Bëri ç’bëri, u ngjit në fron. Milet xhibilet, s’bën dot pa sulltan.

Opinion
15
0
sample-ad

Ne pamë njeri-tjetrin. Nuk po e merrnim vesh për çfarë po fliste Ilmiu.

Për Erdoganin e kam, sqaroi. E patë inagurimin? President për nga emri, sulltan për nga pushteti e kompetencat.

E po ç’ti bësh? Kush do e qeverisë Turqinë dhe qysh e tek, e vendosin turqit, jo unë e ti, ia priti Lilua. U bë referendum për formën e pushtetit, pastaj zgjedhje për president e zgjedhje për maxhorancë qeverisëse. Të gjitha të rregullta. Të tëra i fitoi lalë Erdogani. E zgjodhi populli? Hallall i qoftë pushteti.

Cili popull, pyeti Ilmiu, katundarët e skërkave të Anadollit? Gjithë qytetet e mëdha i ka kundër.

Diskutimi vazhdoi gjatë, po sa më shumë flisnim aq më shumë shtoheshin pyetjet. Njera prej tyre ishte tejet e koklavitur dhe vështirë se mund t’i jepnim xhevap: transformimet demokratike duhet të vijnë natyrshëm e gradualisht nga poshtë, apo duhet të imponohen me forcë nga lart ose nga jashtë?

Naqja thoshte se çdo gjë që bëhet me forcë dhe nga lart, herët a vonë dështon. Reformat e Ataturkut, shtonte, u bënë me sforco, vendi qe i papërgatitur. I ruajti ushtria me forcë e grushte shteti, por sot Turqia po e paguan haraçin: po bën pas në rrafsh shoqëror e demokratik, gratë po mbulohen, laicizimi po vihet në dyshim.

Unë ndërhyra e thashë se fakti që një pjesë e konsiderueshme e turqve luftojnë për demokraci e laicizëm, dëshmon se reformat e Ataturkut s’kanë shkuar dëm.

Eshte më mirë të piqen kushtet, pastaj të bëhen ndryshimet, më kundërshtoi Lilua. Ka vende që mbase nuk duhet të kalojnë drejt e në demokraci. Një periudhë e ndërmjetme me regjim autoritarist u bën mirë, i parapërgatit.

Si shembull solli Kinën. Regjim hibrid ka, shtoi, edhe komunist edhe kapitalist. Po kjo s’e pengon të përparojë. Prite nesër kur të bëhet superfuqi. E merrni dot me mend ç’do kishte ndodhur sikur Kina të kishte ndjekur rrugën e vëndeve të tjera komuniste e të qe hapur tak-fak? Do qe përmbytur bota me kinezë.

Racist i thekur mbete tërë jetën, u nervozua Ilmiu.

Tonet po ngriheshin. S’kishim as kamarjeren të na qetësonte me ndonjë romuz. Kishte ikur të shihte nipin në Oslo.

( Nga cikli ‘Kafe për llafe’ )

Facebook Comments

POST A COMMENT.

12 + 3 =