Robert Ndrenika: Ta mbrojmë teatrin se është Jeruzalemi ynë

AktualitetKryesore
162
0
sample-ad

Pas 16 vjetësh, dje, ora 19:00, në sheshin e Teatrit, ka nisur mbledhja e firmave për shpalljen e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental “kompleks monument kulture”. Në takimin publik numër 8 (java e tetë ku çdo të hënë artistët mblidhen në protestë para ose në teatër), synohej formësimi i një diskutimi të lirë midis pjesëmarrësve, në mënyrë që secili të shprehte opinionin e vet në lidhje me mbrojtjen e Teatrit Kombëtar dhe pronës publike.

I pranishëm ishte Robert Ndrenika, Arben Derhemi, Robert Budina. Folësit e vunë theksin te restaurimi i godinës. Njëri prej tyre u bëri thirrje studenteve të arkitekturës që t’i bëjnë punët e diplomës për teatrin. Sa i takon shumëkujt që mungon, Robert Ndrenika tha se i kupton. “Ç’a të bëjë ai që rrezikon bukën e gojës?! Edhe mua, ndonjëherë më merr frika se mos më presin pensionin. Kanë të drejtë ata të shkretët që nuk vijnë. Po të të lënë pa bukën e gojës, ata s’kanë ç’bëjnë. Falënderojmë ata që janë prononcuar në favorin tonë, thoshte dikush që kjo tokë është e shenjtë. Edhe unë atë mendim kam. Ky është Jerusalemi ynë. Duhet ta mbrojmë. Të bësh kulla këtu, nuk di ç’të të them. Edhe një e është tmerr, jo të bësh 7-8 të tjera. Ftojmë shoqërinë civile e intelektualët të prononcohen për këtë punë. Se mbase e kemi ne gabim. Ai u kërkoi falje kuksianëve, le ta thotë nëse është bërë gabim. Kam frikë se mos ndonjë pabesi, ndonjë gjë, se mos na e prishin teatrin në mes të natës. Ndaj duhet të jemi të vëmendshëm”, tha dje Robert Ndrenika, duke premtuar që do të jetë edhe në javët e tjera në protestë. “Protesta e dikurshme ishte ndryshe. Kori i TKOB këndonte skllevërit e Verdit. Atëherë Mithat Havari na thoshte që po përdorni instrumentet e qeverisë”, kujtoi një tjetër protestues, që kishte marrë pjesë në protestën e 20 viteve më parë.

/BalkanWeb

Facebook Comments

POST A COMMENT.

one × two =