Sesilia Plasari: Shembësit e Teatrit i zëntë mallkimi i Bujar Asqeriut!

Kulture
45
0
sample-ad

Që kur “plasi” çështja e Teatrit Kombëtar, ose më saktë kur riplasi, pas gati 20 vjetësh, regjisorja dhe aktorja Sesilia Plasari është shprehur kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, për të ndërtuar një godinë të re mbi varrin e së vjetrës. Ndonëse e ka ndjekur gjithë debatin nga larg, Plasari ka qenë e pranishme përmes shkrimesh e intervistash dhe në një nga protestat e fundit ajo erdhi të bëhej pjesë edhe fizikisht.

Kur duket se gjërat po precipitojnë me shpejtësi, duke numëruar ditët e fundit të godinës 80-vjeçare të TK-së, Sesila Plasari i bën tashmë thirrje qytetarëve të ngrenë krye, që ky teatër, apo “nëna” siç e quan ajo, të mos vdesë. Nëse aktorët janë vetëm një grusht, publiku është me mijëra. Ai tanimë duhet të ngrihet.

“Teatro të rinj kombëtarë mund të ndërtojmë sa të duam e ku të duam, por këtë këtu, nuk e gjejmë dot më. Kurrë! Ata që vrasin nënën – si ata që po kurdisin këtë vrasje, si ata që po heshtin, si ata që firmosin – kanë halle të tjera: kanë halle më të ulëta se të derrave!”, thotë Plasari.

SESILIA PLASARI

“SA POSHTË KANË RËNË ELITAT!”

Kështu u shpreh Kryendarësiaku, në mosdëgjesën e fundit, duke akuzuar artistët se merrnin urdhra nga opozitarët e djathtë – një gënjeshtër e radhës. Paskan nevojë ata t’u thotë Partia Demokratike “shiko, po tallin menderen këta hienat me ju dhe me popullin”, nuk e kuptuakan dot vetë!?

Duke u munduar t’i përlyejë kësisoj – po përdor shprehjen që kryendarësi e ka shumë për zemër – ai u fyen inteligjencën shqiptarëve që janë të vëmendshëm, por manipulon opinionin e atyre që nuk e kanë mendjen te problematika e teatrit. Ai do të donte që artistët të marrin ultimatume vetëm nga bajraktarja e majtë! (E majtë i thënçin, në Shqipëri e majta mund të gjendet kollaj gjetiu, si dhe prapanica mund të gjendet kollaj në kokë).

Kryendarësi Veliaj, na akuzoi, pra, elitat! Absurde! Sepse ato o janë, o s’janë, po qe se janë elita, nuk bien poshtë, ato që bien poshtë dhe zvarriten nuk janë elitë, shumë-shumë pseudoelitë. Një pabukës mund të jetë elitë, madje ripjellësit pikërisht këtë po përpiqen të bëjnë, në mënyrë të vendosur dhe metodike: ta shndërrojnë elitën e vërtetë në pabukëse. Ta gjunjëzojnë më çdo kusht, ta dekurajojnë, ta çarmatosin, ta përzënë.

Shikoni nivelin kulturor, profesional, por edhe integritetin moral të drejtuesve të institucioneve që ata na ofruan, të paktën këta të artit, që ne i njohim mirë. Të gjithëve u vjen turp që i kanë mbi krye, madje dhe ndotë, por i pranojnë si një fatalitet me të cilin duhet të “kullandrisen”. Disa përpiqen, madje dhe t’i duan: është më pak poshtëruese, është më e lehtë për ndërgjegjen.

Dhe kur je i detyruar të ndjekësh brumbullin, siç thotë populli… dihet se ku përfundon. (Nuk kanë faj brumbujt, ata rendin drejt ekskrementeve natyrshëm, kanë faj ata që i zgjedhin dhe, sigurisht, qëllimisht!) Enveri e kishte më të thjeshtë, elitën e vriste, me ligj e pa ligj, e fuste në kampe, e fuste në dhe.

Ripjellësit të vrasin me Maligj, të heqin nga dheu, të detyrojnë të marrësh dhenë; të çshqiptarizojnë! Mundimi zgjat një çikë më shumë për atë që e pëson. Qenka e djathta që na shtyka të sulmojmë vrasësit e godinës së Teatrit Kombëtar? Jo, or jo! – ndonëse nuk është turp të jesh as i djathtë, as i majtë, turp është të jesh i pandershëm – njerëzit që ngujohen aty kanë hallin e teatrit, asnjë hall tjetër!

Është urgjente të veprohet! Të mos reagosh, qoftë dhe ndaj një personi në rrezik, është krim! Dënohet me ligj nëpër botë! Teatri Kombëtar është ku e ku më tepër së një person! Ethja me të cilën i janë ndërsyer për ta shembur me çdo kusht, tregon se deri në ç’masë përgjegjësit e kësaj gjëme janë “të zhgërryer, të zhyer, të vyer për hu! Turp e ndot kundërmonjës!” (Dhe atyre, sigurisht, ju “kërrusën mbi gju dallkaukët, kopukët dhe turmat pa tru…”).

