Sondazhi/ Gazetarët nuk paguhen gjatë provës, në kundërshtim me ligjin

AktualitetKryesore
280
0
sample-ad

Një sondazh i Qendrës për Gazetari Cilësore zbulon se 75 për qind e gazetarëve të rinj nuk paguhen për periudhën e provës, ndonëse ky është një detyrim ligjor.

Blerina Allushi, 22 vjeç, e sapodiplomuar në Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, iu premtua në janar nga drejtuesit e një portali lajmesh se pas tri ditësh në provë do të vendosej nëse ajo do të punësohej apo jo.

Me eksperienca të mëparshme të punës si gazetare në media online, tri ditët kaluan dhe drejtuesit e portalit i kërkuan ta vijonte punën, derisa ajo filloi të kërkonte të paguhej.

“Pasi kaloi një javë, kërkova të flisja për pagesën. Më thanë që duhet të vijoja të punoja pa pagesë se nuk isha përshtatur akoma. Vazhdova të këmbëngul dhe në javën e tretë të punës më thanë që të punoja dhe një muaj tjetër pa pagesë. Nuk pranova dhe u largova”, – theksoi Blerina.

Pagesa e punës së kryer gjatë periudhës së provës është një detyrim ligjor në Shqipëri, por një sondazh i Qendrës për Gazetari Cilësore, i kryer në muajin shkurt, me pjesëmarrjen e 56 studentëve të gazetarisë dhe të atyre që sapo ishin diplomuar në këtë degë, tregon se ajo nuk zbatohet në pjesën dërrmuese të medias shqiptare.

Sipas sondazhit, 75 për qind e të pyeturve ose 42 prej tyre deklaruan se nuk ishin paguar për periudhën e provës, duke nxjerrë në pah problematikën e madhe të marrëdhënieve të punës në këtë sektor.

Mediat online nuk janë të vetme në abuzimin gjatë periudhës së provës.

Mimoza Ibra, një gazetare e re, i tha Qendrës për Gazetari Cilësore se kishte punuar për gjashtë muaj rresht në një televizion informativ në Tiranë dhe nuk ishte paguar me asnjë lloj shume.

“Nga dhjetori i vitit 2016 deri në maj të vitit 2017 kam qëndruar në periudhë prove gjashtë muaj. Nuk më paguan asnjëherë, prandaj edhe vendosa të largohem”, – tregoi ajo.

Sipas Mimozës, e njëjta eksperiencë në të njëjtin televizion i ndodhi dhe shoqes së saj, e cila gjithashtu punoi për gjashtë muaj pa u paguar.

Informaliteti rezulton i lartë, në një kohë kur mes punëdhënësit dhe punëmarrësit në 86 për qind të rasteve nuk nënshkruhet një kontratë e rregullt punësimi, e cila përfshin dhe periudhën e provës së sanksionuar me ligj.

Ndërkaq, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Sociale që ka detyrimin e evidentimit dhe marrjes së masave për shkeljen e Kodit të Punës deklaron në një prononcim për Qendrën se nuk e ka të evidentuar në mënyrë specifike problematikën e punës së papaguar në median shqiptare.

Ky institucion pranon se ka bërë inspektime në media pas ankesave për mosdhënie të pagave – pa saktësuar numrin – por pa pasur në fokus pagesën gjatë punës në periudhë prove.

“Ne nuk mund të diferencojmë se sa nga rastet e ankesave për mospagesën e pagave kanë lidhje me mospagesën e punës gjatë periudhës së provës”, – theksohet në përgjigjen e dhënë Qendrës.

Sondazhi tregon se ka një përqindje të lartë të mospunësimit të të rinjve gazetarë pas periudhës së provës së papaguar. Janë 25 rastet kur puna në periudhë prove nuk ka rezultuar në punësimin e tyre.

 

 Kliko për ta zmadhuar

Sipas nenit 142 të Kodit të Punës, periudha e provës mund të shkojë deri në tre muaj nga koha kur punëmarrësi ftohet të kontribuojë në kompani apo institucion bazuar mbi një kontratë të shkruar.

E vetmja lehtësi gjatë kësaj periudhe që Kodi ofron është zgjidhja e njëanshme e kontratës nga palët, duke ia njoftuar palës tjetër vendimin të paktën pesë ditë përpara.

Aleksandër Çipa, kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, e konsideron problemin e punës pa pagesë, të fshehur si punë në periudhë prove në mediat shqiptare, si një rast kronik.

“Ne në mënyrë konsistente dhe periodike e kemi ngritur si problem, kemi paraqitur të dhëna dhe statistika specifike, dhe kemi kërkuar që të inkurajohet ngritja e sindikatave të gazetarëve në mediat shqiptare”, – tha ai për Qendrën.

Sipas tij, ngritja e këtyre sindikatave është penguar dhe madje një e tillë nuk ekziston as në median publike.

Në sondazh u vërejt se në 32 për qind të rasteve, gazetarët “në provë” detyrohen të largohen vetë, pasi vërejnë se gjasat për t`u paguar ndonjëherë janë shumë të vogla.

 

Të dhënat dhe dëshmitë e marra nga bisedat me gazetarët e rinj lënë të kuptohet se shumë media e kanë kthyer punën e papaguar në një sistem abuziv, i cili iu mundëson ndihmë në redaksi pa detyrim financiar.

Blerina tregon se pasi ajo u largua nga media online që nuk i paguante periudhën e provës, mësoi se kjo praktikë aty ishte përsëritur me shumë gazetarë të rinj dhe studentë gazetarie.

“Mësova gjithashtu që pas ikjes time të rinj të tjerë po kërkoheshin nga kjo media online”, – theksoi ajo.

Praktikat abuzive të marrëdhënieve të punësimit në median shqiptare janë të qenësishme prej shumë vitesh, por duket se në asnjë moment nuk ka pasur përpjekje serioze nga institucionet për të marrë masa shtrënguese ndaj drejtuesve të tyre.

Përgatiti: Joel Çela, Panajota Merko

/Albanian Center for Quality Journalism

Facebook Comments

POST A COMMENT.

fourteen − twelve =