Nga samiti Trump-Putin, fiton presidenti rus

AnalizeKomentShtypi huaj
37
0
sample-ad

Nga Miodrag Soric

 

Çfarë mund të arrijë Donald Trumpi në një takim të nivelit të lartë me Vladimir Putinin? Pak. Rusia nuk do të tërhiqet në asnjë mënyrë nga Krimeja. Ajo do të vazhdojë t’i mbështesë kryengritësit në Lindje të Ukrainës; njësoj si edhe Presidentin Asad dhe trupat e Iranit në Siri. Në “Russia first” (Rusia e para) të Putinit Trumpi zor se mund të ndryshojë gjë.

Përkundrazi, shefi i Kremlinit mund të presë shumë gjëra nga një takim i nivelit të lartë ruso-amerikan. Kur ai dhe Trumpi të diskutojnë kokë më kokë, për të folur për çarmatimin atomik, do të jenë pamjet televizive që do të transmetojnë në të gjithë botën mesazhin: këtu po negociojnë dy politikanë në nivel të barabartë. Me këtë Putini do të fitonte, pavarësisht nga fakti nëse arrihet apo një rezultat.

Kompromise amerikano-ruse – në kurriz të të tretëve

Njëkohësisht, me këtë takim në momentin e tanishëm Putini e përçan edhe më tej kampin perëndimor: synimi i Britanisë së Madhe për ta izoluar Rusinë pas aferës Skripal do të eleminohej pikërisht nga “vëllai i madh” përtej Atlantikut. Edhe ukrainasit do të ndihen të mashtruar nga SHBA, në mos fare të tradhëtuar. Kjo në një kohë kur Kievi duhet t’ia pranojë vetes: Uashingtoni e ka mbështetur Ukrainën gjithmonë vetëm me fjalë të forta – rrallë duke i dhënë para. Putini vërtet mund të jetë i gatshëm për lëshime në konfliktin e Ukrainës, por vetëm nëse amerikanët do të hiqnin dorë si shpërblim nga rezistenca e tyre kundër gazsjellësit Nordstream 2.

Miodrag Soric

Miodrag Soric

Sido që të bëhet, SHBA do t’i vazhdojnë sanksionet e tyre kundër Rusisë edhe pas takimit të nivelit të lartë. Kongresi në Uashington nuk mund t’i tërheqë ato brenda natës, për shkaqe proceduriale teknike. Aktualisht tek deputetët nuk ekziston as vullneti politik për këtë.

Pse e do Trumpi atëherë këtë takim të nivelit të lartë? Nga njëra anë: ai do që ta mbajë premtimin që ka bërë në fushatën elektorale. Dhe këtu bën pjesë përmirësimi i marrëdhënieve me Rusinë. Nga ana tjetër, ai duket se i ka të nevojshme inskenimet spektakulare politike për egon e tij. Këtë narcizëm autokratët e shfrytëzojnë për synimet e tyre. Diktatori i Koresë së Veriut Kim Jong Un thuajse nuk e ka ndryshuar pozicionin. Megjithatë Trumpi e shiti takimin me të si sukses historik. Putini e regjistroi këtë dhe do të veprojë po në të njëjtën mënyrë.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

13 − four =