Tiranë-Durrës-Rinas së shpejti me tren ekspres, BE jep 35 mln euro për projektin

AktualitetKryesore
432
0
sample-ad

Bashkimi Europian i ka dhënë Shqipërisë një shumë prej  35.4 milion eurosh si ndihmë monetare për ndërtimin e një linje hekurudhore  nga Tirana në Durrës dhe në  degëzimin me aeroportin Nënë Tereza. Kosto totale e projektit vlerësohet në shumën prej 90.45 milionë euro. Pjesa tjetër e financimit është përmes një kredie nga BERZH në shumën 36.8 milion euro dhe 16 milion euro financohen nga qeveria shqiptare.

Marrëveshja  u firmos ditën e mërkurë nga Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit Christian Danielson, ai i BERZH-it në Tiranë Matteo Colangeli dhe zv.ministri i Financave dhe Ekonomisë Erion Luçi.

“Sot është dita e Europës dhe në këtë ditë Bashkimi Europian mbështet një prej projekteve më të rëndësishme, të parin pas dhjetra vitesh në sektorin e hekurudhave në Shqipëri. Ky projekt do të ndikojë në cilësinë e lëvizjes së qytetarëve midis dy qyteteve më të mëdha të Shqipërisë. Koha që do të nevojitet për të udhëtuar nga qendra e Tiranës drejt Aeroportit Nënë Tereza do të jetë rreth 12 minuta me tren ekspres ndërsa nga qendra e Tiranës deri në qendër të Durrësit do të duhen afro 22 minuta. Projekti pritet të ndikojë gjithashtu në hapjen e shumë fronteve të reja të punës, si gjatë realizimit të punimeve ndërtimore, ashtu edhe gjatë periudhës së operimit të kësaj linje hekurudhore”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Drejtori për zgjerimin në Komisionin Europian Christian Danielson u shpreh i kënaqur që tashmë me ndihmën e Bashkimit Europian ky projekt po avancon.

Ky projekti është një nga më strategjiket dhe të rëndësishmet të Qeverisë , pasi  paraqet edhe një risi në lëvizjen e pasagjerëve drejt Aeroportit Nënë Tereza nëpërmjet përdorimit të trenit , duke ndikuar edhe në përmirësimin e  qarkullimit të makinave në oraret e trafikut.

Projekti gjithashtu parashikon ndërtimin e një terminali te ri hekurudhor intermodal në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA), si dhe instalimin e një sistemi të ri sinjalizues dhe telekomunikacioni, të integruar në sistemin e linjës hekurudhore Durrës – Tiranë – Rinas.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

five × three =