Skandal me poezitë e Çapalikut, qarkullojnë e përkthehen si të jenë të Reshpes

AktualitetKryesoreKulture
31
0
sample-ad

Në internet qarkullojnë me emrin e Frederik Rreshpjes edhe poezi që nuk janë të tijat. Ato edhe janë përkthyer dhe kanë qarkulluar në site të huaja.

Alarmi është lëshuar nga shkrimtari Gazmend Krasniqi, i cili jo vetëm ka bërë publik faktin por ka cituar edhe poezitë, që sipas tij janë ngatërruar.

Sipas Krasniqit, poezitë e mëposhtme, në fakt, kanë për autor Alfred Çapalikun, megjithëse në internet mund të gjenden nën emrin e Frederik Rreshpjes

ALFRED CAPALIKU

MUZIKË NË LËVIZJE

Çiftet përqafuar në shkallaret e shesheve,
Si akrepat e orës në çast të tingëllimit,
Nëse një ditë ndahen, nëse një natë s’shihen?

Bëhen fotografë të verbër në qytet,
S’mbështeten asnjëherë mbi shkopin e urrejtjes,
Armiq të mirë mbesin.

Muzikë në lëvizje është puthja pa u fshehur.


CAKU

Të vdekurve u veshin këpucë të reja,
Se duhet të shkelin në udhë pa krye,
Mirazh shkretëtire në rendje pa fund,
Pa semaforë e vija të bardha e shtylla,
Pa policë trafiku e manekinë mode,
Pa kalimtarë në sens të kundërt si duna,
Për gjetjen e orës, adresës së saktë.
Mbi kalldrëme shtruar me gurë sizifi
Trokasin shojet e ngrëna si patkoj kuajsh,
Ciasin gomat si në përplasje veturash,
Thyhet njëqind copash pasqyra e lustrës.

O sa këpucë të reja u shitën sivjet!

Ata shqiptojnë një fjalë ndërkombëtare,
Non stop-in rraskapitës me theks modern,
Në maloren si thikë, pa ndalesa biblike,
Pa pemë, pa zogj lajmëtarë si dekor.

Poshtë lart majtas djathtas para mbrapa – qiell,
Me engjëj merramendës, me djaj rrëshqitës,
Sipas rregullave të qarkullimit të Dantes.
Shohin dyzimin e tyre mbi pluhur këpucësh
Që tingëllojnë si një kor antik në boshllëk,
Gjersa lëkura çahet, këmba rri zbathur.
I largët është caku të mbërrihet tek Zoti,
Me labirinthin e shpresës vetvetiu hapur.

QIEJ MERMERI

Qiej mermeri
pa peshë,
dallëndyshe kundër rrymës
pa mbërritje.

Pleq ripërtypës kujtimesh
pa tym,
Aerobi pemësh bri rrugëve
pa erë.

E bardha bëhet e kaltër,
E zeza mbetet pa bojë.
Zaret janë hedhur,
Jeta është lojë.

Pikat e shiut, lotë virgjëreshe,
Prishen në shtratin e lumit,
Avullojnë të mistershme,
Si britma pa dënesë.

E bardha ngjyhet me të kuqe,
E zeza ndërron bojë.
Në kurthin e ditës,
Jeta është lojë.

NJERËZIT E GURIT

Burrat e kohës së gurit s’ishin të ngurtë,
Vidheshin me gjethe, u lulëzonin brinjët,
Zbutnin gjithandej gratë e egra,
Shpiknin vegla pune me majë, rrumbullak,
Nuk njihin sistem numërimi për fëmijët,
Shpellat i thellonin me britma pasioni,
Përjetonin vdekjen sipas tyre
Dhe sosnin në skulptura naive.

DJEMTË E RRUGICËS DHE PLAKU

Ku janë djemtë e rrugicës së vjetër?
Pyesin rrugët dhe lagjet fqinje.
Ku është zhurma e lodrave të verës?
Në pluhur vetëm gjurmët e tyre.

Të bukurit dhe të mirët djemtë,
Të shkathtit, të pandalshmit ku ikën?

Një zë, nga pragu i ngurtë i derës,
Njërëzve u thirri: – Djemtë u rritën!
Lule-vilet vareshin mbi derë
Dhe e ndritnin plakun si fererë.

– Secili djalë braktis murishtën,
Të gjejë të panjohurën e vet,
O njerëz të mirë, pas shumë vitesh
Rrugica do të krenohet me djemtë.

Shpejt erdhi rritja e djemve,
Do të vijnë te na shohin përsëri
Dhe do të sjellin me vete,
Vajzat që kanë marrë me dashuri!

Plaku. Lule vilet mbi derë.
Në zemrat e njerëzve, djemtë.

LIRIKË INTIME

Eja, mbështetemi te pema
Në vetminë e saj prej druri,
Te stoli të ulemi, eja
Në vetminë e tij prej guri.

Nën të njëjtin yll jemi ndeshur
A mund të rrimë pra të ndarë,
Si stoli me trungun e heshtur,
Mbjellë shumë vite më parë?

Në flakë vetëtime pashë
Ovalen dridhëse të buzëve
Dhe si një magji poshtë saj,
Gjithçka që në jetë më duhej.

Pastaj gjëmimin, unë ndjeva
Rininë tënde të përkulej,
Në çast u hepova si dega
Dhe gjeta gjithçka që më duhej.

SIMBIOZË

Dy gjysma jete nuk bëjnë një jetë,
As pjesëtuar nën kryqin e dhimbjes,
As shumëzuar në iksin e shpresës,
Të mbledhura me vetveten e mjerë,
Të zbritura nga maja rrokaqiejsh.
Njeriu ngjyron si pylli në vjeshtë,
Dy gjysma jete nuk bëjnë një jetë.

KARNAVALET

Ditën e karnavaleve të botës
Maska gjithëfarësh, nën ritëm prej shiu,
Luajnë kuplete me fund gazmor,
Kafshë imitojnë, insekte xhunglash,
Asimetrikisht bëjnë pirueta,
Për të harrur maskat e vërteta.

TAKIM ME VINÇENS PRENNUSHIN
In memoriam

“Un jam i Zotit! Qiellin a mund ma pritsh?”
Gegnishtja e ndalun jehonte ilirisht
Dhe kumti flatroi mes yjesh pa u fikun,
Mbas çastit vdektarë sa shpejt kishte rilindun.

Të vinte era lule, i veshun me gjeth,
Shejtnisht përmbi krye të shndriste nji rreth,
Në kohën e amshimit nuk ishe dikushi,
Por ambëlsia vetë, Poeti Prennushi.

STINA E GËZUAR

Si frynin erërat e stinës ashtu mbrëmë,
Sikur pranvera jepte koncert me tre violinistët
e muajve të saj,
Në sheshet e rrugëve dhe periferitë.

Si endeshin të dashurit nën ombrellat gazmore,
Dy nga dy
Dhe shpërndaheshin mes blerimit nën ritmin
e shiut.

Të gjitha këto ndodhën mbrëmë,
Kur të prisja ndanë një BAR-i
Dhe emrin ta gdhendja në avujt e xhamit.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

thirteen + 11 =