​Të mbytesh me një pikë ujë

Editorial
496
0
sample-ad

Behar Gjoka

Furtuna që shkaktuan vargjet e Rita Petros, më bën që të ndalem për një çast, në marrëdhënien e përjetshme dhe të ndërlikuar, të tre faktorëve të ekzistencës së literaturës, pra edhe të letërsisë. E kam fjalën, të tekstit, autorit dhe lexuesit. Në mesin e tyre, teksti, nëse përçon vlera estetike, udhëton në kohë dhe hapësirë, madje tejkalon autorin dhe lexuesin e kohës së shkrimit. Pra, teksti mbetet, prandaj Shekspiri lexohet në gjithherët. Tekstet e tij, vijnë nga shekujt për te lexuesi i pakohësisë dhe në të gjitha hapësirat. Vijmë, pa humbur kohë, te furtuna në gotë, ku në syrin tim, shumica mbytemi me një pikë ujë. Kur them kështu, kam parasysh, ata që kanë folur, ata që kanë heshtur, megjithëse diçka kanë dashur të thonë, por edhe ata që gjithnjë kanë diçka për të thënë, anipse mundet të mos ketë lidhje me temën dhe, të mos thonë asgjë. Druaj se më tepër jemi në rastin e leximit si moslexim, ose e leximit të mbrapshtë që e ka përmendur më herët Tomas Elioti, për të denoncuar dhe asgjesuar. Kjo mënyrë vetëmsa na largon nga teksti, që është më përtej autorit dhe lexuesit, Një tekst që ka vlera estetike, udhëton edhe në vetmi të plotë, duke shpërfllur autorin dhe vetë lexuesine kohës së tij, apo edhe më përtej saj. Amullia e një marrëdhënie fiktive, gati absurde, si lexim, që ngërthen përvojën e dijes letrare dhe të modeleve të ngrutësuara, që vetëkuptohet se kryejnë funksionin e matricave, verfifikuese, jo si gjithëdije, po si një përvojë e gatshme, e cila na jep sinjalin për të dalluar artin dhe joartin, ose atë që është më tipike në nahinë tonë, bashkëjetesën e artit dhe shkarrashkrimet, pra tallavanë letrare. Në këtë furtunë në gotë, kur desh u mbytem me një pikë ujë, harruam ose nuk e dimë, që tjetri, që mundet të jetë edhe brenda nesh, përqark apo pak më larg, ekziston. Vetëdija dhe nënvetëdija, udhëton bashkë me ne, është si ai muri, që e kemi në kokë dhe e marrim me vete ngado që shkojmë. Në këtë debat, që ka për objekt vargjet e një poeteje, në qasjen e tanishme, harrohen ose lihen anash, se marrëdhënia me një tekst, ku është me vlera apo jo, është mendimi i hapur, por komunikimi mbi të të jetë i qartë, po kaq edhe pozicionet e të përfshirëve në debat, me gjasë në një “konflikt” moral dhe amoral. Në mesin e dritëhijeve që të lë shija e një debati për debat, do të veçoja:
A – Të drejtën e shprehjes, që përjetësisht është e drejtë natyrale, e drejtë njerëzore, që në këto kushte, tashmë garantohet me ligj. Pra, e drejta e shprehjes, me vargje apo në prozë, mbi secilën temë, në fund fare ka të bëjë me lirinë e shprehjes. Në marrëdhënie me letërsinë, qoftë edhe të vargëzimeve që për lexuesit nuk kanë vlerë, sipas konceptit tim, autori, kushdoqoftë është avokati më i papërshtashëm, sepse autori ka folur me tekstin. Ky i fundit, pra teksti nuk shpjegohet, sepse jemi në një situatë të një teksti të ri, gojor që edhe mundet të shkruhet. Shoqërimi i tekstit, me shpjegime si pastekst gojor, më e pakta lë në hije tekstin dhe bëhet fjalë për një gjë, që secili e sheh vetë. Autori e shkruan në vetmi tekstin, po ashtu edhe lexuesi, jo vetëm në letër, por edhe online, sërish e lexon në vetmi.

B – Të drejtën e shprehjes së lexuesit për një tekst, po kaq të shenjtë dhe të ligjshme, që nuk ka lidhje me gojështhurjen, që vërvit baltë, ku situata pro dhe kundra, aq e parapëlqyer në skenën, kinse letrare të “republikës së letrave shqipe”, ku nuk do të thotë të legalizojmë denigrimin dhe shpalljen fajtor të autorit, për një tekst që nuk përmbush standardin e vlerave estetike, ose më e pakta, që nuk të pëlqen. Lexuesi ka po kaq të drejtë, të shprehet ndaj një teksti, ku mungesa e vlerave estetike, do të ishte e mjaftueshme, për të mos harxhuar energji negative, madje as kohë për të shpenzuar me mungesën e tillë, kur mundet të ndalësh të një libër që të tërheq. Megjithatë, nëse të udhëtosh në letërsi, në kuptim metaforik, është si të hysh në një supermarket, që ka të gjitha teshat, e nuk ka arsye që të flitet vetëm për mbathjet dhe sutjenat, të cilat kanë vlerën e tyre, por nuk mundet të zbehin vlerën e këpucëve, fundeve, kostumeve etj.

Pra, duam apo nuk duam, jemi në përplasjen e dy të drejtave, ku secila ka të drejtë të ekzistoj, ose të shpallet se ekziston. Vargjet e Petros, në varësi të tekstit, kanë një adresë, të zbulojnë demonët, dhe tek e fundit, të shpallin nevojën e një revolucioni seksual, që tashmë, kur po ligjërohet martesa brenda së njëjtës gjini, po mbyll ciklin e nevojës për një revolucion të tillë. Po kaq, dashuria apo seksi, janë akte që nuk kanë nevojë për diplomë, zot na ruaj, nëse do të pajiseshin me titullin e akademikut! Vargjet kanë një tezë të qartë, po ashtu në kohë dhe hapësirë ka ekzituar arti me tezë. Nuk ka pse të fshihemi prapa gishtit, te njeriu fle engëlli dhe djalli, fle demoni dhe ëndrrimtari, letërsia adreson me lartsynimin e katarsës, e jo të nxitjes së demonëve. Letërsia me tezë, e realizmit socialist, me tendeciozitetin më të ashpër klasor, e ndau qenien njerëzore, në përprimtarë dhe reaksionarë, në armiqër dhe heronjër. Diskutimi mbi vargjet me parimet morale, apo fshehja e amorales prapa vargjeve, është të mbytesh në furtunën e shpërthyer në një gotë ujë. Letërsia pa tezë, me gjasë purolirika, ku mjafton të kujtojmë vargun lasgushian, “po dashuronte dashuria” dhe po bëhet shekulli që e lexojmë, e komentojmë, e megjithatë metafora erotike e metafizikës së pa kohë, vijon të bart misterin e fuqisë së fjalës si shenjë estetike.

Facebook Comments

POST A COMMENT.

17 + 18 =