At Foti Cici: Në 20 vjetorin e Sinodit të KOAKSH, Autoqefalia një alibi i Janullatosit

AnalizeKryesore
49
0
sample-ad

Ndërsa Kryepeshkopi dhe oborri i tij po përgatisin me ankth “paradën” e 2 gushtit, ku gjithë klerikët dhe katekistët kanë marrë urdhër të paraqiten në Tiranë “me një këmbë” për t’i uruar Lumturisë 26-vjetorin e fronëzimit, dhe mbas postimit tonë “Fshati digjet, plaka krihet”, le të kujtojmë tani gjendjen dhe ngjarjet që çuan në krijimin e sinodit (kukull) të KOASh-it 20 vjet më parë.

Ata që kanë sy për të lexuar, le të shquajnë e të rrokin.

Shkëputur nga trajtesa “Zhvarrosjet si ngjarje kulturore greke”, në librin tim “Midis shqiptarësisë dhe grekësisë”, kreu 6, f. 328-334, Tiranë 2006.

AUTOQEFALIA SI ALIBI
(At Foti Cici)

Po koncepti i autoqefalisë? Nëse rrokim këtë skemë kulturore, me disa versione grekësie e me disa potenciale, do të ndijojmë se autoqefalia, ndryshe nga dy shekujt e kaluar, sot nuk është më mjet ndërgjegjësimi kombëtar a, në daçi, kulturor, por është një mënyrë që përdoret herë për të pështjelluar, e herë për të sunduar kulturorisht; gjithmonë për të influencuar. I vetmi version grekësie që duket se kërcënohet sot nga koncepti i autoqefalisë, është ai i Fanarit, ashtu siç shfaqet në konfliktet brendagreke midis Patrikanës dhe Kishës së Greqisë. Por versioni politik fanarjot është më i dobët sesa ai version grekësie që mbështet shteti grek, atje ku është përfshirë dhe KOASH-i, dhe më i dobët edhe nga versioni grek që përçon kisha autoqefale e Greqisë.

Fuqia e patrikanës shtohet kur shteti grek i jep asaj hapësirë çasti, duke bashkërenduar ndonjëherë disa kisha autoqefale greke në një momentum, ku të dy palët, shteti grek dhe patrikana, dalin të fituara e të domosdoshme për njëra-tjetrën. Kjo ndodh kur qeveria greke kërkon shfronëzimin e një patriku a të një kryepeshkopi grek, për shembull, siç ndodhi së fundi me primatët e Athinës dhe të Jeruzalemit, të cilët u shquan për pavarësi kishtare ndaj shtetit grek. Për të sendërtuar diçka të tillë, përdoret primaciteti honoral i fronit të Kostandinopojës, imponohet “ekumeniteti” i Fanarit, duke thirrur në një takim të përbashkët gjashtë patrikët dhe kryepeshkopët grekë, atje ku përfshihet edhe primati i sotëm i Shqipërisë, i cili ky i fundit, me praninë e tij afatgjatë, ka bërë që KOASH-i të numërohet tok me kishat e sfondit grek. Për herë të parë në histori!

Në vijim të kësaj përqasjeje, mbi konceptin e autoqefalisë sot, në rastin shqiptar gjërat nuk janë aspak ndryshe, prandaj do të bëj këtu një rrugëtim të shpejtë të ngjarjeve që çuan në konfiguracionin e sotëm. Versionet e grekësisë u ndeshën për çështjen shqiptare në vitet 1990-1991, atëherë kur nuk fitoi versioni fanarjot, por shteti grek. Patrikana u bind dhe dërgoi në Shqipëri pikërisht atë hierark që përzgjodhi qeveria greke, të cilin opinioni grek nuk e njihte, dhe jo atë peshkop që gjithë populli grek admironte dhe priste. Përderisa Anastasios kishte dhuntitë për të kryer një mision të tillë, e nënvizoj, kulturor (fetar, social dhe politik), ai nuk mund ta përmbushte misionin duke qenë nën juridiksionin e një kishte tjetër autoqefale, në këtë rast, të patrikanës së Kostandinopojës, sepse thjesht karizmatiku do të ndodhet midis dy zjarreve. Një kryepeshkop i një kishe autonome, siç ishte alternativa tjetër, nuk mund të dilte nga Shqipëria pa lejën e Patrikut të Stambollit. Në të kundërt, si primat i një kishe autoqefale, Anastasios është në Shqipëri “vetë Zot, e vetë shkop!”

