Mesazhi i koduar i Ilir Metës në kthimin e ligjit për teatrin

AnalizeKryesore
17
0
sample-ad

Dekretimi nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, për ta rikthyer në Kuvend ligjin për Teatrin e ri Kombëtar, më shumë sesa një rrëzim i mazhorancës, ishte një tentativë e kreut të shtetit për ta rifilluar procesin nga e para.

Ilir Meta, i cili vjen nga drejtimi i LSI-së, sot një nga partitë kryesore të opozitës, nuk ka shfrytëzuar si President “armën” më vrastare ndaj qeverisë dhe mazhorancës që ka ai në dorë, por përdori një goditje të butë, e cila duhet analizuar me kujdes.

Në dekretin që është bërë publike nga faqja e Presidentit të Republikës, theksohet tekstualisht se “Në respekt të ushtrimit të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në funksion të transparencës dhe informimit të opinionit publik, Presidenti i Republikës bën me dije se sot më datë 27 korrik 2018, ka dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt: Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”.

Sipas Kushtetutës, Parlamenti duhet të rimblidhet sërish për të shqyrtuar dekretin e Presidentit dhe sipas gjasave mund ta rrëzojë atë, duke rivotuar ligjin aktual për teatrin, ose mund të modifikojë ligjin, sipas negociatave që priten të zhvillohet deri nga data 10 shtator.

Që Ilir Meta nuk do t’i hapte “dritë jeshile” ligjit për teatrin e ri kjo dukej në ajër, por kreu i shtetit kishte dy rrugë për ta bërë këtë.

E para ishte ajo që Meta ndërmori dje pasdite: pra rikthimin e ligjit në Kuvend, në mënyrë që të rishikohet edhe njëherë drafti.

Dhe e dyta do të ishte nëse Presidenti e cilësonte ligjin antikushtetues dhe e dërgonte në Gjykatën Kushtetuese.

Nëse do të ndodhte kjo e dyta, me situatën aktuale në institucionin që interpreton ligjin themeltar të shtetit shqiptar, do të ishte e pamundur shqyrtimi deri sa të mbusheshin vendet vakante të trupës, pjesë e të cilës ka mbetur vetëm kryetari Bashkim Dedja.

Pra nëse Meta do ta dërgonte ligjin për teatrin në Kushtetuese, do të kishte ndodhur bllokada reale, duke anuluar përfundimisht ndërtimin e Teatrit të ri, deri në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, e cila sipas gjasave mund të plotësohet nga fundi i dhjetorit apo në janar.

Rruga e dytë e Metës nuk do t’i lejonte mazhorancës dhe kryebashkiakut Erion Veliaj që ta nisnin ndërtimin e Teatrit të Ri të paktën deri në gjysmën e vitit 2019, kur dhe do të mbahen zgjedhjet lokale në kryeqytet dhe ku PD e LSI do të kenë sipas të gjitha gjasave një kandidat të përbashkët.

Pjesëtarë të grupit të intelektualëve dhe aktivistëve që kundërshtojnë prishjen e Teatrit Kombëtar, ishin “mprehur” pikërisht për rrugën e dytë, sipas sinjaleve që kishin marrë nga Presidenca.

Por Meta zgjidhi rrugën e parë: pra thjesht rikthim të ligjit në Kuvend dhe ribërjen e negociatave mes palëve politike.

Çfarë negociatash mund të zhvillohen nga palët politike në vend kur dihen pozicionet e tyre?

PD-ja është kategorikisht kundër prishjes së teatrit akual dhe ngritjes së të riut me PPP, PS-ja natyrisht është pro, edhe LSI deri tani është pranë pozicionit të PD-së.

Pra në shtator, siç e tha edhe Erion Veliaj e Taulant Balla, mazhoranca thjeshtë do të rivotojë variantin e parë të ligjit për teatrin.

Në fakt nuk është kaq e thjeshtë. Manovra e Ilir Metës është qartësisht politike dhe synon sipas të gjitha gjasave të rrisë aksionet e LSI-së për bashkinë e Tiranës.

Prej vitit 2007, bashkia e Tiranës ka qenë vatra e partisë së Ilir Metës, prej nga ku LSI-ja u rrit duke zënë pozicionin e 20 deputetëve që ka aktualisht.

Dekreti i Metës është sinjal edhe për Bashën edhe për Veliajn.

Për Bashën, në mënyrë që t’i japë partisë që kryeson Kryemadhi kandidimin e përbashkët në zgjedhjet për bashkinë e Tiranës, dhe për Veliajn, një sinjal për të rikthyer bashkëpunimin nëse Basha refuzon.

Pra LSI-ja kërkon sërish pjesën e saj në bashkinë Tiranë duke përdorur normalisht institucionin më të rëndësishëm që kontrollon, atë të kreut të shtetit.

Nëse Basha pranon ofertën e LSI-së, ka shumë gjasa që në shtator pas rivotimit, Ilir Meta të përdorë rrugën e dytë, pra ta çojë ligjin në Kushtetuese duke ndaluar përfundimisht ndërtimin e teatrit.

Megjithatë, përveç sinjaleve politike, duket se ka qartë edhe shenja për negociata “ekonomike” për pjesëmarrje në ndërtimet rreth teatrit.

Një pjesë të protestave janë nxitur nga një lob shumë i fuqishëm financiar i Tiranës, i cili kërkon që përveç kullave te teatri, të ndërtohen edhe ata që planifikohen tel Aleanca Demokratike-Galeria Kombëtare, ish-fusha e zezë e Hotel Dajtit, të prishet Parlamenti dhe Akademia për ta kthyer atë zonë menjëherë si shesh ndërtimi.

Siç mësohet planet janë, por sipas gjasave Rama dhe Veliaj duan t’I kryejnë një nga një.

Dhënia e koncensionit për kompaninë Fusha, duket se ka xhelozuar të tjerët, të cilët duan që kantieri në shesh të hapet njësoj për të gjithë.

A ka dorë edhe në këtë lëvizje, dekreti i Ilir Metës? Do të mësohet së shpejti kur të zbardhen arsyet e vërteta të kthimit të ligjit…

Facebook Comments

POST A COMMENT.

two × 4 =