Politika e prangave

Analize
204
0
sample-ad

Nga Enver Robelli

Si po e keqpërdor Turqia Interpolin për të ndjekur kritikët e presidentit Erdoan.

Dogan Akhanli është shkrimtar gjerman me origjinë turke. Vitin e kaluar ai udhëtoi nga Gjermania në Spanjë – për pushime. Aterroi në qytetin e Granadës dhe bashkë me partneren e tij, një turke me pasaportë gjermane, vendosën të ecnin gjurmëve të poetit Federico García Lorca, të cilin e vranë falangat fashiste më 19 gusht 1936. Krimi ndodhi jo larg Granadës dhe varri i Lorcas nuk është gjetur ende.

Dogan Akhanli u arrestua nga policia spanjolle po ashtu më 19 gusht – në përvjetorin e vrasjes së poetit spanjoll. Akhanli u arrestua me kërkesë të Turqisë, të proceduar përmes Interpolit. Autoritetet turke pretendojnë se Akhanli ka qenë pjesë e një grupi të majtë terrorist, i cili para 27 vjetsh kishte kryer një sulm për grabitje.

Fati i Dogan Akhanli ishte shtetësia e tij gjermane. Pas arrestimit menjëherë u angazhua Ambasada e Gjermanisë dhe autori u lirua nga burgu, por qe i detyruar të presë dy muaj në Madrid derisa të merrej vendimi për apo kundër ekstradimit të tij në Turqi. Drejtësia spanjolle vendosi kundër ekstradimit. Koha e kaluar në Spanjë, mes frikës se do t’i dorëzohej autoriteteve turke, shpresës se do të shpëtonte falë angazhimit të Gjermanisë dhe bindjes se drejtësia spanjolle do të injoronte kërkesën turke, i shërbeu Dogan Akhanli për të shkruar një libër, i cili është botuar këto ditë. «Arrestim në Granadë ose a po rrëshqet Turqia në diktaturë?» («Verhaftung in Granada oder Treibt die Türkei in die Diktatur?», botoi: Kiepenheuer & Witsch).

Libri përshkruan jetën e Dogan Akhanli, e cila është e pashkëputshme me Turqinë e dekadave të fundit. Ai u arrestua për herë të parë në vitin 1975, sepse kishte blerë një gazetë majtiste. Më vonë u arrestua prapë për shkak se iu bashkua Partisë Revolucionare Komuniste (e cila ishte ilegale). Pas puçit ushtarak në Turqi në vitin 1980 Akhanli kaloi në ilegalitet. Regjimi ushtarak arrestoi mbi 100 mijë turq nën akuzën se janë majtistë. Për të luftuar majtistët ushtria i dha hapësirë më të madhe fesë në jetën publike. Kur thuhet sot se ushtria turke ka qenë përherë mbrojtëse e kemalizmit, i cili si ideologji insistonte në ndarjen e fesë nga shteti, kjo nuk vlen së paku për grushtin e shtetit të vitit 1980.

Dogan Akhanli jeton prej vitesh në Gjermani. Si shtetas gjerman ai mund t’i lejojë vetes të ushtrojë kritikë ndaj qeverisë në Ankara dhe presidentit Rexhep Taip Erdoan. Lideri turk është tepër i ndjeshëm ndaj kritikës. Dhe për t’i kapur kritikët e tij nuk zgjedh mjete. Këtu hyn edhe përdorimi dhe keqpërdorimi i fletarresteve të Interpolit.

Dogan Akhanli nuk është i vetmi që kërkohet nga Turqia. Nën akuzën shpesh paushalle se janë mështetës të Lëvizjes së Fetullah Gylenit e ashtuquajtura drejtësi turke kërkon shumë turq me banim në botën e jashtme – sidomos në Evropën Perëndimore. Por në shënjestër janë edhe politikanë kurdë. Më 25 shkurt në Pragë u arrestua Salih Muslim, politikan i kurdëve të Sirisë. Edhe në rastin e tij bëhet fjalë për keqpërdorim të Interpolit për të prangosur kundërshtarë politikë.

Salih Muslim kishte ardhur në Pragë për të marrë pjesë në një konferencë mbi situatën e kurdëve në Siri dhe aksionin e forcave turke kundër qytetit Afrin, i cili kontrollohet nga kryengritësit kurdë. Në vitn 2013 vetë Erdoan e kishte pritur në Ankara Salih Muslimin. Tani, pas ndalimit të tij në Pragë, Erdoan tha: «Shpresa jonë është se Çekia – dhashtë zoti – do t’ia dorëzojë Turqisë».

Shumica e shteteve evropiane (sidomos ato anëtare të BE-së) hedhin poshtë ekstradimet në Turqi për shkak të kontrollit politik të drejtësisë. Njëjtë (dhe guximshëm) kanë vepruar edhe qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë ndaj kërkesave turke për ekstradimin e shtetasve turq. Kjo ka zemëruar disa diplomatë turq. Në bisedë me gazetarë perëndimorë ata thonë se instituconet e Kosovës dhe Shqipërisë janë të infiltruara nga «gylenistët». Dëshmi për këtë akuzë diplomatët turq nuk kanë, por në kohën e tensionimit të përhershëm të situatës faktet harrohen nga pala turke.

Me rëndësi është loja me emocione dhe akuzat tërësisht të papranueshme ndaj vendeve që tradicionalisht kanë raporte të mira me Turqinë. Për shembull: Rexhep Taip Erdoani i ka kërcënuar me një «flakaresh osman» ushtarët amerikanë nëse ata edhe më tutje i përkrahin luftëtarët kurdë në Siri. Politikanët gjermanë kryetari turk disa herë i ka krahasuar me «nazistët» për shkak se ata kanë propozuar ndërprerjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Holandezët Erdoan i ka akuzuar se kanë «karakter të poshtër», ngase patën ndaluar pjesëmarrjen e ministrave turq në tubime elektorale me komunitetin turk në Holandë. Gjermania dhe Holanda, sipas tij, janë «shtete banditësh».

Dogan Akhanli i ka shpëtuar ekstradimit në Turqi. Do të ishte befasi e madhe nëse Çekia do të vepronte ndryshe në rastin e politikanit kurd nga Siria, Salih Muslim. Por në Çeki mund të ndodhin edhe gjëra të papritura, sepse në Pragë nuk është më president një disident si Valcav Haveli, por Millosh Zemani, një urrejtës i BE-së, mik i Vladimir Putinit dhe përbuzës i drejtësisë. Kryeministër është një i dyshuar për korrupsion. Ndërsa njëri nga liederët e opozitës Tomio Okamura, gjysmë çek, gjysmë japonez, është shquar për deklarata ksenofobe.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

twenty − nineteen =