“Sekreti” i Pjetër Gacit

KryesoreKulture
121
0
sample-ad

I lodhur, i pa rruar, i pa gjumë, përveçse disa orë dremitje dhe një copë bukë të sapo pjekur dhe me aromë shtëpie, pak kohë dehëse në një furrë buke ku në fakt isha futur për t’u ngrohur e për të pritur mëngjezin, gjurmët e së cilës kishin mbetur si miell në pardesynë time, pasi kisha qenë i detyruar të udhëtoja tërë natën në këmbë edhe pse binte borë dhe rruga shkiste për të qenë në 4 të mëngjezit në qendër të qytetit nga ku nisej autobuzi për Shkodër dhe ku më pas do të merrja trenin për Tiranv. Kisha 5 muaj pa qenë në shtëpi dhe arritja në Shkodër, ku mungonte bora dhe rrugët ishin të asfaltuara, më mbushte me një ndjenjë lehtësimi a thua se kisha arritur në shtëpinë time. Çuditërisht dhe sediljet e trenit, edhe pse të rrjepura, m’u dukën shumë komode.

I izoluar prej muajsh në një fshat bujar, orë e orë larg qytetit verior ku më kishin caktuar të punoja dhe ku punova disa vite, mezi prisja të zgjidhja një vend në tren ku të kisha njerëz të bisedoja dhe natyrisht ndonjë vajzë e re do të ishte qershia mbi tortë. Atë ditë isha i pafat, pasi në krahun e majtë timin një grua zadrimore në moshë, me veshje tradicionale, ku spikasnin balluket e zeza mbi ballë, dhe përballë një burrë rreth të 50-ave me një pamje të fisme, ku pas syzeve spikasnin sytë e lëvizsshëm e picërrues që shprehnin dukshëm dhe haptas një dëshirë për të nxitur ndonjë bisedë. Në këto kushte hapa radion time Iliria, të cilën tashmë e kisha të vështirë ta diferencoja nga krahu, dhe zgjodha heshtjen me shpresë dhe durim që në vendin përballë, në krah të burrit do të vinte ndonjë vajzë e re. Radioja transmetonte një këngë të Tonin Tërshanës, dhe burri përballë, në atë moment, m’u duk se u nervozua se filloi të lëvizë si pa kuptim e të shohë përreth sikur po kërkonte ndihmë për padrejtesinë që po i bëhej. – “Më fal, mos të bezdis radioja apo stacioni i zgjedhur me muzikë?” – i thashë si i zënë në faj dhe tentova të fik radion. Fytyra e tij u përndez, muskujt e saj u tendosën dhe më pas pa pritur e tërë fytyra i shkëlqeu dhe shpërtheu me një të qeshur me gjithë zemër. – “Mua të më bezdisë muzika ? Unë me të dhe për të jetoj. Bëj muzikë. Quhem Pjetër Gaci”.

Si rrufeja në qiell te pastër rolet ndryshuan, ai i relaksuar ndërsa unë nën një tension të papare. Ti thuash Pjetër Gacit mos të bezdis muzika ! Çfarë cudije ! Tashmë në qiellin e shtatë që kisha takuar një magjistar të shtatë notave, idhullin e fëmijërisë time, biseda rreth muzikës dhe tingujt e saj pushtuan këndin tonë. Kur fliste për muzikën e tërë qënia e tij dukej sikur transformohej në tinguj, bëhej njësh me ajrin që del nga saksi, me dridhjet që dalin nga telat e kitarës, me kordat e zërit të Vaçe Zelës e Mentor Xhemalit apo me baketin e dirigjentit.

Pak kohë më parë duke lexuar një studim mbi efektin “drogë” të tingujve të muzikës, mësova se pushteti i muzikës tek njeriu kushtëzohet nga aktivizimi i zonave të caktuara të trurit. Gjatë dëgjimit të muzikës, në këto zona të trurit shkon më shumë gjak dhe për pasojë çlirohet më shumë dopaminë, encefalinë, endorfinë dhe hormone të tjera të cilat garantojnë komunikim dhe dialogim më të mirë ndërqelizor, përkthyer në nxitjen e ndjenjave që mëshirojnë kënaqesinë. Nuk di sepse gjatë leximit të artikullit më erdhi ndërmend mjeshtri dhe nuk e di se pse u ndjeva i kënaqur që “zbulova” apo e hoqa “Këtë Marak, Marak të shkretë” ç’kishte ndodhur në trurin e tij në ato pak momente të jetës së tij në një ditë të zymtë dimri e për më tepër në një vagon të amortizuar e me sedilje të rrjepura me të cilin ai ndoshta po shkonte për të takuar kolegët apo studentët e tij apo për të vënë në jetë ndonjë vepër të tij muzikore. Sa pak për një mjeshtër të madh !

Kanë kaluar vite dhe kurrë nuk e kam harruar imazhin e transformuar e rrezatues të asaj qënieje të fisme në të cilën dëbora e imët e viteve kish rënë butësisht në flokët paksa të rralluara, e sidomos atë reagim fërgëllues si velëzat e peshkut sapo radioja hapi gojën e nxorri tingullin e parë të muzikës që duket sikur më fanitet sa herë dëgjoj këngët e tij të mrekullueshme.

Për Ty maestro, ose më thjesht, Për Ty Atdhe !

Prof. Dr. M. Barbullushi

Facebook Comments

POST A COMMENT.

5 × five =