Projekti grek, përmes universalitetit të helenizmit, do të realizohej vetëm nëse ruhej regjimi i autoqefalisë, i pavarësisë së primatit grek, aq më tepër kur termi i autoqefalisë luan funksione magjike në trurin e shqiptarëve; si gjymtyrë e mitologjisë nacionalkomuniste. Pikëpyetja se ku mbaron pragmatizmi i sotëm grek dhe ku fillon ambicja e Janullatosit për pushtet, nuk ka rëndësi për këtë problematikë kulturore, sepse pushteti i rastit çoi në një martesë të përkryer interesash. Si shteti grek, ashtu dhe peshkopi pa peshkopatë, kërkonin një kishë autoqefale, një Kishë “të Shqipërisë”, ashtu siç është në titullin e poemës së heroit të humbur nga Elitis…

Patrikana u përpoq të kënaqë të dy palët, por duke ditur tendencat papnore të Janullatosit, bëri disa veprime për t’i ushtruar këtij presion. Së pari, para se të zgjidhte sinodin, gjë që do ta ndalonte Fanarin të ndërhynte administrativisht në Shqipëri, i ngriti peshkopatat shqiptare në mitropoli, për t’iu dhënë më tepër pavarësi peshkopëve të tjerë, të cilët do të ishin tashmë mitropolitë. Së dyti, kur zgjodhi kryepeshkopin, po atë ditë zgjodhi edhe tre mitropolitë, të cilët Janullatosi nuk i njihte personalisht. Patrikana, pavarësisht nga pamundësia jonë për të shquar gjer atje, u përpoq të krijonte rrethana më pak të përshtatshme për misionin grek, pavarësisht se strategjia ishte utopike. Janullatosi fillimisht e pranoi këtë skemë, vetëm që të arrinte të fronëzohej kryepeshkop, por në vijim manipuloi, duke bërë një lojë me qeverinë shqiptare dhe me atë greke, për të mos pranuar mitropolitët, në mënyrë që kurora të mos ndahej më katërsh (E bashkë me kurorën, edhe fondet).

Nga ana tjetër, patrikana pretendonte se vetëm njëri mitropolit i zgjedhur ishte grek-grek, sepse nga dy të tjerët, njëri ishte arvanit e tjetri vllah. Sepse për Fanarin e sotëm, grekësia ripërcaktohet e ripërkufizohet, sipas rendit imagjinar, por dhe doktrinave të sotme kulturore. Mirëpo Janullatosi ishte në pozita kaq të volitshme, saqë në përgjigjen drejtuar patrikut Vartholomeos, manipulonte duke thënë diçka me të cilën pajtoheshin qeveritë greke e shqiptare: “Dallimi i gjuhëve të përmendura në Greqi, nuk përbën më pak grekësi.”[10] Ishte fjala për shqipen dhe vllahishten.

Në këto rrethana, sinodi i KOASH-it u ngri, as në Shqipëri e as në mërgim, për katër vjet (1992-1996), përderisa mitropolitët ishin zgjedhur e titulluar, por nuk ishin shuguruar. Primati ishte pa sinod për një periudhë disavjeçare, gjë që krijoi rrethana favorizuese për Janullatosin, duke i dhënë kohë të mjaftueshme për të krijuar një mjedis kultizues e papnor në Shqipëri. Një primat pa sinod i jepte të drejta kanonike Patrikanës për të ndërhyrë në Shqipëri, për t’i dhënë fund një regjimi jo kanonik.

Gabimin e bëri vetë Janullatosi. Duke qenë në krizë për një peshkop tjetër, për shkak të nevojave të shumta në gjithë vendin, të cilat e pengonin të udhëtonte shpesh jashtë Shqipërisë, iu lut patrikanës për një peshkop asistent, gjë që ekziston brenda statutit të KOASH-it. Peshkopi në fjalë nuk do të kishte as votë e as vullnet, përderisa nuk mund të bëhej sinod, sepse sinodi ishte bllokuar nga pozita e ngrirë e mitropolitëve të pashuguruar. Në vend që të sugjeronte një kandidat shqiptar, Anastasios propozoi një arqimandrit me shtetësi greke, emri i të cilit nuk u bë i ditur nga patrikana. Kjo sendërgji shkaktoi zemërimin e patrikut Vartholomeos dhe, mbas kësaj, ky i kërkoi kryepeshkopit të shkojë menjëherë në Stamboll, sepse sinodi i patrikanës kishte vendosur të shuguronte tre mitropolitët e sinodit të KOASH-it, “me apo pa praninë e kryepeshkopit të Shqipërisë”.

Mitropolitët u shuguruan në Patrikanë pa praninë e Janullatosit, i cili për mungesën kishtare në Fanar kishte mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe të asaj greke. Madje, në opinionin shqiptar fitoi më tepër pikë. Edhe pse në pamje nuk kishte konfiguracion më të volitshëm për të, presioni i patrikanës u shtua, pikërisht se kjo nuk kishte ndodhur në asnjë kishë tjetër autoqefale. Nga ana tjetër, qeveria greke nuk mund të mbështeste më një regjim gjysmëkanonik në Shqipëri – kishë autoqefale, por pa sinod – sepse nëse Patrikana reagonte publikisht, do të zbulonte para opinionit grek lojën e shtetit grek brenda Kishës Ortodokse, dhe pikërisht kjo pozitë e brishtë e qeverisë greke i jepte epërsi Fanarit në bisedime.

