Ende trembem nganjëherë

Editorial
36
0
sample-ad

Pallati ku mora një apartament në katin e gjashtë, u ndërtua me dy seksione. I pari u mbush me banorë, ndërkohë që tek i dyti ende s’kishin mbaruar punimet e brendshme. Unë nuk dija kush banonte as në katet sipër, as në ato poshtë meje. Por qentë nisa t’i shquaja nga njëri-tjetri, sepse në ballkon ndihesha si në një kullë vrojtimi. Megjithëse të gjithë kishin qafore, veshjet e dimrit i kishin të ndryshme. Disa mbanin vetëm çorape, bulldogu çorape e shpinore, dobermani edhe kapuç me vrima për veshët e gjatë të ngritur përpjetë. Mbaj mend tre pekimezët vocërrakë, ata mbanin kordele me zilka e pështjellakë, ndërsa dalmatini e terrieri sall jelekë të verdhë. I vetmi pa kurrgjë në trup ishte pastori gjerman i Napoleon Bonatës, fqinjit tim të fuqishëm, që mëtonte për t’u bërë administrator i Shkallës së Parë, siç cilësohej seksioni ynë. Ky babëloku, ndonëse kishte vuajtur tre vjet burg, nuk i kishte lejuar vetes asnjë flashkje të muskujve. Ç’është e vërteta, po atë kujdes tregonte edhe për mikun e tij, pastorin, i cili më kujtonte ata eracakët e frikshëm nëpër aeroporte e pika portuale. Edhe pse paqësor e me mëgojzë, duke qenë krejt i zi, Çusku i tij sikur shpërndante njëfarë kërcënimi përqark, ngaqë midis kopesë thuajse tërë drita binte mbi atë.
Shkalla e Parë ishte e mbarë. Me të kaluar bërrylin afër, fëmijët i binin shkurt për në shkollë, ndërsa të rriturit dilnin shpejt në rrugën tregtare. Në atë rrugë ishte një Qendër biznesi, supermarketi, poliambulanca e lagjes dhe ca kafene të famshme, që për ngrohjen e brendshme mbanin ca reflektorë të mëdhenj me disqet si dielli.
Edhe kafshët ishin me fat. Sheshi para pallatit, i shtruar me pllaka ngjyrë pane, kishte hapësirë të madhe për qentë. Të zotët i linin një copër herë të vërtiteshin aty. Pastaj u vinin rripin dhe i nxirrnin në qytet për shëtitje. Por kur ktheheshin, sërish u jepnin liri dhe qentë nuhateshin, lëpiheshin, kalamendeshin, bënin laradasha dhe bridhnin lirisht në tërë hapësirën e plaftformës, nga cepi në cep të pallatit.
Kur mbaruan punimet dhe mbërritën banorët e shkallës tjetër, çuditërisht, vërejta një ndryshim të menjëhershëm. Meqë nuk jam ndonjë njohës dhe as vëzhgues i hollë, kërkoj ndjesë që ndryshimin po e shpreh me fjalët e mia. Së pari, tufa jonë sikur u bë më kompakte. Së dyti, qentë tanë sikur po urinonin më shpesh. Madje urinonin edhe duke e tejkaluar ca metra gjysmën e sheshit. Ndonjëri prej qenve të Shkallës së Dytë nxitonte në çast te pellgaçja. Mirëpo, si i merrte erë, në vend ta kapërcente për të avancuar përpara, tërhiqej mbrapa, sikur aty të ishte ngulur ndonjë piramidë, kufizimin e së cilës dinte ta interpretonte. Kjo zbythje nuk u shpëtonte qenve tanë. Unë i shihja si zbardhnin dhëmbët, por në një mënyrë që skërmitja i ngjante ngërdheshjes. A mos përqeshnin kundërshtarët, për t’ua ulur hundën dhe për t’ua thyer guximin?
Dalëngadalë, nxora ndonjë logjikim me veten. Qentë tanë ishin përgatitur tashmë për ta mbisunduar atë territor dhe, në rast nevoje, për ta mbrojtur në grup. Diku kisha lexuar se, sipas etologjisë humane, edhe njeriu e ka përcaktuar territorin e vet dhe ndërhyrja në territorin e tij konsiderohet agresion. Dukej açik se kopeja jonë po e shihte agresionin edhe si mjet mbrojtës, edhe si mjet sulmues. Natyrisht, banorët e dy seksioneve nuk mund të rrinin shpërfillës, secila palë u rreshtua përkrah kopesë së saj.
Unë vetëm një ditë ndërhyra me një vërejtje të vogël. Deri atëherë askënd s’kisha parë me doreza e qese plastike. Në atë platformën ngjyrë pane ndodhte të shkelnim në të pëgëra. Sidomos kur defektonin dy pitbullët, kaq zgjateshin e hapeshin prapa, sa dukej sikur do të shkyheshin nga shalët. Pa dashje, këpucët e merrnin me vete ndyrësinë dhe gjurmët shkruheshin deri në ashensor, deri nëpër shkallë. Sapo iu ankova Napoelon Bonatës, ai m’u kthye: “E ku banon ti?” “Jam në një kat me zotërinë tënde”, sqarova. “Ke kafshë shtëpijake ti?” “Nuk kam”, thashë. “Ahere ç’mutin do që merresh me mutin e qenve?!”, ma preu shkurt.
Një ndajnatë, teksa kotesha në divan, u zgjova i trembur. Një kakofoni tingujsh vërshonte valë-valë nga poshtë. Më vinin si angullima, çirrje, hamulitje, hungërima dhe ulërima të mprehta. “Tufat e qenve”, murmurita, “paska plasur përleshja. Po ç’ne në këtë orë?!”
Përkundrazi, kur zbrita te sheshi, pashë një grup banorësh që grindeshin me njëri-tjetrin. Megjithatë, për ndarjen në palë nuk isha gabuar. Ajo hasmëria e kafshëve, që kishte qëndruar gjithnjë pezull, ishte konflikt i papërfunduar. Meqë ashtu, i papërfunduar kishte kaluar edhe te njerëzit, këta kishin vendosur ta zgjidhnin. Me sa kuptova, ndonëse një palë e humbiste mundësinë për të dalë shpejt në rrugën tregtare, pasi duke kaluar nga krahu i majtë, do t’u duhej t’i vinin rrotull pallatit, ata ishin pajtuar të ngrihej një mur, që do ta ndante platformën. Por nuk po merreshin vesh ku do të ngrihej muri. Banorët e shkallës tjetër kërkonin që territori të ndahej në mes, ndërsa pala jonë mëtonte përtej gjysmës.
Në kulmin e sherrit u shfaq Napoleoni me qenin e zi për rripi. Ishte hera e parë që pastorin shtatmadh e shihja pa mëgojzë. Afërmendsh, Napoleon Bonata e dinte pse po ziheshin. Andaj, për t’i siguruar vëmendje të menjëhershme argumentit të tij, shtrëngoi muskujt e fytit dhe thirri prerë:
– Qetësi, qetësi! – Pastaj, me sytë nga pala kundërshtare, shtroi pyetjen e pakundërshtueshme: – Pa më thoni, zonja e zotërinj, kur erdhët ju me kopenë tuaj, a nuk e gjetët tufën tonë në këtë territor?!
Dhe, kështu, në atë garë për vendosjen e kufirit, u caktua një cak kohor, thuajse çdo gjë me vlerë në pallatin tonë kishte filluar me ardhjen e qenve.

Korrik 2018

Facebook Comments

POST A COMMENT.

18 − 6 =