Përparim Kabo: Të paaftët dhe anonimët që po na e marrin frymën

Editorial
57
0
sample-ad

Në çdo rast kur flitet për detyrat e shtëpisë së Republikës së Shqipërisë në plotësimin e kushteve për procesin e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian, nuk mungon kërkesa për ndërtimin e një administrate të qëndrueshme, profesionale, të depolitizuar, kompetente dhe në shërbim të publikut e pa molepsur me korrupsion.

Një administratë europiane, e cila në qendër të punës së saj ka qytetarin dhe interesin publik. Ky kusht konstant megjithë ndonjë ndryshim sipërfaqësor, gjatë gjithë tranzicionit është në gjëndje shumë mjerane. Njerëzit herë herë gënjehen me formën e shërbimit që falë teknologjisë mund të shkurtojë kohën dhe procedurat, por në thelb ne kemi një administratë që karakterizohet:

1-Nga rekrutimet partiake, nepotike dhe korruptive.

2-Ne kemi një administrat që drejtohet që nga nivelet më të larta nga inkompetentë, nga persona pa stabilitet dhe që drejtojnë me një frymë komandimi të tipit otomanist (rituali i kokës së prerë).

3-Administrata jonë, sidomos ajo e larta e ekzekutivit, gjatë gjithë tranzicionit është dalluar negativisht për paqëndrushmërinë ligjore.  Çdo ministër që hyp në fuqi, gjënë e parë që bën është ndryshimi i ligjit organik të institucionit me qëllim rritjen e kompetencave personale, sigurimin e një kontrolli absolut mbi gjithçka dhe mbi këdo si dhe sigurimin me shteg ligjor dhe administrativ të kanalit ku kalojnë fondet monetare, të cilat pa më të voglin dyshim duhet të derdhen edhe në “thesin e tij apo të saj”…Kështu këta “sans culotte” sa hap e mbyll sytë përfundojnë me vila dhe me pasuri përrallore. Si të tillë ata krijojnë shëmbullin dhe shpurën që i ndihmon të rrjepin pa dal në shesh duart e tyre “të pastra”.

4- Në administratën tonë nuk ka klimë meritokracie, sepse drejtuesit më të lartë madje dhe brenda vet partive janë mediokrit. Ja pëshembull shikon sekretarin e përgjithshëm të PD-së dhe të PS-së. Si të tillë ata duan dhe mbledhin rreth vetes njerëz me kulturë mesatare, persona me njolla në jetën e tyre me qëllim që t’i përdorin nën trysni, si dhe shërbëtorët e padenjë që dinë të thonë vetëm “yes sir”, pra servilat në disa breza. Individët e zotë, ata me kurajo dhe me personalitet, ata që kanë vizion dhe ide, që ndërtojnë dhë sendërtojnë plane dhe projekte largpamëse, para ata që prishin qetësinë e kënetës,…ata dhe ato nuk na duhen në administratë,…Atyre duhet t’u mbyllet goja dhe a ka mundësi t’i mbajmë sa më larg…t’u krijojmë një gjendje stresante, një lloj frike dhe paragjykimi, t’i atakojmë dhe denigrojmë …Shkurt ti përzëmë…që ta lënë punën dhe pastaj kokën le të përplasin ose andej nga shoqëria civile ose të marrin “rangullat në krah dhe të sikterisen andej nga Canadaja apo Amerika…

5-Sjellja ndaj administratës në të gjitha nivelet është mbytëse. Atë që ta jep ligji nuk ta lë SPAHIU. Atë që ta njeh kushtetuta nuk të lë ta ushtrosh PASHAI. Dhe atë që ta njeh rangu zyrtar ta mer si pa të keq eprori më i lartë apo deputeti i zonës që sillet si Sherifi zonës.

