Kosto në kurriz të konsumatorëve; ujësjellësit shkojnë nga keq në shumë keq

Ekonomi
51
0
sample-ad

Kompania monopol e furnizimit me ujë dhe me shërbimin e heqjes së ujërave të zeza në Tiranë, UKT, raportohet se mori një çmim për “progres në menaxhimin e ujit të pijshëm”, sipas një deklarate për shtyp të shpërndarë nga Bashkia Tiranë.

Megjithatë, raporti i fundit i performancës në sektorin e Ujësjellësve dhe Kanalizimeve, përgatitur nga Enti Rregullator i Ujit, mendon paksa ndryshe, ndërsa përmend veçmas UKT Tiranë si një nga ndërmarrjet që ka pasur përkeqësim të treguesve kyç të performancës, konkretisht, shtim të numrit të punëtorëve, rritje të konsumit të energjisë elektrike dhe rënie të kohëzgjatjes së furnizimit me ujë.

Raporti vëren se performanca e sektorit të ujësjellësave ka pësuar rënie në treguesit kryesorë, si mbulimi i kostove totale dhe mbulimi i kostove operative e të mirëmbajtjes gjatë vitit 2017 me përmirësime të vogla në disa tregues të tjerë si norma e arkëtimit dhe niveli i matjes. Por raporti i përgatitur nga Enti Rregullator i Ujit nuk merr përsipër të dalë garant për vërtetësinë e të dhënave për shkak se këto përbëhen nga  raportime të vetë kompanive të ujësjellësve në Agjencinë Kombëtare të Ujësjellësve dhe Kanalizimeve, një institucion i qeverisë qendrore. Megjithatë, pavarësisht se sa të sakta janë të dhënat, treguesit e vlerësuar nga ERRU flasin për përkeqësim. Mbulimi kostove totale të ujësjellësve me të ardhura ra nga gati 90% në vitin 2016 në 85% më 2017 ndërsa mbulimi i kostove operative dhe të mirëmbajtjes ra nga 118% në 109%. Treguesi më i rëndësishëm për shqiptarët, kohëzgjatja e furnizimit me ujë, pësoi një rënie të lehtë nga 12.3 në 12 orë në ditë ndërsa treguesi “Niveli i matjes”, i cili përllogarit përqindjen e konsumatorëve me matës kundrejt konsumatorëve totalë, pësoi një rritje nga afro 65% në 68%. Treguesi “uji pa të ardhura”, i cili tregon humbjet në rrjet, si për shkak të rrjedhjeve ashtu edhe për shkak të vjedhjeve, pësoi një përmirësim nga 67 në 65%. Gjithsesi, ERRU vëren se ky është edhe treguesi më pak i besueshëm nga ato të raportuar nga ndërmarrjet e ujësjellësave.

“Në mjaft raste vërehet dukshëm që të dhënat përmbajnë pasaktësira të konsiderueshme,” thotë ERRU në raport.

“Ky fakt reflektohet veçanërisht në bilancet e ujit që shoqëritë dorëzojnë pranë ERRU-së, të cilat hartohen në mënyrë empirike dhe sipërfaqësore për shkak të mungesës së ujëmatësve të mëdhenj në pikat kyçe të sistemeve të furnizimit me ujë”.

Pavarësisht se ujësjellësat kanë raportuar më pak humbje teknike dhe vjedhje, ERRU thotë se niveli i humbjeve është “i papranueshëm”.

Shtohen punonjësit

Sektori i Ujësjellësave është i njohur për punësime të karakterit politik, për të cilat, partitë e ndryshme politike kanë akuzuar njëra-tjetrën herë pas here përgjatë viteve të fundit. Reforma administrative dhe territoriale e ndërmarrë në vitin 2015 supozohej se do të zgjidhte disa nga këto probleme. Qeveria nga ana e saj ndërmorri atë që e quajti “reforma e ujit” në vitin 2016 si dhe filloi të kërcënojë qytetarët me burg për “vjedhjen e ujit”. Por pikërisht gjatë zbatimit të kësaj reforme, një numër i madh kompanish shtuan numrin e punëtorëve edhe më shumë nga niveli sakaq i lartë i mëparshëm.

“Treguesi i performancës së Eficencës së Stafit (mesatarisht 5,5 staf/1000 lidhje) është përkeqësuar dhe në përgjithësi sektori paraqitet i mbingarkuar me staf,” thotë raporti.”Shoqëritë UK edhe gjatë vitit 2017 vazhduan të shtojnë numrin e punonjësve në mënyrë të pajustifikuar,” thotë ERRU, duke shënjuar në mënyrë të veçantë Ujësjellës-Kanalizime Tiranë si abuzuesin e madh me punësimet. Gjatë vitit 2017, UKT raportohet se ka shtuar 475 punonjë në krahasim me vitin 2016. Kjo është kompania me shtimin më të lartë të punonjësve të shënuar gjatë vitit të kaluar.

