Shkrimtari që na lexon

Opinion
15
0
sample-ad

 

Lazër STANI

Kur një shkrimtar e lexon që në moshë të re, nxënës në shkollë të mesme, siç më ka ndodhur mua me Zija Çelën, kur një shkrimtar e lexon libri pas libri e vit pas viti, vjen një kohë që pa e kuptuar e zëvendëson atë me dikë tjetër, që për ty është i RI, sjell vizione, imazhe, histori dhe emocione të paprovuara më parë. Në tryezën time të punës të tjerë libra mbaja në moshën 25 vjeçare, të tjerë mbaja në moshën 30 vjeçare e të tjerë mbaj sot. Po si më të paktë autorë, asnjëherë nuk ka ndryshuar kënaqësia dhe magjia e leximit, befasia e bukur që të shkakton Zija Çela në secilin krijim të tij, në secilin libër.
Mbaj mend se në vitet tetëdhjetë, në atë shkreti letrare, ku diktati i realizmit socialist thante shpirtrat dhe letërsinë, leximi i tregimeve apo romaneve të Zija Çelës përbënte një ballafaqim të bukur. Ai të befasonte nga tregimi në tregim, nga faqja në faqe në romanet e tij. Më kujtohet kur u botua “Eklips dhe proza të tjera”. Çfarë kënaqësie estetike më pati krijuar Zijai me novelën e tij “Ylli i Plakave”. Pas nëntëdhjetës e rilexova romanin e tij të parë “Një verë pa lamtumirë”. Prapë mbetej një vepër mjeshtri, një roman shumë i mirë, i shkruar me elegancë, shkathtësi, freski, gjuhë dhe tekst letrar solid e të përveçëm.
Por të mos zgjatem me diskursin e leximeve të veprave të Zija Çelës, të vijmë te romani i tij i fundit “Ora e Zooparkut”. Ndërsa e lexoja faqe pas faqeje, nuk më shqitej nga mendja thënia e Auden-it: “Një libër i vërtetë nuk është ai që lexojmë, por ai që na lexon.” Pikërisht kjo po më ndodhte me “Orën e Zooparkut” të Zija Çelës. Nuk është thjesht një libër që e lexon, është një libër që të lexon ty si lexues, lexon njeriun dhe fatin e tij, lexon shoqërinë shqiptare në një moment dramatik të saj, pikërisht në “orën e vet zoologjike”, që për fat të keq neve na ka zgjatur jo pak në këta dhjetëvjeçarë të tranzicionit. Pa zbukurime, me një vërtetësi të frikshme, shkrimtari ka zgjedhur të rrëfejë anën e errët të shoqërisë dhe të njeriut të kapur në kurthin e vetvetes, i kryqëzuar midis së shkuarës dhe së ardhmes. Jo rastësisht romani fillon me një Spirale e vazhdon me Kurthin, sepse në një spirale vërtitet e në këtë kurth gjendet njeriu i Zija Çelës, i kapur keqazi në udhëkryq, pa mundur të projektojë një të ardhme normale.
Nga leximi i romanit lexuesi bindet se sa mirë di Zija Çela ta bëjë atë distinguishing (dallim) të fateve njerëzore, se sa shumë hollësi, veçori e detaje jep, se sa sy të mprehtë ka, sa thellë shikon në jetën dhe psikën e secilit individ, femra e meshkuj, që përbëjnë galerinë e personazheve të romanit. Shkrimtari, edhe pse vështron errshëm, arrin të shohë qartë dhe kthjellët pikërisht atje, në bodrumet e lagështa e të pandriçuara të shoqërisë dhe të shpirtit të njeriut.
Faktues, analitik, i thellë, depërtues, me një gjuhë të gjallë e të begatë, me fjali të stilizuara që të kujtojnë zellin e poetëve të mëdhenj, “Ora e Zooparkut” vjen si një roman i ri jo vetëm për lexuesit, por edhe për vetë shkrimtarin Zija Çela. Pas kaq shumë krijimesh të suksesshme, që e kanë renditur me kohë emrin e tij në elitën e letërsisë shqipe, me “Orën e Zooparkut” shkrimtari dëshmon talentin e tij unik, potencialin e tij të pashtershëm krijues, fuqinë e imagjinatës dhe mjeshtërinë e shkrimit. Por dëshmon njëkohësisht edhe bukurinë, pasurinë, magjinë, shprehshmërinë, thesarin e pashtershëm të gjuhës shqipe, që në këtë vepër fiton plotninë e saj hyjnore, çka e rëndit pa dyshim autorin krahas mjeshtrave më të mëdhenj të lëvrimit të shqipes, si Fishta dhe Konica, Noli e Poradeci, Kuteli e Kadare.

sample-ad

Facebook Comments

POST A COMMENT.

5 × five =