Aleanca e re globale që po përjashton SHBA-në

Koment
39
0
sample-ad

Nga Shaban Murati

Hedhja në publik e ideve dhe e projekteve gjeopolitike është një hob intelektual në modë, por kur këto ide lëshohen nga personalitete të rëndësishëm, që kanë pasur poste të rëndësishëm në shtete të rëndësishëm, bëhet e këshillueshme të ndalesh mbi to. E tillë është edhe idea, që parashtroi ish kryeministri i Francës Jean Pierre Raffarin (2003-2005) për krijimin e një grupimi të ri prej katër shtetesh të mëdha europiane dhe aziatike. Në një intervistë në “Journal du Dimache” të 24 qershorit 2018 Raffarin deklaron se “E ardhmja e Europës është e lidhur me krjimin e një poli të fuqishëm europian në një Euroazi të qendrueshme. Ky hark i stabilitetit duhet të bazohet në një grup të katër shteteve, Francë, Gjermani, Rusi dhe Kinë”.
Meqë propozuesi, i cili hedh idenë e një projekti të aleancës së katër shteteve të mëdha, dy nga Europa dhe dy nga Azia, ka qenë kryeministër i një shteti të madh dhe të rëndësishëm si Franca, mund të mendohet se ai shpreh, të paktën, frymën apo prirjen e një grupi të caktuar politik dhe ekonomik të rëndësishëm në isteblishmentin francez.
Çfarë don të thotë krijimi i një aleance apo poli të ri të fuqisë globale me katër shtete: Francë, Gjermani, Rusi dhe Kinë?. Së pari, don të thotë që ky projekt përjashton Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga pjesëmarrja dhe roli në këtë aleancë të re të fuqisë globale. Ish kryeministri francez nuk e fsheh madje se një nga motivet e krijimit të këtij grupimi të ri fuqishëm është pikërisht kundërshtimi i politikës amerikane dhe më konkretisht i presidentit Trump, “kursi i të cilit vë në dyshim gjëra fundamentale”.
Së dyti, projekti i ish kryeministrit francez përjashton Aleancën Atlantike si garante dhe pol të fuqisë globale dhe bosht i arkitekturës së sigurisë në kontinentin europian. Ai bën thirrje që “të revizionojmë aleancat tona gjeostrategjike”.
Së treti, ish kryeministri francez përjashton Bashkimin Europian si fuqi globale dhe nga kjo organizatë i jep vetëm Francës dhe Gjermanisë privilegjin e të qenit pjesë e grupimit të ri. Ai nuk shprehet se përse duhen lënë jashtë grupimit të ri shtete të tjera të mëdha europiane si Britania e Madhe, e cila është edhe fuqi bërthamore, apo Italia dhe Spanja.
Së katërti, ish kryeministri francez nuk përfshin në grupimin e ri të fuqisë botërore Indinë, kolosin demografik dhe ekonomik të Azisë dhe fuqi bërthamore, pa të cilën vështirë se mund të mendohen rregullime apo formatime gjeopolitike aziatike dhe globale.
Nuk është e qartë përse ish kryeministri francez vendosi ta hedhë tani idenë e tij për një aleancë të re globale të katër shteteve. Ndoshta mund të jetë ndikuar nga idea e presidentit amerikan Donald Trump, i cili sipas gazetës amerikane ”Uashington Post” të datës 29 qershor, i ka sugjeruar presidentit francez Macron gjatë bisedimeve të tij në Shtëpinë e Bardhë në prill të këtij viti, që Franca ta braktisë Bashkimin Europian. Nëse është kështu, nuk duket shumë e arsyeshme që një ideje gjeopolitike të çuditëshme t’i kundërvihesh me një ide tjetër të çuditëshme gjeopolitike.
Shtetet e mëdha bëjnë lojra të mëdha gjeopolitike, por shtetet vegjël bëjnë mirë t’i ndjekin me vëmendje se çfarë ndodh dhe çfarë mund të ndodhë

Facebook Comments

POST A COMMENT.

5 × 5 =