Zëdhënësi i Berishës: Ja si e ka kopjuar Edi Rama doktorin

KomentKryesore
19
0
sample-ad

Grid Rroji

Gjithmonë sipas parashikimeve të kolegëve të Bletës Shqiptare, shumë popuj po i rikthehen rrënjëve kombëtare, duke përzgjedhur udhëheqës të shtetit që premtojnë tërheqjen të paktën të pjesshme nga globalizmi tregtaro financiar. Në këtë pikë pak rëndësi ka gjenuiniteti i udhëheqësve-shumë syresh janë gjithsesi përfaqësues dhe për pasojë garanci të shtresave financiare- popujt kërkojnë riafirmimin e identitetit si pikënisje e shtetit duke e kaluar demokracinë (sistemin e përzgjedhjes së shtetarëve) në plan të dytë apo në pozitën 1A. Nga pikëpamja ideologjike kjo përkthehet: dimensioni i lirisë që rrjedh nga identiteti është parësor (në rastin më të keq primis inter paris), në krahasim me përftimin e lirisë demokratike e cila sjell zhdukjen e dallimeve kombëtare. Demokracia, dmth ideali i pushtetit që buron nga individi i lindur i lirë, nuk ka forcën e mjaftueshme për t’iu mbivendosur identitetit kombëtar si shtyllë legjitimuese e shtetit, real apo i imagjinuar qoftë ky identitet. Pasoja e pritshme e këtij virimi është riekuilibrimi i fuqisë (BoP), duke sjellë qasje të reja gjeostrategjike dhe ndryshim thelbësor të prioriteteve të fuqive botërore. Kemi patur zhvillime në Lindjen e Largët, riekuilibrim në vazhdim e sipër në Lindjen e Mesme, ndryshim thelbësor të ekuilibrave në Evropën e Bashkuar, dhe përpjekje të dukshme për ekuilibra të rinj në Ballkan dhe Evropën Lindore e më gjerë. Po ne shqiptarët? Qeveria me sytë nga Bizanti Athinaik dhe Anadolli, e ashtuquajtura opozitë që financohet nga Moska dhe Beogradi, Paria drejtuese në tërësi e përbërë nga pakica antishqiptare e shqiptarurrejtëse, shteti pothuaj i shpërbërë dhe mashë pushteti të cilitdo gënjen më shumë para zgjedhjeve të radhës, shoqëria e kriminalizuar, propagandizuar dhe tulatur, dhe shtresat intelektuale me përjashtime të pakta eunuke të pushtetit dhe kockës së radhës. Ka disa kolegë që i mëshojnë faktit se megjithë propagandën populli i mençur shqiptar nuk po gënjehet më nga Saliu. Kjo qëndron, por nënkupton po ashtu se Saliu ekziston në vakuum dhe jo si pjesë drejtuese e frymëzuese e një strukture të të gjitha palëve që mendon veç të vjedhë me çdo mjet. Edi Rama e ka kopjuar në pothuaj gjithçka, deri edhe tek shitja e detit për të cilën nuk do ndjehen më disa që hiqen si kombëtaristë te flaktë në FB. Pa pari nuk ka Sali, por pa Sali ka pari. Në çdo rast, kur të ndryshojnë konjukturat botërore, siç jua kemi thënë me kohë, një vend i vogël, pa ushtri, pa shtet, pa vizion të qartë dhe i sunduar nga antishtetarët rrezikon të zhduket. Mua më duket kjo temë më e rëndësishme për t’u diskutuar se humbja e kombëtares gjermane të cilën e sheh të komentuar në çdo stacion tv-je nga politikanë gjithfarësh. Po unë jam thjesht një shqiptar e ndoshta s’mendoj me kutin e Tiranës.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

seventeen − 1 =