‘Shashka dhe mashtrime,’ Partia Demokratike pranon kontratat e lobimit me vlerë 675 mijë USD

Politike
205
0
sample-ad

Pasi fillimisht i mohoi duke i quajtur mashtrime, Partia Demokratike ka pranuar ekzistencën e dy kontratave dhe pagesave ndaj lobuesit të saj në Uashington ‘Muzin Capitol Partners’ me vlerë 675 mijë USD, të zbuluara nga një investigim i BIRN.

Faksimile e formularit ku Muzin Capitol Partners zbardh lidhjen midis PD-së dhe ‘Biniatta Trade LP’

Në një deklaratë për shtyp të shtunën, Partia Demokratike e Shqipërisë pranoi ekzistencën e dy kontratave të lobimit me kompaninë lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners,’ për të cilat opozita shqiptare ka paguara 675 mijë USD.

“Kontratat e lobimit të Partisë Demokratike janë dokument publik që janë të depozituara në Departamentin Amerikan të Drejtësisë,” tha PD në një njoftim për shtyp.

“Kontratat dhe pagesat e bëra janë subjekt i ligjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe janë audituar dhe kontrolluar nga qeveria amerikane,” shtoi ajo.

Një investigim i BIRN i publikuar të martën, zbuloi se  Partia Demokratike fshehu pagesa prej më shumë se gjysmë milionë dollar ndaj ‘Muzin Capitol Partners’ dhe dështoi të bënte transparencë në KQZ, ndërkohë që njëra prej transfertave rezulton të jetë bërë nga një kompani guackë me aksionerë anonimë e regjistruar në parajsa fiskale.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se pagesat për kompaninë e lobimit u bënë nëpërmjet dy kontratave të lidhura në fund të marsit nga Partia Demokratike dhe një kompani guackë e regjistruar në Skoci me emrin “Biniatta Trade LP”- të cilat kapin një vlerë totale prej 675 mijë USD dhe ku përfshihen tarifat mujore të firmës si dhe pagesat për shpenzimet e saj.

Kontrata e drejtpërdrejtë e PD-së me “Muzin Capitol Partners” është raportuar në Departamentin e Drejtësisë në SHBA që në muajin mars, ndërsa kontrata me “Biniatta Trade LP’ është mbajtur e fshehur për disa muaj dhe është raportuar në mesin e muajit nëntor.

Më 14 nëntor 2017, “Muzin Capitol Partners” raportoi në Departamentin e Drejtësisë se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 525 mijë USD dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP” në vlerën e 150 mijë USD.

Asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton e deklaruar në raportin financiar të dorëzuar nga PD në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e 25 qershorit, çka ngre dyshime serioze për origjinën e parave.

Gjithashtu, mbetet e paqartë se cila është marrëdhënia mes Partisë Demokratike dhe kompanisë ‘Biniatta Trade LP,’ e cila është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë- nje shtet i Amerikës Qendrore i njohur si parajsë fiskale.

Në një formular të depozituar në Departamentin e Drejtësisë në SHBA me 14 nëntor, ‘Muzin Capitol Partners’ shpjegon  se marrëveshja me ‘Bianiatta Trade LP’ ishte bërë në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

“Edhe pse marrëveshja me ‘Biannita Trade LP’ është deklaruar nëpërmjet ligjit ‘Për Bërjen Publike të Lobistëve’ (jo ligjit për regjistrimin e përfaqësuesve të agjentëve të huaj, i njohur si ‘FARA’), gjatë një rivlerësimi të bërë përpara dorëzimit të ‘deklaratës plotësuese,’ arritëm në përfundimin se përfitues i përfaqësimit ka qenë Partia Demokratike e Shqipërisë,” shkruan ‘Muzin Capitol Partners.’

E pyetur nga BIRN të martën për kontratat e mësipërme, fillimisht Partia Demokratike mohoi si pagesat në vlerën e 525 mijë USD për “Muzin Capitol Partners” ashtu edhe çdo marrëdhënie financiare me kompaninë guackë “Biniatta Trade LP”.  PD i tha BIRN se kishte paguar 125 mijë USD gjithsej për kontratat e saj të lobimit. Përpara se të bënte një kthesë 180 gradë me deklaratën e të shtunës,  kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi të premten se raportimet për kotratat ishin ‘shashka dhe mashtrime,’

Përveç dy kontratave të lidhura me ‘Muzin Capitol Partners,’ gjatë të njëjtës periudhë PD ka lidhur edhe një kontratë me kompaninë lobiste “Barnes and Thornburg LLP” në fillim të prillit me vlerë 150 mijë USD.

Në total, shpenzimet e Partisë Demokratike për lobistët në Uashington për periudhën mars- qershor kapin vlerën e 825 mijë USD- më e lartë se të ardhurat totale që Partia Demokratike deklaroi në KQZ. / Marrë nga Reporter.al

Facebook Comments

POST A COMMENT.

16 − 7 =