Dimensioni real i Adem Demaçit

Opinion
32
0
sample-ad
Daut Dauti

Njeriu nuk ka mundësi të jetë më i madh se Adem Demaçi. Kur njerëzit e mëdhenj nisin ndonjë veprim, të paktë janë ata që u besojnë. Kur Demaçi kërkonte çlirim të shqiptarëve nga regjimi jugosllav, të paktë ishin ata që i besonin se kjo gjë ishte e mundshme. Njerëzit e shihnin të pamundshme kërkesën e Demaçit për pavarësi të Kosovës që e kërkonte në Konferencën e Rambujesë. Demaçi ka dëshmuar se kërkesa për liri nuk është e tepërt dhe është e realizueshme.

Në vitin 1996 erdhi në Londër për të satën herë. Me tri vetura dolëm në Dover ku e prisnim të vinte nga Franca. Duke hyrë në Londër, veturën me të cilën udhëtonte ai, e lëshuan frenat. I thamë që të hynte në njerën nga dy veturat që ishin më të mira dhe teknikisht në rregull. Madje, njëra nga veturat ishte limuzinë luksoze. ‘Jo, me këtë kam ardhë dhe me këtë du me përfundu udhëtimin’- na tha. ‘Rrezik, o baca Adem’ – thamë. ‘Jo bacit, nuk është rrezik. Çka ka me ndodhë, ka me ndodhë’- na tha.

Unë dhe Pleurat Sejdiu e shoqëruam në ‘Foreign Office’ ku na pritën dy zyrtarë të lartë, përgjegjës për Ballkanin. Demaçi fliste por zyrtarët nuk ishin shumë të interesuar ta dëgjonin. Madje, që të dy qëndronin ulur në pozitë gati të shtrirë në karrika dhe me duar në xhepa. ‘Autonomi’ – thoshin zyrtarët si përgjegje për Kosovën në çkado që thoshte Demaçi.

Demaçi në një moment u shqetësua (gjë që nuk i ndodhte shpesh) dhe tha:’ Janë do dai që i kanë qitë pushkat n’krah dhe nuk e pranojnë autonominë’. Zyrtarët u alarmuan. U drejtuan shpejt, nxorrën duart nga xhepat dhe i kapën lapsat duke i hapur fletoret për të marrë shenime. (Unë përktheja dhe nuk e di se si e kam përkthy fjalën ‘dai’ në anglisht).

Demaçi e paralajmëroi luftën në ‘Foreign Office’ dhe kjo i ndryshoi punët. Megjithatë, u ndamë të pakënaqur. Pakënaqësia e Demaçit shihej nga larg. Kur dolëm në rrugë Demaçi deshti ta hudhte në mbeturina një letër që i kishte mbetur në dorë. ‘Ku i kanë këta shportat e bërllogut’- më pyeti. I thashë që në Londër nuk ka shporta për mbeturina për shkak se kur kishte, IRA vendoste bomba në to. Qeshi me ironi dhe tha:’Ha, këta ni ditë paskan m’i kepë edhe xhepat pi tutës së IRA’-s.

Në atë kohë Demaçi e zbatonte një dietë strikte të ushqimit dhe i përmbahej një orari poashtu strikt. Në orën 1 hante drekë. Tashti ora kishte kaluar 1-shin. Hymë në një pab. Në vitrinën e kuzhinës, në mes shumë ushqimeve, kishte edhe pasul. ‘Po du pasul’ – tha.

‘Baca Adem ky nuk është si pasuli jonë’ – i thamë. ‘Pasuli është pasul’ – na e ktheu përgjigjen. Nuk i pëlqeu dhe e pranoi kur e shijoi. Natyrisht që pasuli ‘Heinz Baked Beans’ nuk është si pasuli jonë. Pastaj, i propozuam që së bashku ta hanim një peshk të llojit ‘Salmon’. Duke qeshur me zë tha:’ qyshë na ka rrokë uja, na edhe Selmanin e hamë’.

Një ditë shkuam në ‘Amnesty International’ ku dëshironin ta shihnin njeriun legjendë për të cilin kishin avokuar për ta nxjerrë nga burgu jugosllav. Udhëheqësja na nderoi me drekë. Por, fillimisht na pyeti nëse dëshironim ushqim italian apo grek. ‘Italian’ – u përgjigjëm ne me nguti dhe njëzëri. Rrugës na shikoi me buzëqeshje dhe na tha:’Valla veq po bahmi patriota pa lidhje se grekët e kanë ushqimin 100 herë ma t’mirë se italianët’.

Kam një ndjenjë që pak kush nga ne e ka vërejtur një humor të stërholluar që e kishte Adem Demaçi. E kam vështirë të besoj se më nuk qeshi me humorin e legjendës.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

fourteen − 2 =