Alarmi: po krijohen primamidat e reja në Shqipëri: Ja firmat fantazmë

EkonomiKryesore
135
0
sample-ad

Çdo investim apo blerje produkti financiar pranë një shoqërie, apo subjekti të palicencuar mund të jetë objekt mashtrimi dhe spekulimi, paralajmëron Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF).

Sipas një prononcimi zyrtar të AMF për Monitor, këto kompani apo të tjera të palicencuara mund të lidhen me kompani që krijohen në territorin e R.SH. me aktivitet “call center” duke marketuar produkte dhe shërbime financiare për klientë jashtë ose brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, të cilat mund të rezultojnë në skema “Ponzi” ose “brokera fantazmë”, ku pasi marrin fondet e investitorëve, zhduken.

 

Duke qenë se kohët e fundit ka shqetësim në lidhje me pastrimin e parave nga call center që funksionojnë si Forex, si e kryen Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare kontrollin ndaj këtyre kompanive?

Fillimisht do të donim të sqaronim se AMF licencon dhe mbikëqyr shoqëritë e brokerimit për transaksionet me titujt dhe jo për Forex. Tregu i Forex nuk është nën rregullimin e AMF. Por, duhet të jemi të qartë se sot, Direktivat e BE-së njohin si instrument financiar CFD (kontratën për diferencë), si një lloj instrumenti derivativ, që i jep mundësi investitorit një ekspozim ndaj ndryshueshmërisë së çmimeve, ku përfshihet edhe ndryshimi i çmimit të valutës.

Aktualisht, AMF ka licencuar 3 shoqëri brokerimi për blerjen dhe shitjen e titujve me porosi të klientit në tregun e licencuar në territorin e R.SH. dhe njëkohësisht këto shoqëri kanë të drejtën për të vepruar si Agjent i një brokeri të licencuar nga një Autoritet rregullator jashtë territorit të RSH.

Shoqëritë e licencuara janë: shoqëria “Eurotrade Securities” sh.a., shoqëria “Smartcom” sh.a. dhe shoqëria “Prodata Securities” sh.a. Theksojmë se, licencimi i këtyre subjekteve, bën që ato të jenë të detyruara të zbatojnë rregullat që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe të kontrollohen nga Autoriteti dhe DPPPP lidhur me këtë çështje.
Autoriteti ka ngritur edhe një njësi të veçantë për çështjen e parandalimit dhe pastrimit të parave, si dhe bashkëpunon ngushtë edhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave në kryerjen e inspektimeve të përbashkëta për këtë çështje.

Sa është numri i këtyre kompanive që operojnë në Shqipëri (të pa licencuarat) dhe çfarë masash po merr AMF për vendosjen në kontroll të tyre?

Investimi në instrumente financiare është investim me rrezik, sidomos investimi në CFD paraqet rrezik të lartë. Për këtë arsye, shoqëritë që veprojnë në tregun e titujve duhet të jenë shoqëri që përmbushin kriteret e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi në lidhje me kapitalin, mënyrën e organizimit, rregullat e veprimtarisë, si dhe duhet të punësojnë njerëz me integritet dhe profesionalizëm. Ndër rregullat që duhet të respektojë shoqëria, rëndësi të veçantë kanë rregullat për njohjen e klientit, mënyrën e komunikimit me klientin dhe transparenca e vazhdueshme për produktet dhe shërbimet financiare që ofrohen.

Edhe kur shoqëria vepron në rolin e Agjentit të brokerit të huaj të licencuar kërkohet që në njoftimet publike apo reklamat e publikuara në mjetet e komunikimit në masë dhe në mjetet e komunikimit elektronik të deklarojë dukshëm rrezikun që mbart tregtimi në CFD.
Një veprimtari e palicencuar dhe e pambikëqyrur, i ekspozon investitorët ndaj kostove të fshehura dhe detyrimeve të tjera, të cilat, në mungesë të transparencës së nevojshme nga ana e subjektit ndërmjetësues, mund të jenë të mëdha. Çdo investim apo blerje produkti financiar pranë një shoqërie, apo subjekti të palicencuar mund të jetë objekt mashtrimi dhe spekulimi.

AMF, gjithashtu, ndjek me vëmendje paralajmërimet e publikuara nga Autoritetet Mbikëqyrëse homologe për ekzistencën e brokerave apo platformave të palicencuara. Këto kompani apo të tjera të palicencuara mund të lidhen me kompani që krijohen në territorin e R.SH. me aktivitet “call center” duke marketuar produkte dhe shërbime financiare për klientë jashtë ose brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, të cilat mund të rezultojnë në skema “Ponzi” ose “brokera fantazmë”, ku pasi marrin fondet e investitorëve, zhduken.

Sipas Ligjit “Për AMF”, Autoriteti ka si objekt rregullimin e veprimtarisë së subjekteve të licencuara, nëpërmjet hartimit të akteve të Autoritetit, të parashikuara nga ky ligj dhe nga ligjet e fushës, si dhe mbikëqyrjen e tregut të titujve, sigurimeve, skemave të pensioneve vullnetare dhe veprimtari të tjera financiare që mbikëqyren, të cilat rregullohen e funksionojnë në përputhje me ligjet në fuqi.

Në lidhje me kompanitë e palicencuara, AMF është në dijeni të fenomenit dhe për këtë, ka njoftuar zyrtarisht të gjitha organet e tjera ligjzbatuese, për të bërë investigimet përkatëse në lidhje me çështjen në fjalë dhe me disa prej tyre ka shkëmbim interaktiv informacioni.
Gjithashtu, AMF ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e investitorëve për të marrë shërbime financiare nga shoqëri të licencuara, nëpërmjet paralajmërimeve të publikuara në website-n e AMF.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

5 × five =