Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Akri Çipa: Rruga europiane mbetet e vetmja rrugë për Ballkanin

Intervista
70
0
sample-ad

Ai është shpesh prezent me analiza të ndryshme në mediat e ditës, por vlerësohet gjerësisht edhe si konsulent jozyrtar i politikanëve të të gjithë spektrave politikë për temat e rajonit dhe për marrëdheniet shqiptaro-amerikane. Akri Çipa jeton aktualisht në Nju Jork, teksa po ndjek një program master në universitetin Columbia, një nga universitetet më prestigjoze në SHBA. Gjithsesi, vazhdon të ndjekë rregullisht zhvillimet ballkanike. Vendosëm të bisedonim shkurtimisht me të në lidhje me situatën aktuale në rajon dhe ndryshimet që po vërehen kohët e fundit.

Shtypi.net: A ka administrata aktuale amerikane një qasje të ndryshme nga ato paraardhëset në raport me Ballkanin?

Zoti Çipa: Administrata e Presidentit Trump ka realisht një ndryshim nga paraardhëset në qasjen diplomatike ndaj rajoneve të ndryshme. Interesat amerikane mbeten të njëjta, por në mënyrën e mbrojtjes së këtyre interesave ka një ndryshim të dukshëm.

Ka një lloj investimi aktualisht tek lojtarët politikë të rajonit për t’i bindur ata të hyjnë në vazhdën e reformave dhe ndryshimeve të nevojshme për rajonet respektive. Këtë gjë e kemi pare, për shembull, në Lindjen e Mesme. Fjala vjen në mënyrën si administrata aktuale ka mbështetur fuqizimin e partnerëve strategjikë që të mund të japin rezultat në raport me sfidat e mëdha që ka ai rajon – qoftë në izolimin dhe përmbajtjen e zgjerimit të influencës së Iranit, qoftë edhe në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Izraelit dhe vendeve arabe. Në Amerikën Latine ka reminishenca të së njëjtës strategji. Dhe, padyshim, të njëjtën tipologji qasjeje e shohim edhe në raportin tonë. Por, e theksoj, është qasja që ndryshon, ndërkohë që interesat strategjike mbeten të pandryshuara.

Shtypi.net: Si e shikon rolin e Bashkimit Europian në lidhje me rajonin?

Zoti Çipa: Bashkimi Europian ka pasur mundësi për ta drejtuar rajonin në shinat e duhura – si në konsolidimin e demokracisë dhe respektimit të ligjit, ashtu edhe në shuarjen e konflikteve të vjetra që kanë konsumuar frymë njerëzore, energji të çuar dëm dhe kohë që nuk kthehet pas. Për fat të keq, BE nuk doli e suksesshme në asnjë prej këtyre dy pikave. Kjo për faktin se, për hir të stabilitetit dhe arritjes së objektivave afatshkurtër, BE investoi tek liderët lokalë me qëllim që këta të arrinin të shuanin konfliktet e vjetra. Pjesë e këtij investimi ishte dhe mbyllja e syve përpara shkeljeve dhe mungesës së reformave të qeverive të njëpasnjëshme të drejtuara nga këta liderë. Pra, për të arritur objektivin e dytë, BE sakrifikoi objektivin e parë. Nëse objektivi i dytë u arrit, kjo është e debatueshme. Është e vërtetë që rajoni sot është i qëndrueshëm si pak herë të tjera në histori dhe ka një sërë zhvillimesh pozitive në marrëdhëniet bilaterale dhe shumëpalëshe. Por, ende duhet parë kapitalizimi i mirëfilltë i gjithë këtij investimi. Dhe, padyshim, në fund duhet bërë një analizë nëse ia vlejti sakrifikimi i gjysmës së asaj çfarë mund të arrihej në parim.

Shtypi.net: Përflitet shpesh për rritje të influencës ruse në Ballkan dhe në Europën Lindore dhe Qëndrore.

