Mirë që më paguan, po do dhe llogari

AktualitetKryesore
156
0
sample-ad

Nga Armand Bajrami

Besoj se një taksapagues e ka të drejtën ligjore dhe morale të pyesë një punonjës policie përse gjobit një mjet. E kam fjalën, të pyesësh e të marrësh përgjigje. Përgjigje qytetare ndaj një pyetjeje prej qytetari. Por dje m’u përgjigjen kërcënueshëm: “Vazhdo rrugën ti! Ec po të them! Mos më pengo në ushtrimin e detyrës! Po zbatoj ligjin unë”.

Zbatimi i ligjit ishte gjobitja e mjetit të një fqinjit tim, parkuar jashtë rruge (mjeti në foton e parë) ku nuk ka asnjë tabelë ndaluese. Unë vazhdova se kisha një mjet pas, pasi sherrin po e bënte vetë i zoti i mjetit. Kundërshtonte gjobën, pasi e vlerësonte të pabazuar. Unë u kërkova shpjegim për faktin se kisha parkuar vetë një natë më parë në të njëjtin vend.

Pas disa minutash dy policëve u erdhën përforcime. Një furgon me tre oficerë të tjerë.

Spektakël policor në lagje. Kureshtarë rrotull.

5 policë për fqinjin që gjobitësi ia cilësonte dikujt zëlartë në telefon “Aman o burrë, thotë që është me shkollë të lartë dhe bën për 10 mijë lekë gjobë”.

Në 10 minutëshin e mungesës sime (derisa gjeta vendparkim) i gjobituri duket kishte komunikuar me dikë.

Aty dëgjova atë që nuk duhet të ndodhte nëse gjoba do ishte e ligjshme. Policet agresivë, edhe ai që më kërkoi hazërxhevap të mos ngatërrohesha, duke i thënë të gjobiturit: “Ti nuk kishe pse m’i thoshe ato fjalët. Unë të kërkoj dhe falje. Ta paguaj dhe gjobën po deshe”. Luani i kthyer në pulë…

Për t’u kthyer aty ku e nisa. Pra, nëse një taksapagues pyet të paguarin prej tij nëse po zbaton ligjin (mbase dhe në naivitet), nuk po bën gjë tjetër veçse po e pengon në ushtrimin e detyrës.

P.S.

Parkimi në lagjen time është vështirësuar së tepërmi (përkohësisht) për shkak të ndërtimit të një rruge të re. Prej po aq ditësh policia po bën festë. Po dend me gjoba gjithkënd mundet. Një ditë pashë një motivacion “ndalim mjeti në vendkalim këmbësoresh” ndërkohë që nën atë mjet nuk kishte vija të bardha.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

twenty − twelve =