Ndryshojnë rregullat, ja si do të bëhet arrestimi i deputetëve

Politike
78
0
sample-ad

Pas më shumë se 6 muaj rikthehet në Kuvend ligji për arrestimin e deputetëve. Nisma në fjalë u propozua më 12 Janar të këtij viti, por pas shumë përplasjesh mes maxhorancës dhe opozitës ligji në fjalë ‘’ngriu’’. Sipas ”Shqiptarja.com”  ndryshimi parashikon që deputeti nuk mund të arrestohet duke u bazuar në dyshime të arsyeshme, qoftë edhe në indicie.

Nga ana tjtër opozita ngriti pretendimet e saj duke thënë se Kuvendi merr kompetencat e gjykatës, por maxhoranca qeverisëse shprehet se nisma reflekton në rregulloren e Kuvendit ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale.

Ndryshimi

Në variantin e propozuar nga kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla parashikohet që prokuroria, për të marrë lejen e Kuvendit për të arrestuar një deputet, duhet të paraqesë prova për të mbështetur kërkesën e saj. Në pikën 1 të nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, është saktësuar se, kërkesa e prokurorisë përmban një relacion të arsyetuar dhe të shoqëruar me provat që mbështesin kërkesën. Në rregulloren në fuqi, nuk përmendeshin prova, por vetëm materiale shoqëruese.

Deri më tani Prokuroria ka kërkuar arrestimin e deputetëve bazuar në indicie dhe dyshime të arsyeshme. Një tjetër ndryshim ka të bëjë me zhvillimin e seancës. Në nismën e depozituar në Kuvend, nenit 118, i është shtuar një pikë e cila parashikon që Kuvendi, në seance plenare, për arsye të mbrojtjes së të dhënave, mund të zhvillojë diskutimin me dyer të mbyllura. Në rregulloren në fuqi të Kuvendit nuk parashikohet mundësia që seanca të zhvillohet më dyer të mbyllura.

 

Projektvendimi, si do arrestohet deputeti

Neni 118 i Rregullores së Kuvendit bëhet

Autorizimi për procedim

 

  1. Kërkesa për të autorizuar caktimin e masës së sigurimit të arrestit me burg ose në shtëpi, heqjes se lirisë në çfarëdo lloj forme, kontrollit personal ose të banesës, i paraqitet kryetarit të Kuvendit nga Prokurori. Kërkesa përmban një relacion të arsyetuar dhe të shoqëruar me provat që mbështesin kërkesën.

 

  1. Kryetari i Kuvendit ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin si dhe vë në dijeni Kuvendin dhe deputetin.

 

  1. Kryetari i Kuvendit pas konsultimit me Këshillin, cakton dy relatorë për çështjen, respektivisht nga shumica dhe opozita parlamentare.

 

  1. Deputetit, ndaj të cilit kërkohet autorizimi për procedim, i vihet në dispozicion kërkesa dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha kur Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës.

 

  1. Në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren Mandatet dhe Imunitetin merr fjalën Prokurori, i cili paraqet arsyet e kërkesës drejtuar Kuvendit. Pas paraqitjes së kërkesës, çdo anëtar i Këshillit ka të drejtë t’i drejtojë pyetje Prokurorit.

 

  1. Pas përgjigjeve të pyetjeve, kryetari i Kuvendit, i jep fjalën deputetit ndaj të cilit kërkohet autorizimi për procedim. Deputeti dhe ose përfaqësuesi i tij ligjor, ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes. Çdo anëtar i Këshillit ka të drejtë t’i drejtojë pyetje deputetit.

 

  1. Shqyrtimi i çështjes në Këshill, kryhet nëpërmjet një procedure që i garanton deputetit, ndaj të cilit kërkohet autorizimi për procedim, të drejtën për t’u informuar në kohë, për t’u pyetur, për t’u dëgjuar dhe për të bërë pyetje ndaj kërkuesve të autorizimit si dhe për të paraqitur shpjegimet e tij.

 

  1. Përpara diskutimit të çështjes kryetari i Kuvendit fton dy relatorët të paraqesin vlerësimin e përgjithshëm mbi çështjen që shqyrtohet. Më pas vijohet me diskutimin në Këshill. Në përfundim të diskutimit, Këshilli, brenda një jave, harton raportin për në seancë plenare. Raporti rekomandon miratimin ose rrëzimin e kërkesës për dhënie autorizimi për procedim. Raporti i Këshillit u shpërndahet menjëherë deputetëve dhe bëhet publik.

 

  1. Si rregull, mbledhja e Këshillit, për pikat 6-8 të këtij neni, zhvillohet me dyer të hapura. Këshilli, për arsye të mbrojtjes së të dhënave, mund të zhvillojë diskutimin me dyer të mbyllura.

 

  1. Shqyrtimi i kërkesës për dhënien e autorizimit për procedim parashikohet për shqyrtim në seancë plenare jo më parë se një javë, por jo më vonë se dy javë nga paraqitja e raportit të Këshillit.

 

  1. Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Koha e debatit, kur çmohet e nevojshme, përcaktohet nga Konferenca e Kryetareve, në përputhje me nenin 48 të kësaj Rregulloreje. Në përfundim të debatit, pas fjalës së kryetarëve të grupeve parlamentare, ka të drejtë të flasë deputeti ndaj të cilit kërkohet dhënia e autorizimit për procedim për jo më shume se 10 minuta.

 

  1. Kuvendi në seancë plenare, për arsye të mbrojtjes së të dhënave, mund të zhvillojë diskutimin me dyer të mbyllura.

 

  1. Kuvendi vendos me votim të hapur për miratimin ose rrëzimin e kërkesës për dhënie autorizirni për procedim.

 

  1. Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për procedim brenda 3 muajve nga data e paraqitjes se kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrezuar nga Kuvendi.

 

  1. Përcaktimet e bëra në këtë nen zbatohen edhe në rastet e dhënies së autorizimit për procedim për anëtarin e Këshillit të Ministrave.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

four × one =