Ministri Gjiknuri shpërndan në Fier dëshminë e Statusit të Naftëtarit

AktualitetKryesore
153
0
sample-ad

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri ishte në Fier ku gjatë një takimi me naftëtarët shpërndau për disa prej tyre dëshminë e Statusit të Naftëtarit. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe deputetët e Qarkut të Fierit, Antoneta Dhima, Xhevit Bushaj dhe Ismet Beqiraj. Ndërsa sqaroi se tanimë janë miratuar nga komisioni përkatës 1 mijë aplikimet e para, ministri Gjiknuri premtoi se ky proces do të vazhdojë me intensitet.

“Qeveria, këtu në Fier miratoi edhe një shtesë personeli për ministrinë, të dedikuar vetëm për përpunimin e dosjeve për Statusin e Naftëtarit. Pra, do të ketë punonjës shtesë në ministri për t’i trajtuar këto kërkesa më shpejt. Naftëtarët kanë vuajtur shumë dhe kanë kontribuar shumë për ekonominë e vendit. Ne si qeveri menduam që t’i japim prioritet naftëtarëve dhe jam i bindur që ata e meritojnë, kanë sakrifikuar shumë dhe patjetër duhet të jenë të parët që duhet të trajtohen me një pension të posaçëm nga shteti”, u shpreh Gjiknuri.

Më pas ai u ndal edhe tek një tjetër problem për Qarkun e Fierit, ai i Zharrëzës dhe fenomenit të lëkundjeve në këtë zonë. Ministri sqaroi se në zbatim të vendimit të qeverisë tanimë edhe Bankers Petroleum do të japë pjesën e saj të kontributit financiar për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga lëkundjet.

“Është biseduar me Bankers dhe është arritur dakordësia që edhe ata të japin pjesën e tyre të kontributit. Do të krijohet ai fond si kontribut që do të dorëzohet tek Emergjencat Civile. Pjesa e parë të fondit është dhënë nga qeveria dhe tanimë do mund të akordohet dhe pjesa e dytë. Gjithsesi do të bëhen verifikimet që të sigurohemi që këto para shkojnë për merimetimin e shtëpive dhe jo këto para i marrin i shpenzojnë dhe më pas thonë shtëpinë e kam të dëmtuar. Pra, paratë do të shkojnë për të rindërtuar shtëpitë e dëmtuara aty. Ky do të jetë procesi që do të bëhet verifikimi. Paratë do të kalojnë në Buxhetin e Shtetit por do të disbursohen në bazë të verifikimeve që do të bëjnë ekipet në terren. Jam i bindur që edhe deputetët, duke e ndjekur këtë proces me imtësi do të na krijojnë edhe ne mundësinë që të jemi të drejtë në ato vendime që marrim”, sqaroi Gjiknuri.

Ministri Gjiknuri tha se po bisedohet me kompaninë që të ketë dhe një policë sigurimi e cila të japë zgjidhje edhe situatave eventuale pa rënduar Buxhetin e Shtetit. ”Nga ana tjetër, për të ardhmen, jemi në diskutime me kompaninë që të bëjë dhe një policë sigurimi që në çdo rast, sikur të ketë situata të tilla sizmike, pavarësisht se ne i kemi pezulluar proceset aty, fondi financiar të jetë nga kompanitë e sigurimit dhe qytetarët të mos paguajnë asgjë pasi do jetë kompania që do të derdhë në këtë fond sigurimi. Kjo në mënyrë që edhe aktiviteti të vazhdojë por dhe që impakti ekonomik të mos rëndojë më tek buxheti i shtetit ndërsa qytetarët të jenë të siguruar për çdo eventualitet”, u shpreh Gjiknuri.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

4 × 1 =