëzore është çështja më e pazgjidhur, ose më mirë të themi e keqzgjidhur në vend, duke mbetur si një minë e pashpërthyer në të gjithë territorin e vendit.

Shqiptarët që kanë marrë tokë nga i “tmerrshmi” 7501 nuk e gëzojnë atë, pasi nuk kanë as tapi por as nuk kanë të drejtë ta shesin apo tjetërsojnë.

Ndërkohë edhe vetë toka nuk është ndarë në gjithë vendin.

Tokat më të mira në vend, ato të ish-NB-ve apo fermave u tjetërsuan egërsisht në xhungël, duke përfituar në bazë të dhunës më i forti apo më i fuqishmi politikisht.

Ndërkohë edhe vendimet e gjyqësorit në vite kanë kontribuar në thellimin e kësaj padrejtësie.

Pabarazia e skajshme, ose standardi i dyfishtë që shteti përkrah më “të fuqishmin” dhe jo “qytetarin” si concept kushtetues, është një tjetër minë e paplasur që ndodhet në çdo cep të territorit të Republikës.

Ngjarje si e Selenicës ndodhin herë pas here, por shoqëria në vend që të merret me shkakun që pjell këto monstruozitete, ndërsen dhunën e represionin shtetëror si zgjidhje.

Ndoshta mund të dalë një efekt i përkohshëm por që normalisht do të zgjasë pak…/shtypi.net/

Facebook Comments

POST A COMMENT.

two × 2 =