Zoti Çipa: Kjo duhet të kontekstualizohet. Europa Qëndrore ka veçantitë e saj në krahasim me Europën Lindore dhe të dyja kanë diferencat e tyre me Ballkanin. Europa Lindore shihet nga Rusia si oborri i saj i natyrshëm dhe pritshmëritë dhe influenca për atë rajon të Europës ka një specifikë të lartë për ta. Me Europën Qëndrore ka një marrëdhënie pragmatike, që është përcaktuar edhe nga konsolidimi i disa liderëve autoritarë, me në krye kryeministrin hungarez Viktor Orban. Rusia shfrytëzon në këtë prizëm edhe koherencën e pamjaftueshme të BE-së për të dënuar tendencat iliberale në zemër të saj dhe për të imponuar një qëndrim të përbashkët dhe parimor në raport me Rusinë. Situata në Ballkan ka disa ngjashmëri me këtë të fundit. Edhe në Ballkan marrëdhëniet e Rusisë janë ndërtuar mbi interesa pragmatiste të momentit, ndoshta me përjashtim të Serbisë ku zgjatimi i marrëdhënies është më i gjatë në kohë dhe në prakticitet.

Shtypi.net: Domethënë nuk ekzistojnë arsye reale për t’u shqetësuar?

Zoti Çipa: Ballkani nuk është “lagjia” ngjitur me Rusinë, ku kjo e fundit mund të bëjë çfarë të dojë. Ka një tendencë, parë edhe në planin historik, për të qënë e pranishme në rajon. Por, më shumë se për interesa të drejtpërdrejta, Ballkani i nevojitet Rusisë për status – për të treguar që është fuqi e madhe dhe vendimtare për fatet e rajoneve edhe larg saj. Sikurse ndodh dhe në përfshirjen e saj në çështjet e Lindjes së Mesme. Ky status u cënua nga hyrja e Malit të Zi në NATO, një vend që e kishte konsideruar strategjik për të ruajtur gjurmën në Ballkan dhe nga trendi aktual i përpjekjeve të Maqedonisë për të zgjidhur çështjen e emrit me Greqinë, çka do të hapte rrugën drejt NATO-s dhe BE-së. Të vetmit aleatë të mbetur për të ushtruar influencë janë aktualisht Serbia, prandaj dhe e veçova më parë, dhe Republika Srpska në Bosnje, ku Dodik është një plangprishës i madh për stabilitetin e Bosnjes. Gjasat që Rusia të jetë faktor destabilizues janë të vogla, por për ruajtjen e këtyre dy bastioneve të fundit, Presidenti Putin do të tregohet shumë më agresiv se sa në rastin e Malit të Zi dhe Maqedonisë.

Shtypi.net: Si e shikon perspektivën e rajonit në rrugëtimin Europian? A mundet të ketë alternativa të tjera përtej kësaj perspektive, si për shëmbull, afrimi dhe partneriteti me Turqinë ose me vende si Kina?

Zoti Çipa: Fati i rajonit mbetet në mënyrë të patjetërsueshme i lidhur me Europën e bashkuar. Edhe pse kjo e fundit meriton një sërë kritikash, mbetet i vetmi projekt serioz dhe shpresëdhënës për rajonin. Nuk ekzistojnë modele të tjera ose rrugë alternative. Është e vërtetë që ka rritje të investimeve të Kinës, vendeve arabe dhe, sigurisht, Turqisë. Por këto investime nuk sjellin një model të qëndrueshëm. Turqia, nën sundimin tashmë të zgjatur dhe të konsumuar të Presidentit Erdogan, është përpjekur të krijojë një frymë më të qëndrueshme se sa thjesht investime ekonomike. Por, modeli që ofron është arkaik dhe duhet refuzuar si i tillë. Ai nuk përmbush frymën që u çlirua me rrëzimin e komunizmit në vendet e Ballkanit dhe kërkesën për demokratizimin e shoqërive dhe, padyshim nuk ofron asnjë plan-projekt përveç një paternalizmi të shtirur dhe një ëndrre neo-otomane nga e cila përfiton vetëm egoja e Presidentit Erdogan. Perspektiva e rajonit mbetet në rrugëtimin europian si e vetmja alternativë që përmbush aspiratat demokratike të popujve ballkanikë. Kjo i tejkalon politikat e ditës dhe, pashmangshmërisht, politikanët e përkohshëm.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

1 × 2 =