Në këtë vend nuk është dënuar njëri për krimet e bëra, ata do ta bëjnë krimin, po i latë ju, sepse nuk kanë frikë nga dënimi! Zgjohuni! Zgjohu, o popull! A e sheh si po përdridhen, se si po rreken të të bëjnë të gëlltisësh me çdo kusht gjellën e tyre vrastare, “arkitektuesit” e këtij krimi? Janë tërbuar ndaj këtij gjembi që u është ngulur në thundër nga protesta, ndaj kësaj rezistence që i ka shtrënguar si derrat në lak, e po ju frenon “yryshin” për të realizuar planin: vjedhjen e radhës, rrjepjen e çka mbetur për të rrjepur e rruajtjen ç’ka mbetur për të rruar?

Them derrat, por derrat nuk janë as kusarë, as mashtrues, as dhunues. Ata kridhen në llucë ndershmërisht, jo si këta hipokritë, hajdutë e gënjeshtarë që më gjakun tënd sajohen, rinohen, lustrohen zbukurohen për të t’i vënë portretet dhe emrat 24 orë rresht kudo ku mund të të plasin sytë, madje dhe mbi zemrat e vogëlushëve, mbi stema që dhe Mao Ce Duni do t’i kishte zili!

Që vogëlushëve t’u krijohet refleksi i dashurisë për ta që tani! Për këto qenie bythë e gjuhë përdredhura, bythë e gjuhë huajtura për punë të pista! Ata tani po vjedhin ashiqare Teatrin! Një relike që ti – që s’ke asgjë, – mund t’ua lësh si krenari pasardhësve të tu! Një muzë, një muze, një vend të shenjtë, një vakëf!

Me atë histori e ato vlera që ka krijuar e strehuar, në kushtet e skamjes tonë lapidare, kjo godinë duhet konsideruar si perëndi! Si një nënë! Nëna është e bukur në çdo moshë, e pazëvendësueshme, sado e rrëgjuar dhe e sakatuar qoftë. Për të rend njeriu që është njeri, të gjejë shpëtimin! Mjekun më të mirë! Ilaçin më të mirë! Por ata nuk mund të marrin sytë e dashurisë dhe ta shikojnë, nuk mund ta kuptojnë teatrin, vendin ku takohen e dukshmja me të padukshmen.

Nuk kanë sy për të padukshmen. (As sa nëna biologjike e kryendarësit, që (sipas gjasave!) ish’ ajo që e martoi të birin nëpër kala! Ha ha ha!) Për të padukshme, ky takëm njeh vetëm aferat okulte me vrasje për fitim. Nuk fitojnë gjë po të na vrasin ty dhe mua, përndryshe do e kishin bërë më kohë, janë e njëjta farë, në një variant më të keq: vrasin të ardhmen. Përfitojnë nga indiferenca jote dhe përvetësojnë.

Vrasin hapësirat e gjelbra, kinematë, stadiumet, teatrin! Jezu Krishti thoshte “Mos ua hidhni derrave perlat tuaja”, teatri është për ata si perla për derrat. Ndryshe nga derri, i ndershëm, i cili nuk e kupton vërtet vlerën e perlës, ata e kuptojnë fare mirë, ata vrasin të gjithë duke e ditur shumë mirë se ç’bëjnë, sepse duan tufën! Tufën e parave, duan copën e beton-sheqerit, me të cilin i shpërblen ai që i ndërsen, duan fryrjen si thithëlopat në një llucë pushteti gjithnjë e më të madh.

Nuk është nëna e tyre teatri. Ata janë bij hipokrizie dhe hileqarie, janë bij hajdutërie dhe pangopshmërie, janë bij cinizmi dhe nombrilizmi, mediokriteti dhe perversiteti, narcisizmi dhe diabolizmi. Ata e dinë vetë shumë mirë se çfarë bëjnë, por i kanë thënë udhë e mbarë ndërgjegjes… Po ti? Ka njerëz që thonë: “Po mirë mo, ja do keni një teatër të ri, ku është problemi”.

Sepse njerëzit në ditët tona dëgjojnë shumë zhurma dhe janë të lodhur, nuk kanë nerva të thellohen e të kuptojnë daullen e radhës, i bien shkurt: Na lodhën këta, më këtë teatrin, çfarë duan?”. “Punë e madhe se po vdes nëna! Babai merr një të re! Ku është problemi?”. Problemi është që e reja nuk është nëna! Është një vdekatare si një tjetër! Nuk është Nëna e brezave, që të tregon, të strehon, të pasuron, të frymëzon. Të mëson se kush je. Nuk është Shtëpia.

Babai qoftë i lumtur me të renë, mund ta çojë kudo, pse u dashka vrarë nëna? Që të pasurohet vrasësi? Ka vend edhe për nënën dhe për nënën e bukur – siç e quan bota njerkën! Teatro të rinj kombëtarë mund të ndërtojmë sa të duam e ku të duam, por këtë këtu, nuk e gjejmë dot më. Kurrë!