6-Administratës sonë i mungon vijueshmëria. Çdo institucion kur akreditohet vlerësohet nëse ka një qëndrueshmëri në stafin e vet. Apo njerëzit ndërrohen sipas stinës politike dhe tek ne edhe sipas motit kapriçioz brenda stinës me tipare të koloritit shumëngjyrësh politik në rastet kur drejtohet në kualicione partiake. Tek ne, fatorinot dhe shoferat bëhen deputetë, anglishtfolësit merren me ministrinë e rrugëve, artistët me ekzekutivin, mjekët drejtojnë botën globale,..ata që s’kanë punuar as një ditë në punë shteti bëhen kryeministra… Vetëm ekonomistët, politologët, filozofët dhe inxhinerët nuk pyeten sepse ata nuk i duhen punëve të shtetit. Ne jemi një shtet që drejtohemi nga gjysmakët, nga anonimët dhe nga të paaftët…që dine shumë mire vetëm të zhvasin.

7-Si ndërtohet një administrat? A ka përvoja që mund të meren? Po ka. Aspektin shkresor dokumentar e kemi pasur shumë serioz edhe në mbretëri dhe në diktaturë. Por me që duam të behëmi shtet modern pa u bërë shtet normal është me vend që të kemi ca pika referimi. Shkencërisht le ti referohemi Max Ëeberit…(inshalla ndonjë zyrtarë yni ja ka dëgjuar emrin dhe ka lexuar ndonjë libër të tij sepse është themeluesi i sociologjisë moderne) i cili ka nënvizuar se një administrat moderne duhet të ketë në strukturën e vetë: Menaxherët e karrjerës-(lexo administratorët me përvojë të gjatë pune dhe eksperiencë profesionale. Politikanët që përgatiten duke kaluar nga shtegu i menaxherëve me karrierë (tek ne pa të dërsirë mustaqja të marrin të prokurosh miliona pastaj të fusin një shkelm të ndenjurave dhe të hedhin në rrugë, ose të gjejnë në askund dhe të japin një detyrë vetëm e vetëm që të të përdorin. Politikanët tanë në këta 28 vite janë të frikshëm sepse vijnë nga asgjëja dhe bëhen drejtuesa të lartë pa as një lloj kontributi dhe merite që mund të bindin se ai apo ajo japin garanci së paku për kompetencë. Dhe struktura e tretë janë eruditët…që në administratën tonë mungojnë në mënyrë absolute. Mungojnë Think tank-et dhe institutet kërkimore. Sa keq.

Pa dashur të absolutizojë por duhet pohuar se dikur kishim elita shkencore, inxhinerike, mjekësore, bujqësore dhe veterinare, gjeologjike dhe gjeodezike, ushtarake dhe artisike, albanologjike dhe filologjike që nisën të ndërtoheshin që në kohën e mbertërisë duke u shkolluar jashtë vendit dhe që vijuan edhe në perjudhën e diktaturës….Tani kemi me kokra ca që kanë studiuar jashtë dhe janë kthyer…por elita nuk kemi. Administrata jonë nuk mund të ndërtohet sa kohë që ka spastrime ciklike, sa kohë që çdo parti politike ka ushtrinë e vet administrative dhe çdo jerark ka shpurën e tij, sa kohë që njëri thotë kush nuk mban rritmin lë vëndin e punës dhe e zbrazi në 2005-n administratën dhe tjetri flet për Shqipërinë e Gjeneratës së re dhe e ka lënë atë pa specialistë…Ne do jemi pa administratë funksionale, të besueshme dhe në shërbim të qytetarit dhe interesit publik…përpos pa dalë nga fryma otomane dhe sa kohë që do mungojë kultura europiane si dhe pa e siguruar vendin e punës me ligj dhe jo me MALIQ…Nuk ka mundësi të ngremë një administrat të tipit dhe fizionomisë europiane pa kulturën europianiste…Shteti normal kërkon ligje dhe zbatim të tyre institucionalisht. I duhen njerëz të zotë dhe të përkushtuar, ai ka nevojë për konkurim meritokratik dhe për jerarki vlerash…Shteti ndërtohet nga politikanë të besueshëm …Si thoshte Mehdi Frashëri…Shqipëria do bëhet kur të mënjanojë nga drejtimi ata që merren me dokra dhe do të shpjerë në litar hajdutët

…Udhëtimi qënkërka i gjatë…Historia vazhdon…

Facebook Comments

POST A COMMENT.

five × five =