Është e paqartë se pse UKT ka shtuar kaq shumë punonjës brenda një periudhe kaq të shkurtër. Por kjo është shoqëruar natyrisht edhe me kosto shtesë në kurriz të konsumatorëve. Të dhënat e bilancit të UKT për vitin 2017 nuk janë publikuar ende. UKT kishte 845 punonjës në vitin 2015, pas shkarkimeve nga puna të qindra punonjësve në emër të reformës të ndërmarrë nga administrata e re që mori kontrollin pas zgjedhjeve për pushtetin vendor të atij viti. Por në vitin 2016 numri i punonjësve u rrit në 1290 ndërsa ERRU thotë se më 2017 janë shtuar edhe 475 punonjës. Kjo ka bërë që numri i të punësuarve në UKT sh.a për 1000 lidhje të rritet nga 3 në vitin 2016, në 4 më 2017. Për vitin 2017, UKT kishte 1764 punonjës. Gjatë të njëjtës periudhe, vëllimi total i ujit të prodhuar ka pësuar rënie ndërsa vëllimi i ujit të faturuar ka pësuar një rritje minimale nga 37.2 në 37.7 milionë metra kub.

Si pasojë e këtij shpenzimi si dhe e shpenzimeve të tjera, UKT ka pësuar një rënie të fortë në treguesin “Mbulimi i Kostove Totale”, i cili mat të ardhurat në krahasim me të gjitha kostot e shërbimit. Ky tregues ishte 138% në vitin 2016 dhe ra në 129% në vitin 2017. Ky përkeqësim në treguesit financiar nuk është shoqëruar me ndonjë përmirësim në cilësinë e shërbimit. Treguesi kyç, ai i orëve të furnizimit, gjatë vitit të kaluar pësoi në UKT Tiranë një përkeqësim të lehtë nga niveli sakaq i ulët. Gjatë vitit 2017, sipas raportimeve të vetë UKT, banorët e Bashkisë Tiranë u furnizuan me mesatarisht 10.2 orë ujë në ditë, nga 11 orë që ishte furnizimi mesatar në vitet 2014 e 2015.

“Kjo shoqëri sikurse e theksuam dhe tek situata e sektorit (tendenca) ka rritur kostot në një masë të konsiderueshme e cila nuk është shoqëruar me rritje të ardhurash,” thuhet në raport, duke iu referuar UKT Tiranë.

Në treguesin e rekuperimit të kostove totale, nëntë nga 11 kompanitë më të mëdha të ujësjellësave në Shqipëri kanë pësuar rënie të ndjeshme, pavarësisht se të ardhurat e sektorit janë rritur për shkak të tarifave shtesë të miratuara nga ERRU. Lushnja, Fieri e Elbasani janë ndërmarrjet që kanë pësuar rënien më të forcë në performancë.

Në total, pagat e punonjësve të kompanive i kushtuan konsumatorëve shqiptarë 3.4 miliardë lekë në vitin 2017, 11% më shumë se sa në vitin 2016.

Në total, të gjitha ndërmarrjet e ujësjellësave e kanë shtuar numrin e të punësuarve nga 6400 vetë në 7400 vetë,

Ujësjellësi ankohet për mbifaturim nga OSHEE

Rritja e shpenzimeve të pagave ishte njëra anë e përkeqësimit të treguesve të performancës financiare nga ana e ujësjellësave. Ana tjetër ishte rritja e shpenzimeve për energji elektrike. Enti Rregullator i Ujit vëren i çuditur se shpenzimet e sektorit të ujësjellësave për energji elektrike është rritur për pjesën dërrmuese të ujësjellësave në një kohë kur sasia e ujit të hedhur në rrjet dhe çmimi i energjisë elektrike nuk kanë pësuar ndryshime të mëdha.

“Për sektorin UK në total konsumi i energjisë elektrike për vitin 2017 është rritur në krahasim me vitin 2016 me rreth 16 milionë kWh”, shkruhet në raport. Kjo është një rritje dramatike. Energjia është kostoja e dytë më e lartë e ujësjellësave pas kostot së punës. Gjatë vitit të kaluar, kostoja e energjisë arriti 2.5 miliardë lekë, ose 8.5% më shumë se sa një vit më parë. Të pyetur nga ERRU, kompanitë ujësjellëse dhanë interpretime të ndryshme. Disa argumentuan se rritja i referohet shtimit të përgjegjësive të tyre për disa sisteme ujësjellësish në zona përgjithësisht rurale, ndërsa disa thanë se pompat e ujësjellësave janë amortizuar dhe kanë eficencë më të ulët energjetike. Por ujësjellësi i Durrësit, ku fatura e energjisë elektrike është rritur me afro 46 milionë lekë, dha një interpretim habitës.

“Në veçanti UK Durrës pretendon që e ka rritur konsumin e energjisë elektrike kryesisht për shkak të mbifaturimit nga OSHEE në disa muaj me rreth 3.6 milionë kWh, të cilin shoqëria e konsideron abuziv dhe ka bërë ankimimin përkatës në OSHEE”, thuhet në raport.

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është akuzuar nga qytetarë të ndryshëm për mbifaturime në masë. Por kjo është nga rastet e pakta kur një ndërmarrje nën pronësi publike ankohet për të njëjtën arsye.

Kompania e furnizimit me ujë të Durrësit mori një rritje tjetër tarifash gjatë vitit të kaluar, kohë kur cilësia e furnizimit të saj me ujë shënoi një nga pikat më të ulëta të imagjinueshme. Gjatë vitit të kaluar, qytetarët e Durrësit u furnizuan mesatarisht me 3 orë ujë në ditë, me një rënie nga 3.6 orë që ishin furnizuar më 2016. Ky është edhe niveli më i ulët i furnizimit në vend, me përjashtim të zonave ku nuk ka fare ujësjellës.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

2 × 1 =