Liliana…

Opinion
168
0
sample-ad

Nga Agim Shehu

Uli kokën të fshinte lotët…dhe u largua si era, pa e ditur as nga vjen e as ku shkon. I thirra të vazhdonim bisedën. Ktheu me edukatë të hijëshme kokën, më përshëndeti lehtë me dorë duke buzëqeshur për mirësjellje…dhe kaq. Nuk e takova më kurrë. Mbeta i hutuar. U takova me vdekjen e një njeriu të gjallë. Aq më tepër që e njihja. Mes dhimbjeve pa fund në Metalurgji, kjo dramë e një vajze të re të pafaj, më mbeti në kujtesë si një dramë e hidhur që vazhdonte udhën nga një viktimë te tjetra. Ajo dramë kish kaluar dhe nga unë me goditje të rëndë e të paturpshme. Qe forcuar dhe me gjakun e shpirtin tim të lodhur për të goditur më fort të tjerët pas. Ky mekanizëm vazhdon zinxhir udhën e vet.
Në gjyqin e tij – komedi, intriganti kriminel H. Celiku tha mes të tjerash për shfajsim, se “ne jemi viktima të një “vije” që ishim të detyruar ta ndiqnim, e na mori në qafë..!”. Këtë ‘teori’ e përsëritën pothuaj të gjithë krerët e diktaturës. Mirë po nuk thanë, se pse u thirrën këta në sferat e larta në udhëheqje, për cilat ‘merita’, apo cilësi që i duhej atij sundimi? Ai shtet, veç diktaturë, kish dhe mënçuri, ndryshe nuk mbahej sa u mbajt. Më tej, pse nuk flasin konkret për intrigat e dhunën e tyre mbi të pafajshmit viktima? Në fillim të gjykimit, Ramiz Alia tha për të pandehurit puçistë se betohej që qenë agjentë sovjetikë…Kur u gjykua vetë në ‘pluralizëm’ tha se qe gabim vrasja e tyre! Mirëpo plumbi që i vrau me faj e pafaj, nuk kthehet pas.
Për sadopak ngjashmëri, e në vijim të dramës së ish montatores fatkeqe, po përmënd nga kujtesa pak nga drama ime në mbyllje, pasin janë të një ‘familjeje’ biologjike. . Kur po gjykohesha nga tërë shokët të nxitur prej frike nga shefi me një egërsi tigri, u thashë mes të tjerash: “Ne jemi vetëm dy vetë, shpifësi dhe unë, i padituri. Pse ju, kolegë të mi besoni një llafazan të errët jashtë nesh që bota e tallin, dhe jo shokun tuaj?” M’u vërsulën, – se ai është një qytetar i ndershëm me virtyte që e do Partinë, do Shqipërinë…e për këto ideale ai jep jetën…- Këto kohë ai jeton në Greqi ku ka marrë shtetësinë duke shpallur publikisht se është grek dhe s’ka asnjë lidhje me Shqipërinë!! Thonë, këtë mëndje e ka shprehur botërisht dhe me poezi.
Nga sa thamë, mbetet e fundit për të thënë, – të paktën një pendesë a mund ta bënin këta vrasës shtetërorë apo torturues privatë të lidhur me diktaturën?! Pendesa lehtëson sadopak shpirtërisht viktimën dhe dëshmon se krimi i çdo lloji nuk do përsëritet. Mungesa e kërkimit të faljes, krimit ia lë hapur derën.
Mua nuk më harrohet kurrë gjyqi aq i egër si në inkuizicion që m’u bë kur u dënova. Befas kolegët u kthyen në gjarpërinj e bisha, pasi do gëzohej Ramiz Alia si i interesuar. Do gëzohej dhe Kryesia e Lidhjes, që një ditë më parë kur unë s’dija gjë. më tha hapur gjysëm i nxehur nga pija tek një oborr gjenerali: “dhe ti do ta hash nesër një çikë…” Kërkova sqarim, si e dinte mbledhjen një i huaj, dhe jo i zoti…por s’m’u përgjegjën…
…Si duket, dramat vazhdojnë se të parat u mbuluan pa vështirësi nga të interesuarit. Ato po zmadhohen në tragjedi që po prekin Shqipërinë. Viktima dramatike, Liljana e re montatore pikëllimën e saj të pangushëllueshme ia pëshpërin erës pa gjetur dot as në “demokraci” se ku ta ulë njerëzisht për një gjykim. Unë kam vetëm jehonën e saj firmosur nga rudhat dhe thinjat e parakohëshme. Rinia e saj qe dhe iku si një pranverë brënda dimrit që thërret, e fjalët ia dëgjojnë vetëm shpirtërat e vrara.
Nuk di ç’të them më shumë larg në Zvicër për këtë dramë me buzët te tragjedia!

Facebook Comments

POST A COMMENT.

one × one =