Anastasios, për të shmangur një shkungim të mundshëm, si ai i kryepeshkopit të Athinës vitin e kaluar, u shtrëngua të pranojë krijimin e sinodit, si pasojë e një kompromisi midis tri palëve: Patrikanës, qeverisë shqiptare dhe, sigurisht, vetë kultit të Janullatosit. Në vitin 1998 mitropoliti arvanit u fronëzua në Berat, ndërsa dy mitropolitët e tjerë grekë paraqitën dorëheqjen, prandaj dhe në vijim dy shqiptarë u shuguruan peshkopë. Kështu u krijua sinodi i ri (Njëri prej peshkopëve shqiptarë ishte shumë i moshuar e i sëmurë dhe në vijim vdiq).[11] Ky kompromis, i cili në fakt përherësoi misionin grek në Shqipëri, pavarësisht se ngushtoi rrezen e veprimtarisë së Janullatosit në mitropolitë e Beratit dhe të Korçës, u bë i mundur vetëm falë autoqefalisë.

Autoqefalia e kishës shqiptare është pavarësi, por është e tillë për qarqe greke, të cilat duhet të veprojnë të pavarura nga Patrikana dhe nga Kisha e Greqisë, për të përmbushur misione përndryshe të pamundura. Ndërsa për shqiptarët ortodoksë, autoqefalia sot është një alibi, pavarësisht nga histeria e autoqefalistëve të sotëm, të cilët, edhe pse nuk i përkasin besimit ortodoks, me racizmin e tyre i sjellin shërbime afatgjata misionit grek. Sepse e keqja është përherësuar për shqiptarët ortodoksë, ndërsa misioni grek ka lulëzuar këto vite, sigurisht përmes universalitetit të helenizmit dhe autoqefalisë shqiptare, dhe jo të politikave të tejkaluara greke. Kjo ishte dhe është e mundur në një vend ku kriza morale është problemi kryesor i shoqërisë shqiptare, prandaj dhe mirëpriten versione të tilla kulturore.

Në një krizë të tillë morale, nuk është aspak absurde kur një mysliman bëhet peshkop dhe iu jep leksione ortodoksëve mbi autoqefalinë e tyre, duke iu kërkuar madje t’i falen “viçit të artë”: “Të them të drejtën, unë nuk njoh në këtë kohë ndonjë tjetër, shqiptar apo të huaj, të ketë bërë për vendin tonë aq sa ka bërë Kryepeshkopi Anastas!”[12] Ua, çfarë margaritari! Problemi është se ne jemi të krishterë dhe nuk na lejohet ta shohim Kishën vetëm materialisht, përndryshe, tejet sigurisë ekonomike, çfarë tjetër na garanton misioni grek? Madje Hirësia e Tij e vazhdon retorikën prej misteri, duke na “zbuluar” se Anastasios shpëtoi dhe garantoi autoqefalinë tonë. Çfarë na paska thënë! Kërkon të bëhet kryepeshkop duke bërë aleanca me grekët, në kurriz të shqiptarëve ortodoksë! Mitropolit Joani dhe ata klerikë me prejardhje myslimane, të cilët kanë zaptuar kishat ortodokse duke shkelmuar shqiptarët ortodoksë, janë pjesë e problemit ortodoks, prandaj dhe ky ka ngecur.

Universaliteti i helenizmit është pa dyshim Ideja e Madhe sot, ajo që nuk kërkon më territore, nuk kërcënon kufij, prandaj dhe më e rrezikshme se homonimja e saj qëmoti. Sidoqoftë, idetë e mëdha, pavarësisht nga letrat e mëdha, nuk mund të mitizohen pa simbole të mëdha: Flamuj lëvizjesh imagjinare, harta heterotopike kufijsh, eshtra të rënësh, përmendore të mëdha etnofetare, e të tjera si këto. Dhe nëse kjo simbolikë nuk ekziston, për një arsye a për një tjetër, detyrë e industrisë greke është që simbolet e mëdha të kërkohen e të gjenden, në mënyrë që t’i imponohen brezit të ri, me anë të përsëritjes dhe vetëm të përsëritjes. Kësisoj, edhe sikur anëtarë të atij kombi të ndërgjegjësohen dhe të distancohen një ditë nga kjo dialektikë mitbërëse, të ndihen fajtorë në ndërgjegje dhe, brenda pështjellimit të jetës, a përmes krizash personale, të kthehen atje ku dhimbja dhe ngushëllimi janë të përbashkëta: Tek varret e atyre që u flijuan për fe e për atdhe!

Me këtë këndvështrim, tashmë, për palën greke nuk ka më rëndësi se çfarë ka brenda varreve në jug të Shqipërisë. Ndërsa për palën shqiptare, është e kotë të kërkohen me qirí skema të njohura zyrtariteti. Shpirti i këtij versioni helen korr tjetërkund, prandaj dhe autoqefalia sot është një alibi.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

fourteen − 4 =