Mbi implikimin real të Adriatik Llallës…

Opinion
92
0
sample-ad
Gavrosh Levonja

Nuk kam as një grimcë dyshimi lidhur me faktin që ish-prokurori i përgjithshëm, Adriatik Llalla “pjesën e luanit” të pasurisë së tij e ka vënë falë korrupsionit. Në këtë aspek, nuk është se ai përbën ndonjë rast special krahasuar me kolegët e tij në drejtësi dhe politikanët, “baballarët e kombit”. Por mënyra si operon drejtësia shqiptare është mëse diletante. Kjo natyrisht si pasojë e faktit që kur vjen puna tek peronat me peshë, ajo pret urdhërat nga “lart’, pra nga ai që është në pushtet. Në hyrje të vendimit të Gjykatës për Krime të Rënda thuhet se “çështja penale ndaj ish-kryeprokurorit Llalla është rregjistruar kryesisht mbi bazën e të dhënave të publikuara në media, ku ndër të tjera flitet për jetën e luksit që bënte ish-prokurori i përgjithshëm dhe familja e tij.” Normalisht, në një vend në të cilin ku mediat janë të lira, ato ç’ka publikohen në media nuk mund të merren si bazë për të filluar ndjekjen penale kundër dikujt, qoftë ky njeri i thjeshtë, personalitet, funksionar shteti, madje dhe eksponent i malavitës. Më e shumta, ato ç’ka bëjnë publike mediat, mund dhe duhet të shërbejnë për të vënë në lëvizje mekanizmat e organit të akuzës, që më së pari duhet të trokasin në dyert e këtyre mediave pet te kërkuar informacione më të hollësishme të cilat do t’i shërbenin për hapjen e dosjes hetimore dhe pasurimin e saj me detajet për të zhvilluar një hetim serioz. Ndryshe do të kishte qenë puna nëse çështja “Llalla” do të ishte inicuar pas ndonjë raporti të IKLDP-së, zyrave të regjistrimit të pasurive, Drejtorisë së Tatimeve apo sektorit që mbulon pastrimin e parave. Gjithashtu, më shumë se jeta luksoze e Llallës dhe familjes së tij, për drejtësinë do të kishte qenë shumë herë më e efektshme të fillonte hetimin e ish-kryeprokurorit duke gjurmuar pasuritë e tij të patundshme dhe ndryshimin e tyre gjatë kohës që ai ka pasur funksione të rëndësishme në administratë si kreu i ILDKP dhe më pas i organit të akuzës. Sa për motivimin e regjistrimit të çështjes penale ndaj ish-kryeprokurorit mbi “bazën e të dhënave të publkuara në media” athere Gjykata Për Krime të Rënda duhej të kishte bërë të njejtën gjë dhe me denoncimet e panumurta të personazheve digitalë të doktor Berishës. E njejta gjë mund të thuhet dhe përsa i përket shfrytëzimit të refuzimit të vizës për të hyrë në SHBA, nga ana e ambasadës amerikane në Tiranë, që sipas saj është mbështetur në një vendim të Departamentit të Shtetit. Edhe në këtë rast, refuzimi i vizës, nuk do të thotë domosdoshmërisht që Llalla është i dyshuar për ndonjë lloj aktiviteti në kundërshtim me ligjet amerikane. Përsëri, për Gjykatën e Krimeve të Rënda, në mënyrë që të krijonte përhtypjen se po bën një hetim serioz, do të ishte e udhës të kërkonte informacion nga strukturat përkatëse të shtetit amerikan
Po ashtu, është absurde të ndërtosh një skemë të pastrimit të parave duke u nisur nga fakti se është blerë një tokë dhe, pasi është rivlerësuar, është shitur më një çmim dhjetë herë më të lartë. Së pari të blesh diçka lirë dhe ta shesësh dhjetëfishin e çmimit të blerjes, nuk përbën ndonjë figurë krimi; varet sa budalla ka qenë shitësi apo blerësi. Duke qenë se prej gati 20 vitesh jam larguar nga Shqipëria ndoshta mumd të gaboj, por nga sa jam njohur prej mediave, di që para nja tre vitesh filloi një fushatë ku shteti u lutej qytetëve të bënin “rivlerësimin” e pasurive. Ishte fjala kryesisht për ata që ishin bërë pronarë me çmimet e kohës së komunizmit, të cilët ishin më shumë se dhjetë më pak se çmimet aktuale. Nga ajo që arrita të kuptoj, ishte se pas rivlerësimit ai që shiste një pronë të parivlerësuar do të paguante një taksë shitje dhjetë herë më të lartë, si pasojë e diferencës së madhe midis çmimit të shitjes dhe vlerës së dikurshme. Pra, dhe në rastin Llalla, para së gjithash, duhej saktësuar koha në të cilën është blerë prona dhe kur është shitur. Në rast se intervali i kohës është i shkurtër athere, para Llallës duhet hetuar punonjësi, i cili ka kryer procedurat e rivleresimit. Së fundi, kur flitet për pastrim parashë, një proces i tillë është i lidhur me kompani apo individë që zhvillojnë aktivitet në vende të ndryshme, ndonjë bankë përmes së cilës kryhet pastrimi etj. Më së pari, para Llallës duhej të ishtte hetuar origjina e parave dhe blerësi “bujar” i pronave të Llallës, për të arritur pastaj tek mundësia e implikimit të këtij në një rrjet të pastrimit të parave.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

12 + 10 =