Stigmatizimi i biznesmenit

Opinion
25
0
sample-ad
Çapajev Gjokutaj

Nuk e kuptoj urrejtjen që shpreh për biznesmnët. Flet sikur i kanë punuar një mjë e një të zeza këtij populli. Ndaj, urra o burra, të ndërsejmë miletin në rjetet sociale, t’i mbulojmë me sharje e pështyma.

Kështu më shkruan një mik fejsbuku dhe pastaj shton se kjo nuk është urrejtje, po zili.

Doemos do i kemi zili, shpjegon, se bënë pasuri e katandi, kurse ti e unë e të tjerë mbetëm me gisht në gojë. Po ata bënë prokopi se guxuan e rrezikuan.

Ne bëmë gropë divanet, duke u matur e stërmatur se, helbete, mëndjellinj. Tani jemi bërë më mëndjellinj se shkarashkruajmë në feijsbuk e çoç na ngjan vetja.

Dhe miku ka të drejtë. Jo për divanet, as për shkarrashkrimet, por për faktin se tek ne ekziston një frymë reale kundër biznesmenëve, një prirje për t’i damkosur a stigmatizuar.

Zilia mund të ketë pjesën e vet, por e ndezin edhe një varg faktorësh, të hershëm e të sotshëm, që herë lidhen me bëma dhe tipare të tyre, herë me paragjykime, e herë me idellogji dhe politika të ndryshme.

2.

Sa herë flitet për stigmën negative kundër biznesmenëve, më vjen në mend ‘Borgjezi fisnik’ i Molierit. Shekuj me radhë Europa i pa në një këndvështrim sarkastik tregtarët, fajdexhinjtë, borgjezët. Komizmi e sarkazmat buronin nga kontrasti ‘kamje – injorancë’.

Thenë më shkoqur pasanikët e rinj, bëjnë pará shpejt, hiqen si aristokratë me shije të hollë e dije të kompletuar, por në thelb mbeten po ata që ishin. Parja mund të bëhet shpejt; edukata, shijet, shpirti duan kohë, ndonjëherë edhe breza.

Me sa duket ky model ka funksionuar në shekuj për gjithë pasanikët e rinj. Edhe për Nikollaq Jorganxhinë dhe të shoqen, Olimbinë tek ‘Karnavalet e Korçës’.

Bëjnë përjashtim biznesmenët e teknologjive të informacionit, të tipit Gates, Jobes, Zukenberg etj. Por ky është problem tjetër. Për më tepër pasanikët tanë të rinj ngjajnë me Bill Gates-in e të tjerët po aq sa macja me tigrin.

3.

Stigmatizimi i biznesmenëve ka rrënjë shumë më të herëshme. Me sa duket janë rrënjë jo dosido, por tejet të forta, nga ato që edhe të pamundurën e bëjnë të mundur.

Jezu Krishti, fjala vjen, vetëm njëherë e shkeli moton e moskundërshtimit të të keqes me dhunë. Atë ditë kur përzuri me kamzhik tregtarët nga tempulli dhe përmbysi tavolinat e sarafëve.

Por nëse episodi në tempull është vlim i një momenti, qendrimi negativ ndaj të kamurve dhe ndaj pasurisë është konstant e i përhershëm. Thenë këtë të kujtohet: Më sa hyn gamilja në vrimën e gjilpërës, aq mund të hyjë i pasuri në mbretërinë e qiejve. Ose predikimi se Zoti dhe paraja (Mammoni) janë e kundërta e njeri-tjetrit, ndaj nuk mund t’u shërbesh të dyve. Alternativa e vetme që Biri i Zotit ofron për njeriun është “t’i shërbejë njerit e të urrejë tjetrin”.

Kjo kundërvenie thellësisht përjashtuese merr kuptim e motivohet kur e shohim si pjesë përbërëse të dihotomive: materiale – ideale, trup – shpirt, tokë – qiell, jetë – përjetësi. Janë kundërvenie ekzistenciale për besimin, ndaj kristianizmi do të predikonte njerën palë dhe do anatemonte e përjshtonte tjetrën.

Por ky kontekst filozofik fare pak ndikonte në zbehjen e stigmës kundër tregëtarëve, sarafëve etj. Njerëzit e thjeshtë i merrnin predikimet kundër pasurisë dhe të kamurve në kuptimin e parë, pa arritur dot ta integronin tek paradigma materiale – ideale, trup – shpirt etj.

Natyrisht që stigmatizimi ushqehej edhe nga një arsye tjetër, mbase më e fuqishme: duke dënuar e stigmatizuar të pasurit, arrihej dhe një rezultat praktik, qetësoheshin dhe tërhiqeshin në vathën e besimit të varfërit, milionat që përbënin masën e stërmadhe të besimtarëve.

4.

Njeriu që dëshiron të pasurohet, thoshte Shën Pali, bie në ngasje dhe kapet në çarkun e pasioneve të mishit, që e fundosin në llumin e mëkatit.

Duhej të vinte Adam Smithi që ta kthente pamjen kokëposhtë, të lartësonte dëshirën për të fituar dhe ta shpallte si instrument të dobishëm, madje më dobisjellës se shpirtmirësia.

Darkën, thoshte ekonomisti i madh, nuk na e siguron dashamirësia e tregtarit të mishit, atij të birrës apo të bukës, por interesi i tyre personal. Dmth dëshira e tregtarit për të bërë pasuri.

Adam Smithi e bënte këtë përmbysje vlerash në një kohë kur borgjezi nuk ishte më injorant, vanitoz e konformist si Zhurdeni i Molierit, por qe rritur, pjekur e burrëruar. Falë përpjekjeve dhe kuturive të tij Perëndimi kishte fituar duelin me Lindjen se kishte zbuluar e kolonizuar një botë të re, kishte bërë revolucionet birgjeze dhe ishte ne rrjedhën e revolucionit shkencor.

