Kalimthi: arrivistët, kthetrat dhe urtakët

Opinion
103
0
sample-ad

SELADIN XHEZAIRI

1. Nuk është se nuk dijnë se ç’duan, nuk është se janë pa dell. Kanë shumë shqisa të mirëzhvilluara. Kanë vese dhe prirje, ama duan që të jenë të parët – aty ku janë të mirat dhe, t’i kenë ato! Nëse nuk u rri samari drejt apo edhe nëse nuk u shkon tymi drejt, ata bëjnë namin! Janë zevzekë e teknefesë. Duan t’i kenë të gjitha! Janë hileqarë me hile, inatçinj prej – inatit! Ec e merri vesh kur të flasin për parime kur për një plesht e djegin jorganin! Ndërsejnë natën e ditën bëhen shtirakë, fjalëmëdhenj e punëpak. Kolltukofagë të cilët të thonë se të gjitha të mirat – i kanë hak! Dhe, prandaj hyxhimet i kanë në gjak! Kështu thuhet e shkruhet në letra. Kemi tek ne e ndër ne?
Them: Sa të duash!

2. Këtë qershor na e bënë paksa më të nxehtë zhvillime të cilat do të mbahen mend: një shkrirje akulli prej dekadash mes Maqedonisë e Greqisë, si yrnek edhe për Shqipërinë(me Greqinë), po edhe për Prishtinën e Beogradin. S’do mend se duket që Evropa Plakë po reflekton, konform moshës, se më mirë është vendosja e paqes sesa thellimi i hasmërive! Ali Ahmeti dhe të ndjerët Abdurrahman Aliti e Arbën Xhaferi, prandaj duhet të jenë të kënaqur që rajoni dhe shqiptarët po zënë vend në atë që quhet Oksident, sadoqë Orienti nuk është larg! Duket se ëndrra për në NATO po na bëhet zhgjëndër! Sa për në BE, mirë e kanë thënë të moçmit: ngadalë beg se ka – hendek…!

3. A ju kujtohet deklarata e ish-kandidatit presidencial të VMRO-DPMNE-së, L. Georgievski, për ‘kthetrat’ dhe shqiptarët? Fjalori ynë, për kthetrën ofron dy shpjegime: ‘-Thonj të fortë e të mprehtë, të kthyer përbrenda, që i kanë në majat e gishtërinjve shumë shtazë të egra dhe shpendë grabitqarë; gishtërinjtë me këta thonj. Kthetrat e luanit (e maces). Kthetrat e shqiponjës. E kapi (e mbërtheu) me kthetra, dhe kuptimi i dytë është figurativ: – Sundim i vendosur me dhunë, shtypje e rëndë, shfrytëzim i egër. Hedh (shtrin, zgjat) kthetrat. Nguli (futi) kthetrat. Ra në kthetrat e dikujt ra nën sundimin e dikujt. Shpëtoi (u çlirua) nga kthetrat e…’.

Nejse, desha të them se djelmoshat (pesë) shqiptarë në përfaqësuesen e Zvicrës dhe atë të Belgjikës, në këtë Botëror, në Rusi, na bënë të ndjehemi krenarë me lojën e treguar dhe golat e shënuar. Nuk është keq kur edhe një gëzim i manifestuar – bëhet lajm, apo jo?

4. Thonë se për t’i ikur apo për të zgjidhur një problem a një çështje – duhet urtësi. Jo që nuk jemi as shkurtpamës e as largpamës: Dimë të ndajmë shapin nga sheqeri, të mirën nga e keqja, të bardhën nga e zeza! Dimë ama nuk duam. Do më thuash: aftësitë e njerëzve të ndryshme janë! E si thua edhe për këtë: Intereset a të mirat për veten e kurajon a gajretin – për të tjerët? Natyrisht se na duhen njerëz të urtë. Sepse me ta (e jo me përmendore) – bëhet historia. Këtë, pastaj, dihet se kush e shkruan!

sample-ad

Facebook Comments

POST A COMMENT.

3 × three =