UGSH miraton strategjinë e një lëvizjeje të re në fushën e mbrojtjes së të drejtave të gazetarëve

AktualitetKryesore
218
0
sample-ad

Drejtuesit e organizatës më të madhe të gazetarëve në Shqipëri, Unionit të Gazetarëve Shqiptarë u mblodhën këtë fundjavë në selinë e organizatës , për të diskutuar dhe përcaktuar një strategji të aktivizmit dhe lëvizjes së tyre profesionale dhe organizative në jetën e komunitetit të gazetarëve profesionistë të vendit. Takimi i drejtuar nga kryetari i organizatës, gazetari Aleksandër Cipa dhe Sekretari i Përgjithshëm Xhovan Shyti si dhe drejtues të kryesisë, mes të cilëve Ylli Pata, bashkoi të gjithë kryetarët dhe koordinatorët e kësaj strukture nga qarqet e vendit.

Në takim morën pjesë kryetarët e qarqeve; Vali Qyrfyci për Durrësin, Besim Dybeli për Elbasanin, Ilir Lluri për Gjirokastrën, Vladimir Mucaj për Fierin, Henrik Mehmeti për Vlorën, Gaspër Marku për Shkodrën. Si dhe drejtuesit e degëve të qyteteve Thoma Nika për Sarandën, Bashkim Shala koordinator për Kukësin, Joel Cela koordinator për Tiranën, Gjergj Figuri për Lezhën, Ahmet Zani për Krujë-Fushë Krujë, Hasan Pasha për Burrelin, Ilir Shyta për Pogradecin, Musa Kurtulaj për Shkodrën etj.

Në fjalën e tij kryetari i UGSH vlerësoi punën e bërë nga degët përgjatë vitit 2017 si dhe parashtroi disa kërkesa për shumëfishim të aktivizimit dhe të veprimtarisë së organizatës në të gjitha nivelet gjatë vitit 2018. Në relacionin raportues Cipa përcaktoi disa nga sfidat e mbartura dhe ato që duhen tejkaluar nga strukturat e organizatës si dhe kërkoi potencim të aktivitetit të shtrirë në gjithë vendin nga strukturat e organizatës. U kërkua paraqitja e një kalendari aktivitetesh dhe realizimesh në disa drejtime si për aspekte vetrregulluese, për raportimet periodike të gjendjes sociale, problemeve që shkaktohen prej informalitetit, në fushën e mbrojtjes së të drejtave të gazetarëve si dhe në fushën e përmirësimeve ligjore dhe të kushteve të punës.

Drejtuesi i UGSH Lezhë, Gjergj Figuri në fjalën e vet kërkoi nga drejtuesit e UGSH të mundësojnë dhe organizojnë periodikisht takime me nivelet bazë të organizatës. Sic u shpreh ai së paku një herë në 3 muaj duhen zhvilluar takime sugjeruese dhe raportuese për gjendjen e mediave lokale dhe situatën e gazetarëve vendorë. Ndërsa kreu i Unionit të Fierit Vladimir Mucaj kërkoi nga kolegët që të jenë më solidarë ndaj cdo reagimi të degëve si dhe për një shumëfishim të publikimeve që realizohen nga degët dhe drejtuesit e tyre. Drejtuesja e Unionit të Durrësit Vali Qyrfyci shtoi se duhet bërë më shumë punë për mbrojtjen e kontributit dhe njohjen e Unionit si organizata e vetme e fuqishme dhe aktive në vend si dhe të shtohen kapacitetet negociuese me institucionet dhe organizatat kombëtare dhe ato ndërkombëtare.

U kërkua që të unifikohen reagimet në nivel qendror dhe strukturat vendore duke përmirësuar gjithë infrastrukturën e publikimeve, komunikimeve dhe debateve e diskutimeve në hapësirën e rrjeteve sociale dhe në faqet zyrtare të organizatës. Drejtues të degëve të UGSH kërkuan që të përmirësohet raportimi periodik për të dhënat dhe raportimet e strukturave që kanë të bëjnë me konfliktet dhe antagonizmat e gazetarëve me punëdhënësit, të ndiqen konfliktet administrative që kanë anëtarët e organizatës, të shihen problemet që paraqiten vazhdimisht me pagat e pamarra të gazetarëve, të raportohen dhe mbahen në dijeni strukturat ligjore dhe ato ndërkombëtare për situatën kritike ekonomike, sociale dhe financiare të gazetarëve si dhe në shërbim të transparencës. U miratua prej drejtuesve të të gjitha strukturave ideja për një formular periodik mujor ku të pasqyrohen konkretisht dhe zyrtarisht statistikat mujore për numrin e gazetarëve të larguar nga mediat apo të mbetur pa punë si dhe të krijohet një dijeni e saktë rreth ndryshimeve që pëson skena mediatike e vendit në tërësinë e saj.

Drejtuesit e UGSH u kërkuan krerëve vendorë të organizatës të shumëfishojnë solidaritetin dhe reagimet e tyre unifikuese për rastet e denoncimeve, publikimeve dhe raportimeve që bëhen nga të gjithë për gjendjen e lirisë së medias dhe të gazetarit në vend si dhe për denoncimet në mbrojtje të të drejtave tona.
Në takim u vendos që brenda këtij muaji në faqet zyrtare të degëve të UGSH-së si dhe në faqen zyrtare do të publikohet kalendari i veprimtarive dhe lëvizjeve që do të iniciohen respektivisht dhe në kuadër të organizatës kombëtare.

Zyra e Shtypit
Unioni i Gazetareve Shqiptarë

 

Facebook Comments

POST A COMMENT.

three × three =