Ata që vrasin nënën – si ata që po kurdisin këtë vrasje, si ata që po heshtin, si ata që firmosin – kanë halle të tjera: kanë halle më të ulëta se të derrave! Derri nuk e bën këtë. Brehti me replikën e antiheroit të tij Baal na thotë “Ju jeni derra dhe kjo më pëlqen. Besomëni, pjesë më të mirë se kjo në vetvete nuk keni”.

Si të mos biem më poshtë se derri ? Rama, Veliaj, Kumbaro, MJAFT me këtë lojë të keqe, të shpifur, të neveritshme që po bëni! Mos i lyeni duart me gjakun e Teatrit! Gjithkush që e njeh teatrin e skenës dhe të jetës e ka kollaj të gjykojë së sa e pambështetur është loja juaj, ajo prej aktorësh mizerabël, maksimumi i të cilëve është kallp, pa asnjë impakt tjetër me rolin përveç atij të zhudrave që do përvetësojnë.

Harram! Harram! Ju zëntë haku i Teatrit, shpirti i aktorëve të vërtetë! Ju zëntë mallkimi i Bujar Asqeriut dhe i të tjerëve si ai! Në bodrum nëpër llom’ e kufom’ u mallkofshi; Në skëterrën katran e tiran u harbofshi!

O komb shqiptar, teatri është shpirti yt, po të vjedhin shpirtin! Po të bëjnë budalla sërish e sërish, po të heqin zemrën, po ta trafikojnë siç të trafikuan motrat dhe bijat në trotuaret e botës! Edhe kësaj radhe ti nuk bëzan, nuk është puna jote? Nuk shkulësh i tëri t’i zësh pritë pabesisë në sheshin e Teatrit? Çdo ditë në orën 19:00 atje mbrohet kjo kockë e popullit nga thonjtë e grabitqarëve. Ti ku je? Çfarë duhet të të bëjnë ende, që të ngrihesh, të rrëmbesh drunë dhe të materializosh “MJAFT”-in ?

Mos do ish’ dashur të themelohej në Kukës Teatri Kombëtar? Nuk po ta bëj thirrjen as nga e majta e as nga e djathta, po ta bëj nga sytë e ballit që janë dy, po të thërras nga zemra jote, të cilën ti nuk e ke dëgjuar ende. Protesta nuk është e artistëve, të jesh i punësuar si artist nuk nënkupton apriori që je artist, nuk nënkupton as që ke kulturë, as që ke vizion, as që ke ndërgjegje. As që ke ndershmëri.

Ka njerëz të cilëve ndërgjegjja nuk u është zgjuar ende, po ka dhe nga ata që arrijnë ta vrasin atë, nën shembullin e atyre që na shtrembërojnë (s’themi dot që na drejtojnë, dreqi e mori, ne që e lexojmë mirë tekstin). Duhen shpikur neologjizma: ata që na udhëDreqin)! Protesta nuk është e artistëve. Ata janë disa kokrra çdo natë në teatër, ju jeni disa qindra çdo natë. Shfaqja bëhet për ju, është i juaji teatri, pa ju, ai s’do kish kuptim. Edhe nëse s’e keni shkelur kurrë atë prag, mendoni për fëmijët, për mbesat dhe nipat, që do duan një gjurmë nesër nga kultura e tyre. Protesta është e gjithkujt që ka ndërgjegje dhe shpirt. Sa njerëz të tillë kanë mbetur? Le të vijnë, le të shfaqen, të bashkohen me mbrojtësit e teatrit.

Ata nuk i lë Shekspiri ta abandonojnë, ai është për ta si dashuria për jetë a vdekje e Zhuljetës dhe Romeos. Nuk i lë Çehovi ta abandonojnë teatrin, ai është “Kopshti i qershive”, është një komedi, dramë e tragjedi njëherësh. Një farsë me derra brenda. S’i lë Sofokliu, teatri është Antigona, ajo i shkon ligjit të saj deri në fund, ligjit të zemrës, jo ligjit që sajon e aprovon Maligji. Teatri sot është si një fe e re, ai bëhet i tillë pikërisht prej shpirtit që i banon brenda, prej kohës që e ka distiluar këtë shpirt.

Është vend i shenjtë. Çdo besimtar i tij është një botë e tërë dashurie dhe ndershmërie: Konvertohuni në mbrojtës të teatrit! Mbroni shpirtin tuaj! Kjo thirrje uturon nga gryka e skenës, nga “Familja ë peshkatarit”.

Në këtë kohë kur peshqit, të vegjël a të mëdhenj, nuk po kapen dot më, sepse peshkatari dhe peshku janë bërë tashmë një, gjëmon zëri i Sulejman Pitarkës, Naim Frashërit: “Shqipërinë ta duash! Ta duash, dëgjon? Nuk ka rrugë tjetër nëse do të rrosh me nder!”

Facebook Comments

POST A COMMENT.

five × 1 =