5.

Përkundër gjithë këtyre meritave e arritjeve, stigma kundër borgjezit mbetej e do të mbetej e fortë, sepse ushqehej fuqishëm nga shumë burime, mes të cilave spikasnin sidomos dy.

Shtimi i kapitalit dhe përparimi mbështeteshin mbi shfrytëzimin e egër dhe të pashpirt të punëtorëve, sidomos të grave dhe të fëmijëve. Akoma më stigmë ndjellëse ishte pamja që shfaqj në kolonitë e shumta. Sjellja e kolonizatorëve sipërmarrës me të kolonizuarit i kalonte caqet e njerëzores, për të hyrë shpesh në viset e shtazarakes.

Do të duhej kohë që kapitalisti të hiqte nga fitimet e veta dhe të jepte për rroga më të larta, për sigurime, pensione etj. Por edhe kur nisi t’i bënte këto, thonë një pjesë e dijetarëve, nuk e bëri nga shpirtmirësia, por nga frika e revolucioneve dhe nga trysnia që ushtronte kundërvenia perëndim kapitalist – lindje socialiste.

Faktor tjetër me peshë që ushqeu stigmën kundër sipërmarrësit ishte marksizmi. Në fakt gjatë gjithë shekujve kanë gjalluar ideologji dhe letërsi që i dilnin krah të dobëtit, të shfrytëzuarit dhe godisnin e stigmmatizonin të kamurit, shfrytëzuesit.

Marksizmi e theksoi si rrallëkush idenë e përmbysjes së borgjezve nëpërmjet luftës së klasave dhe revolucionit, duke e derdhur e gjithë kjo në terma agresivë si zhdukje, varrmihës etj.

Me krijimin e lindjes komuniste stigmatizmi i borgjezit a sipërmarrësit do të arrinte në apogje. Pakësimi drastik i pronës private dhe i sipërmarrjes së lirë solli zhdukjen e kapitalistëve si klasë. Kurse propaganda e përditshme, e përforcuar nga kultura, arti, letërsia dhe ligjërimi mediatik në tërësi hodhi në qarkullim një imazh tërësisht të stigmatizuar të tyre.

6.

Vetkuptohet që edhe ne, si popull, do t’i nënshtroheshim prirjes thuajse globale për stigmatizimin e tregtarit a sipërmarrësit. Madje disa faktorë specifikë bënë që ta kishim edhe më të fuqishme këtë prirje.

Borgjezi shqiptar, si rregull, mbeti i ri dhe i dobët, i rritur në hijen e mbeturinave feudale e patriarklae, që i patëm të shumta e të dendura deri në fundin e Luftës së Dytë Botërore. Ashtu i dobët dhe mezi i nëpërkëmbur e grishte vetiu stigmën dhe karikaturizimin.

Sikur të mos mjaftonte kjo, totalitarizmi ynë gjysëm shekullor ishte nga më ortodoksët, prona shtetërore nxorri tërësisht nga skena pronën private dhe bashkë me të edhe borgjezinë si klasë. Çuarja në ekstrem e asaj që quhej ‘luftë klasash’, absolutizimi i prejardhjes dhe biografive, bënë që stigmatizimi i ish tregtarëve dhe sipërmarrësve të kalonte në viset e demonizimit.

Aq e fuqishme ka qenë kjo prirje sa që sot e kësaj dite fjalë të tilla si ‘borgjez’, ‘tregtar’, ‘rentier’ etj. duket se vazhdojnë të përmbajnë, herë më shumë e herë më pak, ngjyrime përkeqësuese. Nuk vihen në diskutim ngarkesat përkeqësuese të fjalëve disi më të vjetra si ‘fajdexhi’, ‘saraf’, ‘tyxhar’, ‘përmatar’ etj.

Në këtë klimë ngjan se shqipja e sotme priret që fjalët e tipit ‘borgjez’, ‘tregtar’ etj. t’i përdorë thuajse si historizma, kurse për sipërmarrësin e ditëve tona të përdorë kryesisht emërtimin ‘biznesmen’. Kjo fjalë fringo e re i ka shpëtuar çdo nuance përkeqësuese, por vetë biznesmeni vazhdon të jetë objekt stigmatizimi.

7.

Stigma negative që kemi sot kundër biznesmenëve lidhet sidomos me tranzicionin e pronës: nga shtetërore në private.

Në fund të viteve 1980 mbi 95% e pasurive tona ishin shtetërore. Sot raporti është përmbysur. Ky privatizim drastik u bë në kushtet e një shteti të dobët, herë me axhamillëk dhe, shumicën e herës, me shejtanlllëk. Rrjedhimisht u bënë padrejtësi dhe zhvatjet të shumta.

Sot e kësaj dite korrupsioni është në nivele të larta, klentelizmi politik mbetet mjaft i fortë. Në këtë klimë një pjesë e bizneseve nuk rriten aq nga tregu e konkurenca, sa nga lidhjet e shkurtëra me politikën.

Do ishte dritshkurtësi të thoshje se gjithë bizneset e biznesmenët janë të këtij lloji e soji. Përkundrazi, sipërmarrja e sotme private ka brenda vetes punë e ndershmëri, guxim e kreativitet.

Por një gjë mund të thuhet me siguri: stigma kundër biznesmenëve, më shumë se sa ata, dëmton shoqërinë, sepse godet e nënçmon frymën e sipërmarrjes, këtë burim të pazëvendësueshëm zhvillimi dhe të begatie.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

20 − 13 =